Një tjetër rast i ndodhur, një tjetër vetëvrasje e një gruaje me fostoksinë, për çfarë? Që pas ngjarjes së Bedrie Lokës, në Sukth të Durrësit, brenda një muaji kemi dëgjuar mjaftueshëm vetëvrasje në të njëjtën mënyrë! A po ndodh kjo realisht për shkak të probleme? Unë mendoj që JO!
Problemet aty kanë qenë, prej vitesh, probleme në çift, tradhëti, vështirësi ekonomike, probleme sociale, mentaliteti dhe shumë arsye të tjera, por përse po ndodhin pikërisht tani kaq shumë vetëvrasje?!
Deri përpara muajit dhjetor, në brendësitë e redaksive ka ekzistuar një “Ligj i pashkruar”, vetëvrasjet nuk i trajtojmë apo “ndjekim” si lajme! Pas ngjarjes së Bedrie Lokës, që ishte rasti i parë i ndjekur në mënyrë harbute, vetëvrasjet po bëhen fenomen dhe pasqyrohen gjithnjë e më shumë në media me panele!
Panele me të ftuar, pro dhe kundra! Burri apo vjehrra?! Dashnori apo dashnorja?! Lekët e burrit apo të gruas?! Fjalët e familjes apo komshiut?! Një sërë pyetjesh injorante të cilat drejtojnë rrjedhën e ngjarjes drejt shikueshmërisë dhe audiencës, por kurrë drejt edukimit dhe diskutimit që “JO, JO, JO… VETËVRASJA NUK ËSHTË ZGJIDHJA!”
Orientoni edukimin drejt arsyes dhe jo gjykimit se përse ndodhi! Jepni shpresë për zgjidhje dhe jo zgjidhje nga vetëvrasja. Pasqyrimi i vrasjeve të grave nga burrat dhe vetëvrasjet e grave, po shtojnë rastet, po i japin fuqi fenomenit, nuk po e parandalojnë dhe as ndalojnë, kjo sepse në media del fler ish-burri, ish-vjehrra, ish-kolegia e punës, ish-ët e viktimave, asnjë “është”!
Ka shumë vajza dhe gra të cilat janë sot e kësaj dite në pozitën e Bedries dhe shumë të tjerave si Bedria. Media po u shërben pjatën e ftohtë të vetëvrasjes, ndërkohë fostoksina vazhdon shitet si paracetamol kudo.
Të mos flasësh jam dakord që nuk është se e ndalon fenomenin, por të trajtosh në media këto fenomene pambarimisht, dmth. të drejtosh turmën, të drejtosh drejt fenomenit dhe jo largosh.
Deklaratat e vjehrrave, burrave, fiseve apo kujtdo, po “justifikojnë” faktorët dhe arsyen, por e normalizojnë dhe bëjnë më të “prekshme” atë që nuk duhet çuar as nëpër mendje.
Kemi shumë punë drejt edukimit si vend! Në media, familje dhe shoqëri! Por tani për tani, shoqëria në shqipëri ka dështuar në çdo aspekt!