Është promovuar në bibliotekën publike të qytetit të Lezhës romani më i ri i shkrimtarit Preç Zogaj “Nata”. Fatet e trishta të tri motrave, pre e një realiteti të ashpër maskilist udhëheqin rrjedhën e ngjarjeve, ku natyrshëm letërsia nxit reflektim.
E shqetëson realiteti Preç Zogajn, në një Shqipëri ku ende në rrjedhën e jetës së një individi, zëri moralist i shoqërisë mund të jetë imponues, e për pasojë destruktiv. Ngjarjet e romanit të tij më të fundit “Nata”, që u diskutuan me krijues e lexues ne Lezhe shohin figurën femërore, si prenë e parë të mendësisë maskiliste dhe emancipimit të keqkuptuar.
Fatet e tri motrave, janë të shënuara nga vdekja tragjike, për të cilën autori përmes protagonistëve heton sa në brendi të personazheve aq në shoqërinë kaotike e realitetin e akullt, ndonëse siç thotë ‘vrasja fillon gjithmonë më herët se kur ndodh”. S’mbetet tjetër kur i falesh territ, veç pendesës e pamundësisë për t’u kthyer pas.