Nga Eraldo Harlicaj
INSTAT e nis vitin e ri me lajmin therës: nga 61 bashki gjithsej, 50 bashki po boshatisen si kurrë më parë. Në 8 qarqe sot ka më shumë të moshuar sesa të rinj. Shifrat e publikuara nuk i referohen emigracionit, por raportit lindje-vdekje dhe migrimit të brendshëm.
Të rinjtë sot kanë frikë të lindin fëmijë. Politikat e gabuara po i nxitin të zgjedhin kryeqytetin, duke i kthyer në emigrantë brenda atdheut. Po paguajnë 50% të rrogës për qiranë e një shtëpie që nuk do të jetë kurrë e tyre.
Pse? Sepse fshatrat po bëhen shkretëtira, kurse qytetet po kthehen në qyteza.
Të rinjtë sot kanë dy alternativa: kap një punë në administratë ose mëso italisht për robotizim në call center.
Kush zgjodhi shkollën, sot ngjan si pensionist: i dënuar me vdekje të parakohshme, me pagë sa për të mbyllur tri javët e para të muajit. Java e katërt? Ajo është maratonë sfilitëse 7-ditore, finishi i së cilës janë borxhet.
Nëse Migjeni shkruante “të kisha një grusht të fortë”, shqiptarët sot luten “të kisha një mik të fortë”, sepse kur je vendi me forcën më të ulët blerëse në kontinent, nuk ke rrugë tjetër.