Studimi i rastit të Klodian Rashës si pasqyrim i etikës së medias shqiptare
Roden Hoxha
Të martën, 8 dhjetor 2020, në Ditën e Rinisë, Klodian Rasha, një 25-vjeçar u vra nga efektivë
të Policisë së Shtetit në lagjen Laprakë të Tiranës. Policia, në një deklaratë për mediat tha se
operativët e saj “rreth orës 01:45, […] gjatë patrullimit në rrugën “Dritan Hoxha”, kanë
konstatuar një shtetas i cili kryente veprime të dyshimta,” përtej orarit të lejuar nga Akti
Normativ në fuqi, por pa përcaktuar se cilat kishin qenë këto veprime.
Në të njëjtën deklaratë, Policia ka deklaruar se “[Klodiani] është larguar me vrap duke i
drejtuar punonjësit të policisë një send të fortë në dukje armë zjarri”. Në një deklaratë
pasardhëse, Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, tha se një armë zjarri që
besohej se i përkiste Rashës, u gjend në një nga rrugicat që ai kaloi ndërsa ndiqej nga policia.
Në mënyrë të vazhdueshme, familja e Klodianit ka mohuar që ai mbante një armë zjarri,
diçka e konfirmuar dhe më pas nga hetimet pasardhëse.
Vrasja e Klodian Rashës gjeneroi jo vetëm një furtunë në Policinë e Shtetit dhe në Ministrinë
e Brendshme, e cila solli dhe dorëheqjen e Ministrit Lleshaj, por dhe protesta të shumta
kundër veprimeve të policisë dhe kërkesave për drejtësi dhe transparencë në hetime të
ngjarjes. Këto protesta, që më pas u përhapën në një numër qytetesh të Shqipërisë, u panë në këndvështrime të ndryshme nga aktorë të ndryshëm të jetës sociale në Shqipëri. Ndërkohë që opozita i duartrokiti dhe i mbështeti, Policia e Shtetit i quajti “ekstremistë të dhunshëm” qytetarët që protestuan para kryeministrisë.
Ky qëndrim pati jehonë pothuajse identike në qëndrimet e të gjithë drejtuesve të
administratës, përfaqësuesve të qeverisë apo dhe drejtuesit e Bashkisë Tiranë, ndërkohë që
paralelisht me denoncimin e protestave si një veprim i ulët politik i opozitës dhe huliganëve,
Qeveria dhe Bashkia Tiranë kaluan në një status emergjent të kontrollimit të dëmit dhe
“shuarjes së gjakrave”, me, fillimisht, akordimin e një pensioni për familjen e viktimës Rasha
dhe më pas me dhënien e rrugës pranë shtëpisë, ku i riu Klodian Rasha humbi jetën në
Tiranë, emrin e këtij të fundit, si një veprim qetësues për gjithë publikun.
Por, e gjithë kjo “drejtësi” e tërthortë ndodhi në një kohë që gjykata ishte ende muaj larg
verdiktit mbi fajësinë e oficerit të policisë, i cili qëlloi mbi Rashën. Një kthesë e tillë e fortë
në qëndrimin e Policisë, Qeverisë, Bashkisë dhe aktorëve të ndryshëm të jetës sociale,
ndërkohë që vetëm ditë më parë e kishin quajtur Rashën si një person i cili kishte kryer
veprime të dyshimta; një person i cili kishte kundërshtuar efektivët e policisë; një person i cili
kishte mundësi të ishte i armatosur; dhe një person i cili kishte drejtuar kundër policisë një
mjet i cili mund të dukej si një pistoletë, u pa si e çuditshme në atë kohë, ndërkohë që nuk
ekzistonte informacion mbi vrasjen e të riut përtej dëshmive të efektivëve në vendngjarje. Në
fakt informacioni ekzistonte, jo vetëm në formën e dëshmive të personave prezent, por të
pamjeve filmike të pastra që tregonin gjithë dinamikën e ngjarjes. Këto pamje i nxorën të
gjithë ata që demonizuan, përulën, kriminalizuan dhe u përpoqën të hidhnin një pjesë të fajit
të ngjarjes mbi Klodianin, gënjeshtarë, përfshirë këtu dhe një pjesë të medias, që në mënyrë
të drejtpërdrejtë apo të tërthortë akomodoi aktorë të ndryshëm në qëndrimin e tyre subjektive
mbi ngjarjen.
Në të gjithë këtë sagë, media luajti një rol tejet të rëndësishëm, shpeshherë duke përçuar
informacionin tek lexuesi/shikuesi dhe duke i lënë këtij të fundit në dorë të përzgjedhë se si ta
interpretojë atë, dhe shpesh herë në formën e editorialeve apologjike që kërkonin te
relativizonin ngjarjet e ditës dhe të angazhonin opinionin publik në atë që në shtetet
perëndimore quhet “whataboutism”, teknikës ose praktikës së përgjigjes së një akuze ose
pyetjeje të vështirë përmes një kundër-akuzë ose duke ngritur një çështje tjetër.
