…I nderuar mik, e keqja është pikërisht tek konceptimi i embriomorfemave si tabela e Mendelejevit! Këtu del pyetja ime e dytë shkatërruese. A është gjuha shqipe “aglutinative” sikurse turqishtja, apo është “fuzive” si të gjitha gjuhët indoevropiane? Nëse përgjigjet me “po” për strukturën aglutinative të fjalës, z. Agron mohon tipologjinë indoevropiane të shqipes, ndërkohë që ai e përkufizon atë si indo-europiane dhe mbështetet shumë tek artikulli i 33 (shenjtorëve) shkencëtarëve të revistës “Science”. Nëse i përgjigjet me “jo” natyrës aglutinative sepse e rezervon përgjigjen me “po” për natyrën fuzive të fjalës, ai e rrëzon vetë teorinë e tij të embriomorfemave! Sepse kufijtë midis këtyre do të humbnin, embriomorfemat do të shkriheshin nën presionin e ngjeshjes, kondensimit apo sintetizimit, rënies, apo të shtimit/futjes së disa fonemave si mbështetëse, për shkak të analogjisë që ruan kategoria/modeli leksikor (fjalëformues) etj.; gjithashtu edhe nën presionin dhe karakter shkatërrues të dukurisë së eptimit, por edhe në rastet e zgjatjes së boshtit kuptimor të fjalës, në rastet e krijimit të kuptimeve me anë të tropeve si mjete fjalëformuese, të fjalëformimeve me konversion etj. Në këtë rast embriomorfemat do të humbnin trajtat e qëndrueshme, unitetin fizik, rrjedhimisht edhe pavarësinë për hyrë në kombinime të reja e ribashkime ndryshe, në funksion të krijimit të fjalëve të reja në procesin e hapur të zhvillimit të gjuhës.
Kurse pyetja e parë është: këto embriomorfema të dala nga zbërthimi i mëtejshëm i morfemave minimale që njeh gjuhësia e përpara epokës së z. Agron, a mbeten ato përsëri njësi me kuptim leksikor (kuptim-koncept), apo e humbin kuptimin? Nëse thotë se e humbin kuptimin, atëherë kjo përgjigje e shkatërron vetvetiu teorinë e Agronit, sidomos hedh poshtë gjithë teorinë e tij etimologjike dhe të gjitha analizat etimologjike që ka bërë gjer tani. Sepse i barazon/identifikon embrimorfemat me fonemat e Sosyrit ose me hieroglifët, si njësi pa kuptim. Nëse ato do të ishin njësi pa kuptim, atëherë ato nuk marrin dot pjesë në formimin e fjalëve sipas teorisë në fjalë, sepse barazohen thjesht me rrokjet (këto njihen si njësi pa kuptim të gjuhës). Në fakt, ndryshimi cilësor midis rrokjeve dhe embriomorfemave nuk i qëndron analizës, kështu e gjithë teoria dhe praktika etimologjike e z. Agron bie. E thënë ndryshe, z. Agron bie në sosyrizëm, çka ai pikërisht këtë kundërshton.
Nëse thotë se embriomorfemat nuk e humbasin kuptim leksikor, atëherë si shpjegohet lindja, ekzistenca dhe sidomos aftësia e folësve të një gjuhe (shqipes) për t’i përdorur ato në praktikën e zhvillimit të gjuhës, kur askush tjetër, veç z. Agron, nuk e ka vetëdijen gjuhësore për ekzistencën e tyre dhe, për pasojë, as e bën tentativën për përdorimin e tyre? Në këtë kuadër, praktikisht embriomorfemat mund të identifikohen me “rrobat e reja të mbretit”! Dhe është themelore në këtë rast ajo që thotë Sosyri: “Nëse dikush i jep një grupi fonemash strukturën e një fjale dhe e lidh atë personalisht me një kuptim, ajo njësi tingullore gjithsesi nuk është/konsiderohet fjalë sepse nuk hyn dot në komunikim, për shkak të mosnjohjes së saj prej bashkësisë së folësve të asaj gjuhe. FJALA EKZISTON VETËM KUR PËRSËRITET.” Nga kjo aksiomë rrjedh vetiu se: nëse shqiptarët nuk e kanë ndjesinë e faktit të embriomorfemave dhe nuk veprojnë me to në praktikën ligjërimore, ATO NUK EKZISTOJNË! TEORIA E TYRE NUK EKZISTON!
Megjithatë, ende, a mund të motivohet kuptimi i embriomorfemave? Nëse kuptimi i embriomorfemave është i pamotivueshëm, atëherë kuptimi i tyre si shenja gjuhësore (tingull / koncept) thjesht është ARBITRAR dhe rënia në prehrin e teorisë së Sosyrit është e pashmangshme. Kjo sjell arsyetimin, gjersa tek themelet e fjalës – embriomorfemat – kuptimi është arbitrar, pse të mos pranohet arbitrariteti edhe në shenjat gjuhësore më të mëdha se një embriomorfemë? Domethënë, pse të mos pranohet karakteri arbitrar i kuptimit edhe në fjalët-rrënjë? Mirëpo shohim se kufijtë dalëngadalë po bien, vatha po shthuret, po ashtu është e rënë edhe krejt teoria e tij etimologjike e kuptimit të motivuar të fjalës nëpërmjet embrimorfemave. E nëse kuptimi i embriomorfemave është i pamotivueshëm, atëherë ato thjesht luajnë rolin e fonemave në teorinë e Sosyrit: 1) rolin si ndërtuese materiale të fjalës dhe 2) rolin kuptimdallues midis fjalëve (gUR vs mUR). Kështu, embriomorfema nuk ka më dhe teori të tyre nuk mund të ketë më!!!
