Ndryshimet në Ligj zgjerojnë aksesin dhe shtrirjen e librit edhe përtej Shqipërisë!

Ndryshimet në Ligj zgjerojnë aksesin dhe shtrirjen e librit edhe përtej Shqipërisë!

Përfaqësuesja e Ministrisë së Kulturës Zerina Bruci prezantoi në Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit publik, ndryshimet dhe shtesat kryesore të propozuara në projektligjin “Për Librin”. Buxheti i bashkive për bibliotekat e qyteteve bëhet i patjetërsueshëm, ndërsa Biblioteka Kombëtare nga 5 tanimë do të ruajë 2 kopje të botimeve

Shtesat dhe ndryshimet e propozuara për Ligjin e Librit, u prezantuan sot në një takim ‘online’ në Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit publik të drejtuar nga deputetja Evis Kushi.

“Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik është komisioni përgjegjës dhe ky projektligj është parashikuar për seancën plenare të datës 22 shkurt”, shprehet deputetja Evis Kushi.

Në mungesë të Flutura Açkës, që është edhe një prej deputeteve relatorë të projektligjit, krahas Lindita Buxhelit, sekretarja e përgjithshme e Ministrisë së Kulturës  Zerina Bruci përmblodhi ndryshimet që reflektohen në të.

“Projektligji për librin në Republikën e Shqipërisë ka kaluar në një proces tërësor të konsultimit publik” , thotë deputetja Kushi.

Ligji synon ndër të tjera buxhet të patjetërsueshëm nga bashkitë për bibliotekat e qyteteve, lehtësira për personat me aftësi ndryshe, shtrirje të promovimit edhe jashtë territorit të Shqipërisë, reduktim nga 5 në 3 kopjeve të botimeve që duhet të mbajë Biblioteka Kombëtare.

“2 kopjet e tjera janë kopje që do të shpërndahen nëpërmjet marrëveshje midis Bibliotekës Kombëtare dhe institucioneve të tjera publike në të gjithë territorin e Shqipërisë”, shprehet Kushi.

 Si pasojë e ndryshimeve në disa nene zbehen kompetencat e Ministrisë së Turizmit dhe forcohet ndikimi i Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, ku do të kalojë edhe Regjistri i Botuesve. Sakaq, drejtuesi i QKLL-së, do të jetë pjesë e Këshillit Kombëtar të Librit dhe i Nxitjes së Leximit.

Për ndryshimet në Ligjin e Librit do të ketë edhe disa seanca të tjera ku do të diskutohet me grupet e interesit.