Më 19 Prill, 2021 mediat në Shqipëri raportuan për një incident që ndodhi në xhaminë “Dine Hoxha” në kryeqytet, ku një i ri hyri në xhami dhe plagosi me thikë pesë persona, të cilët fatmirësisht ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Sipas dëshmive të familjarëve, autori ka qenë për disa kohë frekuentues i a saj xhamie dhe shkonte e falej atje pasi ishte konvertuar në besimin islam. Po ashtu, është bërë e ditur se autori ka pasur probleme të shëndetit mendor dhe është shtruar disa herë në spitalin psikiatrik dhe merrte mjekime. Në një intervistë, i ati i autorit rrëfen se kohët e fundit i biri kishte shprehur shqetësimin se një grup njerëzish e ndiqnin dhe donin ta vrisinin. Së fundmi, autori kishte kaluar edhe COVID-19 dhe gjatë kësaj periudhe ka qëndruar i vetëizoluar, rrethana këto që mund t’i kenë përkeqësuar gjendjen e shëndetit mendor.
Ngjarja u raportua menjëherë nga media të ndryshme, të cilat shkuan në vendngjarje. Ajo çfarë u vu re nga mbulimi i këtij rasti në media është mungesa e profesionalizmit të medias dhe tendenca për të raportuar ngjarjet nën lentet e “terrorizmit”. Incidenti është cilësuar nga mediat si “sulm terrorist” në një kohë kur rrethanat e ngjarjes kanë qenë të paqarta dhe nuk është raportuar një e dhënë e tillë nga autoritetet përkatëse. Mediat dhe gazetarët janë treguar të nxituar për të dhënë lajmin e fundit, por jo të saktë.
Etiketimet dhe titujt kryesorë që mediat kanë përdorur, specifikisht: “terroristi katolik”, “akuzohet për akt terrorist”, “…therjen e besimtarëve në xhami”, “katoliku është 7 herë më i keq se shkau”, “sulmi mund të jetë nisur nga ekstremizmi fetar”, “…qëlloi besimtarin që lexonte Kur’anin”, “sulmi bëhet në muajin e shënjtë për muslimanët”, “Muslimanët duhet të dënohen”, etj., janë tituj sensacionalë dhe keq-informues për publikun e gjerë, të cilat bëhen shkak për nxitje të urrejtjes fetare, por edhe cënojnë dinjitetin e personit.
Ngjarja në fjalë është e rëndë dhe e dënueshme, por media nuk duhet kurrsesi të bëhet nismëtare e nxitjes së dhunës verbale dhe/ose urrejtjes ndaj grupeve të ndryshme fetare në shoqëri, me raportimet jo profesionale, të papërgjegjshme dhe të pasakta. Në mënyrë të veçantë kur bëhet fjalë për incidente të tilla komplekse, që ndërthurin raportimin e çështjeve të shëndetit mendor dhe çështjet fetare duhet një kujdes i jashtëzakonshëm nga gazetarët për mënyrën sesi e paraqesin situatën.
Në lidhje me rastin në fjalë gazetarët dhe media duhet t’i referohen Kodit të Etikës, si edhe legjislacionit përkatës në mënyrë që të informojnë publikun drejt. Gazetarët duhet të bëjnë gjithmonë të qarta rastet kur informacioni nuk është i konfirmuar, në mënyrë që të mos çorientohet publiku. Mediat gjithashtu duhet të bëjë qartë dallimin midis opinionit dhe raportimit të fakteve. Në rastin konkret duhet thënë se mbulimi i ngjarjes nga mediat ka anuar më tepër nga opinionet sesa nga faktet.
Së fundmi, është detyrim profesional dhe ligjor për median që të “të mos paraqesë materiale që nxisin urrejtje apo dhunë ndaj individëve mbi bazën e racës, fesë, kombësisë, ngjyrës, origjinës etnike, anëtarësisë, gjinisë, orientimit seksual, statusit civil, paaftësisë, sëmundjes apo moshës.”
Shënim: Ky është një incident i pazakontë që ndodh për herë të parë në Shqipëri në vendet e adhurimit, i cili nxjerr në pah se media duhet të jetë dyfish e kujdesshme gjatë raportimit të incidenteve të tilla. Veçanërisht duke marrë parasysh që Shqipëria është e njohur për harmoninë dhe bashkëjetesën fetare, këto supozime për “sulme terroriste” nuk i përkasin realitetit të vendit tonë./institutemedia.org