‘Paraja e pisët po vret ekonominë e shqiptarëve’, Tabaku: Të rinjve u duhen 60 vite punë për të blerë një apartament

‘Paraja e pisët po vret ekonominë e shqiptarëve’, Tabaku: Të rinjve u duhen 60 vite punë për të blerë një apartament

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku në një postim në rrjetet sociale thotë se pastrimi i parave po vret ekonominë shqiptare.

Ligjvënësja demokrate shprehet se e gjithë ekonomia po vuan nga pastrimi i parave të pista, ndërsa sipas saj kështu goditen qytetarët shqiptarë, ku një i ri e ka të pamundur që të blejë një shtëpi apo të hapë një biznes.

Tabaku vijon duke thënë se një i ri duhet të punojë mesatarisht 50 deri në 60 vjet që të arrijë të blejë një apartament në Tiranë.

“Qeveria më në fund u kujtua që pastrimi i parave dhe ekonomia e krimit po e vdes ekonominë reale. U kujtua që sot të rinjtë, bizneset, sipërmarrjet, ndërtimi por dhe e gjithë ekonomia po vuan si rezultat i pastrimit të parave. Sot një i ri shqiptar e ka të pamundur që të hapë një biznes, të blejë një shtëpi apo që të ketë një apartament sepse duhet patjetër që të konkurrojë me paranë e pisët që ka hyrë në sektorin e ndërtimit.

Një i ri duhet të punojë mesatarisht 50 deri në 60 vjet që të arrijë të blejë një apartament në Tiranë, ndërkohë që nga ana tjetër një sektor i tërë është duke u mbyllur vetëm si rezultat i zhvlerësimit të euros. Sot sektori i fasonerisë që ka 20% të eksportit të produkteve shqiptare në të gjithë botën është duke u mbyllur sepse ekonomia e krimit dhe pastrimit të parave po ndërhyn dhe aty: në ekonominë reale të bizneseve të sektorit fason.

Kjo është sfida reale që ka sot Shqipëria! Sfida sesi mundet që dikush me punë të ndershme, me investim, me para reale jo paratë e krimit, të krijojë një model sesi mundet qeveria të kalojë ngërçin ku është futur, në modelin ekonomik që nuk prodhon asgjë përveç korrupsionit dhe të fokusohet në një model që investon tek puna, dija, teknologjia. Jam e sigurt që nuk do i kemi më statistikë të rinjtë që largohen, vetëm nëse bëhet prioritet dhe krijojmë një model të ekonomisë reale dhe jo ekonominë e krimit”, u shpreh ajo.