Monumenti arkeologjik i Mureve të Portës i përfshirë mes 11 monumenteve më të rrezikuara në Europë

Monumenti arkeologjik i Mureve të Portës i përfshirë mes 11 monumenteve më të rrezikuara në Europë

Hagë / Bruksel / Luksemburg, 30 janar 2024

Nga Media Amfora.al 


Monumentet dhe sitet e trashëgimisë në Europë të përzgjedhura në listën paraprake të edicionit të këtij viti, të
programit “7 Më të Rrezikuarit” janë shpallur sot nga Europa Nostra, Zëri Europian i Shoqërisë Civile të
Përkushtuar ndaj Trashëgimisë Kulturore dhe Natyrore – dhe Instituti i Bankës Europiane të Investimeve (EIB).
Këto janë 11 monumentet më të rrezikuara në Europë për vitin 2024:
o Monumenti arkeologjik i Mureve të Portës, Durrës, SHQIPËRI
o Rezerva historike dhe kulturore Amberd, ARMENI
o Palais du Midi, Bruksel, BELGJIKË
o Streha e klasës punëtore (courées) në Roubaix-Tourcoing, FRANCË
o Ishujt Cikladikë, veçanërisht Sifnos, Serifos dhe Folegandros, GREQI
o Kisha e Shën Pjetrit në Gessate, Milano, ITALI
o Sinagoga e Sienës, ITALI
o Pallati Steinort, Masuria Veriore, POLONI
o Shtëpia e Ushtrisë Popullore Jugosllave në Shabac, SERBI
o Kisha greke ortodokse e Shën Georgios, Altınözü / Provinca e Hatajit, TURQI
o Porta e Hekurt Antioch, Antakja / Provinca e Hatajit, TURQI
Presidenti ekzekutiv i Europa Nostra, Prof. Dr. Hermann Parzinger, deklaroi: “Monumentet e përzgjedhura të
trashëgimisë janë të kërcënuara nga shembja, zhvillimi i papërshtatshëm, impakti shkatërrues i fatkeqësive
natyrore, neglizhenca dhe mungesa e financimit. Duke publikuar këtë listë, ne dëshirojmë të përcjellim një
mesazh të fortë solidariteti dhe mbështetjeje për aktivistët dhe komunitetet lokale, të cilët janë thellësisht të
përkushtuar për të ruajtur këto monumente. Trashëgimia e Europës duhet të mbrohet jo vetëm si dëshmi e së
shkuarës sonë të përbashkët, por dhe si një katalizator për një të ardhme të qëndrueshme, kohezive dhe të
paqtë.”
Dekania e Institutit të Bankës Europiane të Investimeve, Shiva Dustdar, u shpreh: “Trashëgimia kulturore është
një burim kyç i identitetit europian, atraktivitetit dhe rritjes ekonomike. Kjo listë na kujton se sa delikate është dhe
sa shumë e marrim për të mirëqenë. Së bashku me partneren tonë të vjetër, Europa Nostra, Instituti përforcon
përpjekjet e komuniteteve lokale nëpër Europë, të cilët e dinë se ruajtja e trashëgimisë kulturore do t’i ndihmojë
ata të tejkalojnë sfida të ngutshme. Ne shpresojmë t’i shohim monumentet të restauruara dhe të mbrojtura për
brezat e ardhshëm.”
Monumentet e rrezikuara të sipërpërmendura u përzgjodhën nga një Panel Këshillimor ndërkombëtar, i përbërë
nga ekspertë të historisë, arkeologjisë, arkitekturës, konservimit, analizimit të projekteve dhe financës. Nominimet
për programin e 7 Më të Rrezikuarve 2024 u parashtruan nga organizata anëtare, organizata të asociuara ose
anëtarë individualë të Europa Nostra, si dhe anëtarë të Aleancës Europiane të Trashëgimisë.

Përzgjedhja u krye në bazë të rëndësisë së shquar për trashëgiminë dhe vlerës kulturore të secilit monument, si
dhe rrezikut serioz me të cilin ata përballen sot. Niveli i angazhimit të komuniteteve lokale, përkushtimi i publikut
dhe palëve private të interesuara për të mbrojtur këto monumente u konsideruan si vlera thelbësore të shtuara.
Një tjetër kriter përzgjedhjeje ishte dhe potenciali i këtyre monumenteve për të shërbyer si katalizatorë të një
zhvillimi të qëndrueshëm socio-ekonomik.
Lista përfundimtare e 7 monumenteve më të rrezikuara në Europë për vitin 2024 do të zbulohet në prill.

