Andi Meçaj: LETËR NJË POETESHE TË RE

Andi Meçaj: LETËR NJË POETESHE TË RE

Nga Andi Meçaj

Jo, dalloj talentin te ty, je e sinqertë (numri një i artit të vërtetë), nuk shkruan për gjëra që nuk njeh… je e kthjellët në mendim, e ke konkreten, por duhet ta futësh më shumë atë, nga ajo konkretja kalohet tek e përgjithshmja (mesazhet përgjithësuese, universale)… kjo do shumë punë krijuese… ta vësh veten të mendoj poetikisht thjesht për jetën rreth teje, për ata që kërkojnë kazanët e llozhrave për mbijetesë, lypësit, mbledhësit e kanaçeve, çmimet e rritura në stratosferë, llomotitjet e njerëzve për shtrenjtësinë e jetës, të çmendurit e lagjes, pallatit tënd, apo rrugicës e qytetit ku ti hapon… pra ambjenti, rrethanat ku ti gjallon bëhet frymëzim për artin tënd, sigurisht futur në kalejdoskopin që ti ke… pra filtrat apo këndvështrimin tënd… Shqipëria ka shumë tragjedira të vogla, të përditshme, shumë dhimbje dhe varfëri që bërtet, ulërin rrugëve, por askush nuk e sheh ose nuk do ta shohë, veç artistit, poetit që është mbrojtësi i vuajtjes, dhimbjes, varfërisë, poshtërimit dhe nëpërkëmbjes…

Nëse poeti nuk e merr nën mbrojtje të varfërin cili do ta marrë atë…?!