Për ditë me radhë, media kaloi në një furi të pakontrolluar me qindra orë emisione televizive
dhe mbulim në terren, emisione në të cilat u hodhën në tavolinë dhjetëra, e dhjetëra teori të
ndryshme mbi ndodhinë, shumë prej të cilave teorizonin mbi fajin e viktimës dhe shumë prej
të cilave prisnin dhe promovonin qëndrimet e opinionistëve të shumtë mbi “fajin e policit”
apo “veprimet e viktimës”.
Përtej këtyre, në një show të shëmtuar të përdorimit të emrit të viktimës për qëllime
promovuese, media e hodhi emrin e Klodianit apo familjarëve të tij në tavolinë edhe për të
fituar klikime në mediat e tyre online apo mediat sociale, duke hapur sondazhe mbi
personazhin e vitit apo personin më të rëndësishëm. Përdorimi i shëmtuar i një ngjarjeje
tragjike për audience televizive apo online është një praktikë e vërejtur jo vetëm në rastin e
Klodian Rashës, por një dukuri tashmë e përhapur gjerësisht dhe në heshtje e pranuar nga
redaksitë shqiptare. Medias shqiptare i mungon një politikë e fortë editoriale mbi mbrojtjen e
viktimës apo familjarëve të saj, dhe udhëzimet më bazike mbi etikën editoriale për të mos
përdorur imazhin e këtyre të fundit për të rritur prezencën e tyre në treg.
Media, në themelin e një shoqërie demokratike, luan një rol të rëndësishëm në sigurinë dhe
qetësinë publike, duke siguruar informacion të rëndësishëm për natyrën dhe shkallën e krimit
të ndodhur, si dhe në përpjekjet për të parandaluar krimin dhe për të ndihmuar viktimat.
Sidoqoftë, shpeshherë, ky mbulim, në varësi të linjës editoriale apo dhe të përpjekjes për të
tërhequr lexues/shikues përmes sensacionalizmit, ngre shqetësime të ligjshme në lidhje me të drejtat e viktimave të krimit dhe jetën private në pasojat e prekshme të viktimizimit. Në disa
raste, viktimat perceptojnë raportimin agresiv, të pandjeshëm dhe sensacionalist si një
kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj tyre dhe aftësisë së familjarëve të viktimës për t’u ngushëlluar
me dinjitet dhe privatësi.
Edhe pse krimi ka qenë gjithmonë në fokus të vëmendjes së medias, viktimat e krimit sot,
ashtu si personazhet e famshëm, përballen me një ndryshim të përgjithshëm në opinion që ka ndodhur në dekadat e fundit. Njëzet, apo dhjetë vjet më parë, përpara hyrjes në treg të medias online dhe çregullimit të tregut mediatik, apo fitimeve të konsiderueshme nga marketingu online, redaktorët ishin të gatshëm të ushtronin më shumë përmbajtje në lidhje me jetën private të figurave publike apo dhe viktimave. Disa çështje konsideroheshin tepër private dhe disa nuk bëheshin të ditura për publikun, sepse media konsideronte viktimën si një personazh të cilit i duhej ruajtur dinjiteti personal.
Sot, të gjitha detajet e një lajmi janë pjesë e pranuar e ciklit të prodhimit dhe publikimit.
Kultura e sotme mbizotëruese, e pasqyruar në mediat tabloide dhe emisionet gjithnjë e më të
njohura televizive, dikton që gjithçka që ka të bëjë me një lajm mund të jetë pjesë e interesit
publik, për sa kohë që publiku është i interesuar. Gazetarë dhe redaktorë të lajmeve dhe
prodhues të emisioneve televizive kanë më shumë inkurajim sesa në të kaluarën për të
ndërhyrë në privatësinë e individëve.
Video-transmetimet të drejtpërdrejta, apo përdorimi i teknologjive të reja të informacionit
për përçimin e imazheve apo lajmit gjithashtu kanë ndryshuar mënyrën në të cilën media
raporton krimin apo publiku konsumon lajmin. Shpeshherë, video të cilat kohë më parë do të
ishin shqyrtuar nga një grup i tërë editorial për të vendosur mbi transmetueshmërinë e tyre,
sot hidhen në rrjet, transmetohen në edicione informative apo u kushtohen emisione
ekskluzive televizive, pa asnjë konsideratë mbi dinjitetin e viktimës apo familjarëve.