Monumenti arkeologjik “Muret e Portës”, Durrës, Shqipëri
Qyteti i Durrësit, në brigjet shqiptare të detit Adriatik, mbart rëndësi të antikitetit ilir, grek dhe atij romak. I njohur si
Epidamnos në greqisht dhe Dyrrah përgjatë periudhës romake, Durrësi është i pasur me trashëgimi arkeologjike.
Monumenti arkeologjik “Muret e Portës” ndërthur një mur linear prej 60 metrash me një kullë që daton nga
periudha romake, që të çon te porti antik Porto Romano, i cili ka shërbeyer si një nga udhët më të rëndësishme
tregtare për më shumë se 2000 vjet, duke përfaqësuar një trashëgimi të vlerave europiane e cila shtrihet në të
gjithë kontinentin.
I ngritur mbi rrugën antike Egnatia, monumenti arkeologjik përfshin rrënoja nga periudhat arkaike, romake dhe
bizantine dhe ndihmon në sixhaden e pasur historike të rajonit. Megjithatë vendndodhja është tepër e ekspozuar,
në mes të hapësirës së ngarkim-shkarkimit të portit dhe pranë vinçeve. Ndotja nga aktiviteti i portit është një tjetër
kërcënim së bashku me vështirësinë e aksesimit.
Monumenti arkeologjik “Muret e Portës” ka qenë nën mbrojtjen e autoriteteve shqiptare që nga 1948. Monumenti
është nën pronësinë e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit të Republikës së Shqipërisë.
Pavarësisht statusit të përcaktuar të zonës së mbrojtur, një projekt ndërtimi me qëllim zhvillimin e një porti modern
ka qenë në vijimësi. Që nga viti 2020 janë vëzhguar ndërhyrje dhe shkatërrime të murit romak, duke rritur
shqetësimin mbi mbrojtjen e këtij monumenti me rëndësi historike.
Nga kryqëzimi i të dhënave dhe analizave të kryera nga arkeologu Apollon Baçe dhe të raportuara nga Media
Amfora në dhjetor 2023, rezulton se kompania “Porti MBM” ka shkatërruar 78 metra të murit perëndimor prej 140
metrash me makineri. Tashmë gjendet një kullë dhe muri lindor, afro 62 metra, i cili duhet të mbrohet sepse është
i rrezikuar nga punimet në zhvillim e sipër.


Paneli Këshillimor i programit “7 Më të Rrezikuarit” deklaroi: “Për më se 2000 vjet, Durrësi ka mbajtur një pozicion
strategjik të shtigjeve tregtare mes perëndimit romak dhe lindjes greke, pra qyteti ishte strategjikisht i
rëndësishëm. Gjurmët e këtyre qytetërimeve mbetën të dukshme nëpër qytet dhe, për të mbrojtur këtë pikë
strategjike, romakët nën Perandorët Anastas dhe Justinian ndërtuan një seri muresh dhe fortifikimesh prej të
cilave Muret e Portës kanë rezistuar deri më sot. Statusi aktual i monumentit paraqitet i dëmtuar rëndë, me
gërryerje dhe përkeqësim, si nga ndodhitë natyrore ashtu dhe nga veprimet njerëzore. Banorët e zonës kanë
protestuar gjithashtu kundër zgjerimit të portit të hidrokarbureve që operon qysh prej vitit 2015 dhe që po
kërcënon komunitetin e tyre.”
Nominimi në programin “7 Më të Rrezikuarit 2024” u bë nga një anëtar i Europa Nostra-s me mbështetjen e
Qendrës Amfora. Programi “7 Më të Rrezikuarit” do të ndihmojë në rritjen e ndërgjegjësimit të institucioneve
publike për sa i përket mbrojtjes së monumentit dhe shtimit të numrit të vizitorëve. Për të ruajtur zonën e mbrojtjes
dhe perimetrin e monumentit arkeologjik “Muret së Portës”, synimi është krijimi i një mjedisi gjithëpërfshirës për të
gjithë qytetarët. Kjo përshin krijimin e shtigjeve të ecjes, shenjave informuese, ndriçimit të duhur dhe menaxhimit
të denjë të monumentit.