Imazhe mahnitëse të galaktikave spirale

Imazhe mahnitëse të galaktikave spirale

Një seri imazhesh mahnitëse të marra nga teleskopi hapësinor James Webb përshkruajnë 19 galaktika spirale relativisht afër galaktikës tonë në detaje të jashtëzakonshme , duke ofruar njohuri të reja mbi formimin e yjeve si dhe strukturën dhe evolucionin galaktik.

Imazhet u publikuan nga një ekip shkencëtarësh që merren me studimin e galaktikave afër galaktikës tonë. Më e afërta nga 19 galaktikat quhet NGC5068 , rreth 15 milionë vite dritë nga Toka , dhe më e largëta prej tyre është NGC1365 , rreth 60 milionë vite dritë larg.

Imazhet e reja të teleskopit hapësinor James Webb tregojnë rreth 100,000 grupime yjesh dhe miliona ose ndoshta miliarda yje individualë.

Imazhet i lejojnë shkencëtarët për herë të parë të analizojnë me detaje të larta strukturën e reve të pluhurit dhe gazit nga të cilat formohen yjet dhe planetët.

“Imazhet nuk janë vetëm estetikisht mahnitëse, por gjithashtu tregojnë një histori për ciklin e formimit të yjeve dhe reagimet, domethënë energjinë dhe vrullin e lëshuar nga yjet e rinj në hapësirën ndëryjore,” tha astronomja Janice Lee e Institutit Shkencës të Teleskopit Hapësinor në Baltimore.

Vëzhgimet e James Webb shkojnë përtej atyre të teleskopit hapësinor Hubble .

“Duke përdorur Hubble, ne po shihnim dritën e yjeve nga galaktikat, por një pjesë e dritës po bllokohej nga pluhuri në galaktika. Ky kufizim e bëri të vështirë kuptimin e pjesëve se si funksionon një galaktikë si sistem. Me imazhet infra të kuqe të Webb-it, ne mund të shikojmë përmes këtij pluhuri për të parë yjet pas tij,” tha astronomi Eric Rosolowski nga Universiteti i Albertës./rtsh.al/