Nga Alban Daci
Kërkesa për Komisionet Hetimore është një kërkesë legjitime pa hyrë në detaje sesi mund të jetë formula për ngritjen e tyre! Ndërsa kërkesa për bashkëkryetar në Komisionin Zgjedhor hanë diskutim në realitetin ku jemi!
Megjithatë, siç e kam thënë herët e tjera këto kushtet të kësaj pjese të Opozitës për t’iu kthyer jetës normale parlamentarë nuk janë një zgjidhje për t’a mundur Ramën e nuk janë as problemi përse nuk e mundin Ramës!
Zgjedhjet nuk fitohen me mekanizma parlamentar qofshin edhe ata përmes mekanizmave të komisioneve hetimore! Kjo pjesë e kësaj Opozite i ka humbur dy zgjedhjet e fundit të përballjes me Ramën edhe kur kishin ngritur komisione hetimore e madje i kanë humbur edhe kur ishin një e gjithë bashkë dhe pranonin Alibeaj si bashkëkryetar të Komisionit zgjedhor!
Zgjedhjet fitohen me frymë, besueshmëri duke treguar ose dëshmuar tek zgjedhësit se ata janë ndryshe nga Rama ose do të qeverisin ndryshe nga ai qoftë në format por edhe në metodologji! Komisionet hetimore edhe pse e kërkojnë si një të drejtë kushtetuese nuk ju japin kredibilitet politik për të qenë ndryshe nga Rama, sepse si Rama, por edhe ata vetë kanë të njëjtat probleme me drejtësinë, veçse ndoshta paradite mund të shkojnë në Spak njerëzit e Ramës e pasdite këta të Opozitës! Ata pretendojnë se mund t’a mundin Ramën duke e goditur imazhin e tij politik duke e sulmuar me komisione Hetimore!
Nëse do të ishte për imazh apo moral politik Rama duhet të kishte dhënë nga 2013 e deri më sot disa herë dorëheqje për shkak të skandaleve, por ky i fundit ka dëshmuar se politikisht ai nuk e njeh aktin e vetëdorëheqjes! Pra, aludimi se do të fitojmë e do ta mundim Ramën me komisione hetimore nuk bind!
Opozita duhet të jetë frymë e shpresë. Frymë sipas të gjitha sondazheve dhe nga rezultatet e dy palë zgjedhjeve të fundit nuk është. Po ashtu frymë nuk është se nga revolucion, në përmbysje e në mos-bindje civile siç duket ka përfunduar vetëm në mos bindje politike, sepse përveç tyre nuk kanë qytetarë ose masivitet të mbështetjes popullore. Grupimi opozitar mes “Rithemelimit” dhe grupimit të “Bardhit” nuk është as shpresë. Problemi kryesor i këtyre dy grupimeve është çështja e bashkimit! Protestojnë bashkë, bllokojnë bashkë punimet e Kuvendit dhe komisionev, por nuk bëhen dot bashkë!
Nuk bëhen dot bashkë se kanë qasje të ndryshme për çfarë u ndanë në fillim! Kanë qasje të ndryshme ndaj SHBA-ve, por edhe qasje të ndryshme ndaj drejtësisë. Grupimi i parë ka zgjedhur “Non Gratën” dhe Spak ta konsiderojë “Skap” e ndërsa grupimi i dytë nuk ka guxim as të jenë “kundër” SHBA dhe interesave të tyre, por as të sulmojnë sistemin e drejtësisë! Nuk është shpresë, sepse një ndër problemet kryesore të këtyre grupimeve që lidhet edhe me mundësinë e tyre për bashkim është mungesa e një lidershipi që garanton përmbysje elektorale.
Rithemelimi e ka liderin në pamundësi për të ushtruar plotësisht aktivitetin politik, sepse është në një përballje me drejtësinë. Këtu nuk dua të diskutoj dhe të aludoj nëse procesi ndaj liderit të Rithemelimit është i drejtë apo jo, por është fakt se ai ndodhet në pamundësi për të ushtruar cilësinë e tij të liderit!
Gjithashtu, duhet të theksojmë faktin se edhe kur lideri ishte në gjendje të ushtronte funksionet politike, ai doli i humbur në dy zgjedhjet e fundit me Ramën! Madje, me humbjet më të thella që janë shënuar ndonjëherë në historinë e tij poltiike! Gjithashtu, thuajse të gjitha sondazhet dëshmojnë atë që është më e rëndësishme për opozitarët, se ai grupimi është alternativë për të mundur Ramën dhe energjitë politike të atij grupimi nuk mjaftojnë as për rotacion e as për përmbysje.
Problemet e atij grupimi politik janë të shumta si në strukturë, në dialektikë apo në formatin përbërës, por më së shumti problem kryesor është se ajo nuk është më alternativë as për të mundur Ramën edhe sikur ta bojkotojnë plotësisht jetën parlamentare dhe kështu sic janë nuk mund t’i fitojnë as zgjedhjet edhe sikur të marrin bashkëkrytarin e Komisionit të Zgjedhjeve apo edhe sikur të marrin logon e PD! Madje, unë mendoj se do i bënim një dëm të madh politik PD edhe sikur ta merrnin me procedura ligjore logon e kësaj të fundit! Ndoshta ndonjëherë në politikë edhe duhet të pranohet realiteti apo fundi i një epoke e siç duket epoka politike e tyre si alternative qeverisëse apo edhe për të mundur Ramën!