“Intertekstualja dhe disidentja te Dimri i vetmisë së madhe të Ismail Kadaresë”

“Intertekstualja dhe disidentja te Dimri i vetmisë së madhe të Ismail Kadaresë”

Nga Teuta Dhima

Dje në këtë Studio muze që mbart në vetvete shumë vlera, pati disa festime bashkë:

– festimi i ditëlindjes së Shkrimtarit të mirënjohur Ismail Kadare. Dhe ku më mirë mund të festohej ditëlindja e tij se sa mes këtyre mureve ku autori ka shkruar disa nga kryeveprat e letërsisë shqipe.

– Klubi i librit që mban emrin e shkrimtarit, përkthyesit dhe regjisorit “Gjergj Vlashi”, festoi 1- vjetorin e krijimit të tij. Ka qenë një vit i mrekullueshëm ku kemi pasur takime, biseda për shkrimtarë shqiptarë dhe të huaj.

– Tema bosht e takimit të djeshëm ishte disi e veçantë, sepse nuk u diskutua vetëm për krijimtarinë e një shkrimtari, por e parë ajo nga optika studimore e një shkrimtari dhe studiuesi tjetër.

“Dimri i vetmisë së madhe” nga Ismail Kadare dhe “Intertekstualja dhe disidentja te Dimri i vetmisë së madhe të Ismail Kadaresë”, nga shkrimtari dhe studiuesi i letërsisë Met Dervishi, zgjuan interes për të gjithë të pranishmit që ndoqën këtë takim.

Disa nga anëtarët e Klubit sollën pjesë të romanit, të cituara nga studiuesi Dervishi duke i shoqëruar me pyetje drejtuar autorit dhe të tjerë, sollën mendimet e tyre për këtë studim që i është bërë një prej veprave të Kadaresë që ka sjellë shumë polemika që nga koha e botimit e deri në ditët e sotme.

Po sjellim disa nga mendimet që u shprehën atje nga lexuesit, disa prej tyre edhe studiues të mirë të veprës së I. Kadaresë.

📍Bledar Kurti:

“Ismail Kadare është plotësia e trinisë kombëtare. Nëse Gjergj Kastrioti është simbol i guximit dhe qëndresës së popullit tonë, Nënë Tereza, zemra e madhe e Shqipërisë, Ismail Kadare është mendja dhe pena e ndritur e kombit shqiptar.

Kur ne ishim më lindorë në mendim sesa më lindorët gjeografikisht, Kadareja të yshtte me një refleks Perëndimi.

Pa Ismail Kadarenë, letrat ndërshekullore shqipe do të ishin thjesht një holokaust mendimi dhe një abort intelektual.

Kadare ishte disident ndaj regjimit komunist. Ai mbetet edhe sot disident, një dëshmi e gjallë që me veprat e tij demaskon pseudo-intelektualët, pseudo-shkrimtarët dhe pseudo-progresistët. Ai është një disident kolosal dhe levit i tebernakullit të letërsisë dhe qytetërimit perëndimor”

📍Miriam Reçi:

“Romani “Dimri i vetmise se madhe” ka histori të vecantë në receptimin / perceptimin e tij. Botuar në ’73, u refuzua nga kodi socrealist, i pasuar nga një heshtje 3-vjecare kërcënuese dhe u ribotua me titull tjeter, i retushuar, por i pandryshuar në thelb. Në të vërtetë i trukuar, siç shprehet studiuesi Met Dervishi. Si kulm i Kadaresë tek “Dimri…”, kristalizohet larmishmëria e tij stilistike, me plotfuqishmërinë e vet. 20.000 kopjet e botimit të parë janë blerë brenda një dite nga lexuesit, duke shënuar rekord.

Sikurse studiuesi Dervishi thekson, ndaj romanit u ndërmor një fushatë tipike për vendet e ish lindjes komuniste, kundër veprave të etiketuara disidente, duke përfshirë masat popullore (punëtorë, fshatarë, nxënës e studentë, oficerë e ushtarë, kritikë e studiues të letërsisë, zyrtarë burokratë), pra e gjithë ngrehina / mekanizmi i propagandës komuniste. Gjë që me autorë të tjerë, veprat e të cilëve ishin ndaluar, kjo nuk kishte ndodhur. Sikurse theksohet në tekstin analizues, E. Hoxha si personazh do të anatemonte veten, nëse do te mbante qëndrim totalisht kritik/ mohues ndaj veprës. Edhe dyzimi lavdërim / kritikë i bërë nga ai për veprën, në një takim me punëtorë në kombinatin metalurgjik Elbasan, dëshmon për dyzimin që diktatori po haste.

Së fundmi, kritika letrare e Dervishit mbi “Dimri…” është parë nën lenten e koncepteve te Michael Bachtin dhe analistëve të tjerë. Që dëshmon për përdorimin ndërdisiplinor në analizën e letërsisë.

