PROF. AS. DR. MUHAREM JAKUPI: REAGIM RASTI NDAJ RISHKRIMEVE TË ALBANOLOGJISË NGA DILETANTË QË NË 5 FJALË SHAJNË AKADEMINË DHE MBURRIN “STUDIMET” E TYRE ANTISHKENCORE!

PROF. AS. DR. MUHAREM JAKUPI: REAGIM RASTI NDAJ RISHKRIMEVE TË ALBANOLOGJISË NGA DILETANTË QË NË 5 FJALË SHAJNË AKADEMINË DHE MBURRIN “STUDIMET” E TYRE ANTISHKENCORE!

REAGIM RASTI NDAJ RISHKRIMEVE TË ALBANOLOGJISË NGA DILETANTË QË NË 5 FJALË SHAJNË AKADEMINË DHE MBURRIN “STUDIMET” E TYRE ANTISHKENCORE!

Asnjë akademi, sado e dobët apo e vogël, nuk ka për detyrë apo detyrim të merret me sherre të përditshme me amatorët e rrjeteve sociale, shpesh edhe me diletantët, delirantët, krejt të paditurit etj., të cilëve çfarë nuk u punon fantazia, sepse në rrjet gjendet seti i plotë i larmisë! Akademitë nuk janë gjithologji dhe as neurotike që natë e ditë të shohin ëndrra me sy hapur për të deformuar/ndryshuar Homerin e krejt helenistikën dhe të vendosin me zor lidhje gjenetike të shqiptarëve me pellazgët. Akademitë merren me çfarë del nga përpunimi i thellë shkencor i fakteve dhe të dhënave të tjera të sigurta, punë të cilat i bëjnë me programe dhjetëravjeçare apo shekullore, prandaj edhe me ngadalësinë e pashmangshme të kujdesit dhe sigurisë dhe me pjekje të kontrolluar të konkluzioneve që mund të duket se dalin në/nga hulumtimi i një fushe kërkimore të caktuar. Akademitë, si rregull, angazhojnë/përfshijnë edhe punën shkencore kolosale të profesorëve të universiteteve. Nga ana tjetër, akademitë nuk kanë dot në dispozicion 1/2 e buxhetit të shtetit dhe 1 milion studiues dhe të merren, e me çfarë, vetëm me helenistikë, pasi albanologji kjo që po ndeshim gjithandej nuk është?!

Zonja dhe zotërinj, të matur dhe të çartur, çështjet e helenistikës, më shumë se çdo çështje tjetër e antikitetit a prehistorisë, në përgjithësi, praktikisht tashmë është pak çështje e grekëve, egjiptianëve, iranianëve etj. dhe SHUMË çështje e të gjitha akademive të botës!!!

E dini ju se sa dokumente nga më të vlefshmet e helenistikës, egjiptologjisë, romanistikës, materiale të dala nga shkruesit e bibliotekës së Aleksandrisë etj. tashmë janë pronë e muzeve të shumë universiteteve në Britani, ShBA, Francë etj.? dhe jo pronë e shteteve apo akademive të vendeve të origjinës?

Ngadalë pak, se as akademiku më i dobët apo i paaftë nuk ka nivelin e “akademikëve” të Fb! Mos u nxitoni të shpallni epërsira dhe triumfe me punë e nivele që vetëm mund të prodhojnë nënqeshje ironike tek njerëzit me formim të mirëfilltë shkencor!

Pse, ç’mendoni ju, se po e vendosët ju vetë për ndonjë çështje të antikitetit a prehistorisë, akademitë e gjithë botës – sistemi zinxhir i tyre – do kurdisin sahatët sipas këtyre “xhevahireve” më pak sesa naive?

(SHËNIM: Megjithëse kam gradë dhe titull akademik, unë nuk jam anëtar apo kandidat i Akademisë, madje gjer tani as nuk kam bërë të hyj ndonjëherë brenda saj.)