Marinela Pashaj: A është gazetaria në udhëkryq?

Marinela Pashaj: A është gazetaria në udhëkryq?

Marinela Pashaj

E vetmja gjë e sigurt është e pasigurta! Sa do të mbijetojë të shkruarit në shtyp? Drejt cilës rrugë po shkon media sot dhe çfarë po bëjnë gazetarët? Këto dhe të tjera pyetje shtrohen në këtë shkrim, i cili shkruhet pas një trajnimi disa ditorë mes gazetarëve të rinj të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Trajnimi disa ditor në Republikën e Maqedonisë së Veriut u ofroi gazetarëve të rinj mundësinë e një vizite në një nga redaksitë  dhe  televizionet vendase.

Gjatë vizitës në redaksinë e “Gazetës Koha” në Republikën e Maqedonisë së Veriut, kryeredaktori i gazetës Vedat Memedaliaj u shreh se “Gazeta Koha” rrezikon që pas pesë ose gjashtë vitesh të mos botohet më në formatin letër.

“Gazeta Koha” është e vetmja gazetë në Republikën e Maqedonisë së Veriut ku shkruhet dhe botohet në gjuhën shqipe. Zhvillimi i teknologjisë ka ndryshuar edhe mënyrën e konsumimit të lajmit duke e bërë gazetën më pak të preferuar si kanal informimi. Kjo sjellje vihet re kryesisht tek grupmoshat e reja, të cilat për t’u informuar përdorin platformat online. Ky revolucion teknologjiko-mediatik ka ndikuar në psikologjinë e masës duke e cilësuar gazetën “të dalë jashtë mode”. Të rinjtë, jo vetëm që nuk preferojnë të lexojnë gazeta, ata nuk preferojnë as të punojnë në shtypin e shkruar duke cuar në mbylljen e gazetave.

Në ditën e fundit të trajnimit të gazetarëve të rinj në Shkup na u dha mundësia që të vizitonim edhe mjediset e Radio Televizionit Maqedonas (MRTV). Duke u endur nëpër korridoret e gjata, të pajeta dhe të errëta të atij institucioni nisa të mendoja sesi ata punonjës frymonin, punonin brenda një godine që nuk rrezatonte aspak pushtetin e katërt. Brenda asaj godine shihje fytyra të lodhura, të zverdhura shoqëruar me një buzëqeshje të sforcuar. Ndoshta kjo buzëqeshje ishte një formë ngushëllese për situatën në të cilën institucioni gjendej. Vihej re mungesa e të rinjëve. Biles gjatë vizitës u dëgjuan disa komente ku u tha se të rinjtë në Shkup nuk preferojnë të vazhdojnë studimet për gazetari. E frikshme të mendosh sesi pushteti i katërt ka filluar të venitet përtej kufijve shqiptarë.

Por pse e kanë braktisur të rinjtë gazetarinë në Shkup? A mendojnë se gazetaria nuk është degë interesante për t’u studiuar? Apo fakti që sot kushdo që vjen nga profile të ndryshme studimi mund të bëhet gazetar? Nëse kushdo mund të bëhet gazetar, a do të kemi gazetari cilësore?

Këto pyetje e pushtuan mendjen time teksa isha duke parë godinën e heshtur informative. Një godinë, të cilën shoqëruesi ynë Deniz e quante një labirint, sigurisht jo aq të pazbërthyeshëm sa ai i Minosit.

Por t’i rikthehemi edhe njëherë gazetarisë cilësore. Ajo që vihet re sot gjatë raportimeve është shkelja e Kodit Etik, kryesisht për çështjet sensitive. Kjo në më të shumtën e rasteve ndodh pasi gazetari që raporton nuk mbulon një profil specifik në institucionin ku punon.  Ka edhe raste kur raportime të tilla bëhen me qëllim për të rritur numrin e shikueshmërisë apo të klikimeve në portalet e ëebit. Shpesh kjo bëhet përmes pamjeve, videove, titujve të publikuara pa asnjë lloj filtri kryesisht në mediat online. Duket se media dhe gazetaria në vetvete kanë rënë në “kurth” duke u shfaqur para audiencës si jonjerëzore. Rastet e fundit të raportimit, ato të dy luftrave, Rusi-Ukrainë dhe Izrael-Palestinë ku publikimet e videove, fotove të fëmijëve të vrarë, varrezave masive klikohen nga miliona shikues të cilët më pas ndahen në “kampe” duke shpërthyer një luftë të tretë botërore në mediat online.

Sigurusht nuk po them që mos të ketë raportim, por një qasje ndryshe e raportimit në kohë lufte. Shpesh audienca është konfuze nga bombardimet me lajme, pamje e video. Ndaj shtrohet pyetja se kush është rrëfyesi i historisë në kohë lufte?

Ndoshta nuk është as gazetari, as gazetari qytetar, as qytetari, por është ai që fiton. Ai që ka shtrirë influencën e tij dhe historia njerëzore gjithmonë e ka treguar se është fituesi ai që rrëfen historinë. Por nëse ndodh kështu, a e kemi njohur të vërtetën, të drejtën? Sa të besueshme janë mediat nëse ato shfaqin njëanshmëri?

Nuk mund të themi aspak që këto janë probleme që i gjen vetëm në Shqipëri apo Maqedoninë e Veriut sepse ato kanë një shtrirje globale. E rëndësishme është që qytetarët, gazetarët dhe të rinjtë që duan të ushtrojnë profesionin e gazetarit përmes trajnimeve ku mundësohen edukime mediatike të cilat rrisin ndjenjën e ndërgjegjësimit, solidarizimit, humanizmit mbi mënyrën e raportimit të një ngjarjeje të mësojnë dhe praktikojnë profesionalizmin.

—-

Programi i shkëmbimit të gazetarëve nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut u zbatua në bashkëpunim me UNESCO-n, Institutin Shqiptar të Medias dhe Institutin Maqedonas të Medias. Programi synonte të fuqizonte të rinjtë që të përfshihen në narrativa konstruktive, të forcojnë dialogun ndërkulturor, përfshirjen, barazinë gjinore dhe të krijojnë mirëkuptim dhe besim të ndërsjellë në rajon.