Kritika letrare e sjellë nga M. Dervishi nuk është vetëm një studim i hollësishëm mbi një vepër të njohur, por dhe një përballje me elemente të disidences, të cilën studiues të huaj e kanë vërejtur herët në letërsinë e Kadaresë, dhe që në Shqipëri shpesh është shmangur të shihet”

📍Antigoni Suli Gjergji:

“Studimi i Met Dervishit si një metodë që të çon në një nivel më të lartë kuptimi të veprës së Kadaresë dhe, njëkohësisht si kontribut për studiuesit e rinj të letërsisë, të cilëve u jepet, përmes këtij libri, një metodë mjaft e efektshme në duar për studimin e veprave të tjera. Fola për përmasën disidente te veprës së Kadaresë dhe se si ishte argumentuar ajo, përmes këtij studimi. Gjithashtu, fola për faktin që leximi i një libri të tillë rrit shkallën e njohjes dhe implikon studim e kërkim më të gjerë e më të thellë mbi konceptet dhe autorët themelues të shkollave të teorisë së letërsisë, si Bachtin, Kristeva, Barthes etj.

📍Valbona Sakollari:

“Punimi shkecor i studiuesit dhe shkrimtarit Met Dervishi duhet të jetë pjesë e literaturës së programeve të studimit universitar në fushat që ai prek.

Lidhur me disidencën e “Dimrit të vetmisë së madhe”, autori rendit dhe analizon shumë situata, personazhe, ngjarje tek “Dimri…” duke argumentuar disidencën jo vetëm etike, por mbi të gjitha ideologjike. Ajo çfarë tërheq vemendjen e bie në sy është disidenca që M. Dervishi gjen të shprehur edhe tek vetë personazhi E. Hoxha. Personazhi i diktatorit ka qenë i vetmi që u mbrojt nga masakra e veprës prej kritikës së masës, kritikës zyrtare, kritikës “së zyrave” dhe më pas nga vetë E. Hoxha. Gjithashtu, dhe në kritikën e pas ’90, Kadare është akuzuar se ka mitizuar diktatorin tek kjo vepër, duke mos i njohur karakterin desident që ajo ka. Studiuesi Dervishi nxjerr në pah tek dialogu i Hrushovit me E. Hoxhën (i referohet faqes 156 te botimit të vitit 1973 te veprës, por dhe në situata të tjera, siç ështe mmomenti i ndarjes së parave partizanëve nga Banka e Shtetit) personazhin E. Hoxha, që flet me një gjuhë jashtë klishesë ideologjike dhe kodit të kohës. Fjalë si “armë, para, materie e shtetit, vdekje e revolucionit”” janë më afër figurës së Bakuninit, anarshist dhe kundërshtar i Marksit- argumenton z.Dervishi. Bakunini në teorinë e tij thekson se diktatura e proletariatit nuk është për proletariatin, por është ndaj tij dhe se sistemi njëpartiak proletar ka tipare të theksuara autokratike. Pra, tek “Intertekstualja dhe disidentja e Dimrit të vetmisë së madhe”, autori shkoqit që dhe vetë personazhi I diktatorit, në intersubjektivn e tij, ka tipare të theksuara disidence, qe dalin në pah nga gjuha dhe konceptet që Kadare I vesh personazhit Hoxha. Një pyetje interesante që ngrihet pasi lexon studimin e Dervishit është nëse E. Hoxha, në mbrojtjen që i ka bërë “Dimrit…”, nuk e ka kuptuar kundërshtinë e personazhit Hoxha me kodin ideologjik, kryetar i të cilit ai ishte, apo i ka pëlqyer, ky personazh që qaset me koncepte perëndimore (para’ armë. materie e shtetit)???

📍Eda Deveja:

“Pa dyshim lexuesit e vëmendshëm gjithnjë shkojnë në anën e Kadaresë në qëndrime!Takimi me kritikun M.Dervishi për librin e tij “Intertekstualja dhe disidenca në Dimrin e madh të Ismail Kadaresë”, ishte një leksion i mirë, sidomos për të rinjtë!”

📍Studiuesi Geron Kamberi vuri në dukje rëndësinë e studimit të Met Dervishit dhe vlerat që ai u përcjell brezave.

🔖Mes të pranishmëve që ndoqën këtë takim ishte edhe pedagogia e Universitetit “A. Moisiu” , Manjola Zaçellari e cila ka bërë edhe një shkrim në lidhje me veprën studimore të Met Dervishit. Ajo ndër të tjera shprehet:

“Për këtë punim, së pari, duhet thënë se është hera e parë në studimet shqipe ku merret në analizë një vepër e plotë. Së dyti, që në të, për herë të parë në studimet shqiptare, aplikohen konceptet e teorisë së receptimit dhe intertekstualitetit. Dhe së treti, duke hyrë në ideologjemat e tekstit të Kadaresë, studiuesi i jep një përgjigje shkencore pyetjeve për karakterin disident, përndryshe socrealist të veprës së tij.

Përzgjedhja e “Dimrit të vetmisë së madhe” për t’i dhënë përgjigje paradokseve të receptimit të Kadaresë është sa provokuese, aq dhe e guximshme. Në mënyrë sistematike, pas vitit ‘90, kjo vepër ka qenë dhe vazhdon të jetë një argument i fortë për karakterin konformist të veprës së Kadaresë (kulti i diktatorit, pllakati i marksizëm-leninizmit shqiptar etj.). Ndërkaq, studiuesi Dervishi, ndoshta pikërisht për këtë fakt, është orientuar te kjo vepër për të provuar shkencërisht konformizmin / moskonformizmin ose disidencën e tekstit. Sikur do të na thotë që po u rrëzua teza se “Dimri…” është roman konformist, hapet rruga për studimin e një raporti tjetër të teksteve të Kadaresë me ligjërimin diktatorial.