Por le të supozojmë për një çast pranimin e alternativës së motivimit të kuptimit të embriomorfemave. Atëherë si ka mundësi që fjalë të gjata të përbëra me 4-5 embriomorfema me kuptime leksikore krejt të ndryshme, harmonizohen me njëra-tjetrën në mënyrë koherente, në një kuptim të ri, të unifikuar, i cili do të përbëjë kuptimin e fjalës së re të krijuar në fazën/kontekstin modern të gjuhës?! Le të marrim si shembull ilustrues për të thënë diçka rreth kësaj ideje fjalën “gospodin” – zotëri (në botën sllave). Në këtë fjalë, cila morfemë dalipjane mbizotëroi dhe nënshtroi semantikisht të tjerat dhe si u realizua konkretisht ky mbizotërim?! Shpjegimi etimologjik i z. Agron për këtë fjalë bëhet nëpërmjet shqipes: gjë s’po din = i paditur, injorant. As ne nuk po dimë gjë se çfarë ndodhi apo është duke ndodhur. Po e lëmë me kaq këtë çështje.
Por po vazhdoj me një argument tjetër shkatërrues për etimologjinë pa themel të z. Dalipaj, duke marrë përsëri si shembull fjalën “gospodin” – zotëri! Si ka mundësi që zotërinjtë e botës sllave quhen INJORANTË nga skllevërit, bujkrobërit, proletarët, fshatarët etj. dhe fjala “gospodin” ekziston akoma, pa ndodhur djegia inkuizicionale e të varfërve që përdorin këtë fjalë? Përkundrazi, zotërinjtë, pra, krejt klasa e lartë, e përdorin edhe vetë këtë fjalë ndaj njëri-tjetrit për ta nderuar me etikë e mirësjellje?! Dhe dinë dhe çfarë shkollimi e njohurie kanë për veten e tyre krijuesit e kësaj fjale përbuzëse, siç janë: skllevërit (kur duhet të jetë krijuar fjala), bujkrobërit, proletarët, fshatarët e të gjitha kohërave etj., të cilët janë duke ndjerë e shprehur gjuhësisht epërsi klasore, kulturore, morale si edhe pushtetin e duhur për t’u thënë “të paditur” krejt shtresë së pasur, që kanë në dorë edhe shtetin dhe mjetet e tij dhunës? Ky arsyetim mund të bëhet edhe me etimologjinë e fjalës “gegërisht” si e krijua nga grupi leksikor: “gjë e egër është”!? Për analogji: “Gegëri” – “gjë e egër”! Kush i krijoi këto fjalë, gegët për vete apo të tjerët për gegët. Në të dyja rastet janë krijuar dhe duket se po mbahen mbi vete me dëshirë cilësime verbale fyese!
Injoranca është e plotë për të gjithë ata që ndjekin këto teori dhe pushtohen nga një flakë e patosit patriotik, gati prej kryqëzatorësh dhe falangash shoviniste.
PËR VJETËRSINË 1500-VJEÇARE TË GJUHËS SHQIPE
“GJUHA E SHQIPTARËVE” është 10.000 e më shumë e vjetër, kurse “GJUHA SHQIPE” aq mund të jetë: rreth 1.500 vjet e vjetër. Se si dhe pse, djalli fshihet tek detajet… Por kuptimi i këtij pohimi kërkon mjaft abstraksion për ta kuptuar si dhe përgatitje profesionale të mjaftueshme për ta pranuar. Për të mos lënë enigma pezull, po e paraqes shkurtimisht, për ata që janë të interesuar ta kuptojnë përfytyrimin tim.
E kam ilustruar dukurinë përballë një të njohurit tim 80-vjeçar. Ka qenë fëmijë dhe i ri shumë simpatik, kurse tashmë – tullac dhe paksa i kërrusur. I thashë: “Nëse dikujt i vihet përpara – SI RASTËSISHT – fotoja jote e moshës 6-vjeçare dhe fotoja jote sot dhe gjendet mënyra e rafinuar për ta vënë të hetojë nëse ka ndonjë të përbashkët një fëmijë me një plak, si mendon, a mund ta identifikojë ai që kemi të bëjmë me të njëjtin person?” “Jo, – tha, – në thelb unë jam i njëjti person, por asgjë tjetër nuk ngjason: fytyra, trupi, flokët, formimi, psikologjia, sjellja sociale, angazhimi politik etj. janë krejt të tjera. Ke të drejtë, tani e kuptova, – më tha ai”.
Kështu është çështja edhe me dallimin rrënjësor midis koncepteve: “gjuha e shqiptarëve” vs “gjuha shqipe”! Artikulli i “Science” për këtë dukuri thotë se mungon lidhja E DREJTPËRDREJTË gjyshe – mbesë. Analiza gjenetike tregon se kemi të bëjmë me të njëjtën popullsi, por jo MË me të njëjtën gjuhë! Faleminderit!