Ndërkohë që mediat në Shqipëri kanë një mungesë të theksuar politikash apo udhëzimesh
editoriale, mediat kryesore ndërkombëtare, por dhe rajonale kanë mirëpërcaktuar politikat
editoriale mbi përdorimin e imazheve të viktimave dhe mbrojtjen e integritetit të këtyre të
fundit. Mbulimi në kohë dhe në detaj i rasteve të viktimave mund të jetë i dobishëm,
veçanërisht kur ndihmon në zgjidhjen e rasteve emergjente apo i jep mundësi autoriteteve
lokale të kenë një kanal të drejtpërdrejtë me publikun për identifikimin e një fajtori të
pandehur. Por, media mund të ketë një ndikim negativ në jetën individuale kur viktimat
përfshihen, shpeshherë pa dashur, në qendër të vëmendjes vetëm për shkak të krimeve të
kryera kundër tyre. Raportimi i pasaktë dhe pandjeshmëria ndaj nevojave të viktimave apo
familjarëve të tyre për privatësi përbëjnë traumën e krimit dhe shpesh ri-viktimizojnnë
viktimën.
Ndikimi i mbulimit mediatik mbi viktimat e krimit dhe të mbijetuarit – pozitive ose negative –
varet në një shkallë të madhe nga ndjeshmëria me të të cilën gazetarët i qasen raportimit të
tyre. Udhëzimet e shkruara të përfshira në politikat e një redaksie, ashtu si udhëzimet që
organizatat e lajmeve kanë miratuar në fusha të tjera të ndjeshme, mund t’u sigurojnë
gazetarëve parimet themelore të mbulimit etik të viktimizimit. Sapo të vendosen, ato mund të
përdoren si një mjet për edukimin fillestar dhe të vazhdueshëm profesional të punonjësve të
medias.
Viktimat e krimit, familjarët, apo të njohurit e tyre shpeshherë vuajnë probleme psikologjike
afatgjata që lënë mbresë në jetën e tyre. Në shumë raste, viktimat e identifikuara përmes
lajmeve, në lidhje me krimin i cili është kryer ndaj tyre i traumatizon ata më tej. Disa ndihen
të poshtëruar nga komuniteti duke ditur se çfarë u ka ndodhur. Të tjerët kanë frikë se
krimineli që i viktimizoi ata, ose bashkëpunëtorët e tij, në një farë mënyre do të përdorin
informacionin e përftuar nga lajmi, për t’i kërcënuar ose dëmtuar ata. Ndërkohë, të tjerët kanë
frikë se publiciteti i ka kthyer ata në një shënjestër të lëvizshme për persona të publikut pa një busull morale.
Si pasojë, pasja e një politike editoriale të fortë dhe të vazhdueshme, e cila evoluon së bashku me zhvillimet teknologjike, me elementë thelbësorë mbi qëndrimin editorial për sa i përket:
emrit dhe adresës së viktimave, fotografive apo filmimeve të këtyre të fundit, qëndrimin mbi publikimin e të dhënave për viktimat e abuzimit seksual, njohuritë mbi legjislacionin në fuqi
për mbrojtjen e të dhënave personale, publikimin e të dhënave të viktimave të mitur,
publikimin e të dhënave të familjarëve të viktimave, apo edhe thjesht një politikë editoriale
mbi publikimin e materialeve konfidenciale, pjesë e fashikujve hetimorë, që mund të
dëmtojnë një hetim apo poshtërojnë një viktimë, është thelbësore për median moderne.
Fatkeqsisht, një nevojë e tillë emergjente, u vë në dukje në mënyrë verbuese nga mbulimi
mediatik i vetëm një ngjarjeje, e cila u kthye në kryefjalën e ditës për javë të tëra, me
televizione kombëtare të cilat i dedikuan orë të tëra talk-show-eve me spekulime të tepruara
mbi fajin e viktimës, media lokale pa asnjë sens kontrolli mbi publikimet e tyre dhe me
politika editoriale të shtrembëruara dhe apologjitike, portale online me publikime të rrema
(fake news) dhe televizione kombëtare të tjera me publikime të pamjeve të vdekjes së
viktimës, muaj të tërë pas ngjarjes; në shkelje të sekretit hetimor; pa asnjë përpjekje më
minimale për ndryshimin dhe redaktimin e pamjeve bruto, dhe pa asnjë konsideratë për
dinjitetin, nderin, privatësinë apo qetësinë e të ndjerit apo familjarëve të tij.
Pavarësisht se institucione si Autoriteti i Mediave Audiovizive kanë në përbërjen e tyre një
organikë e cila shqyrton sjelljet jo etike të medias vizive, shpeshherë, ndodhitë më të
rëndësishme dhe më të bujshme që përbëjnë lajm, dhe me të cilat abuzohet më shumë, bien
përtej vëmendjes së kësaj administrate, sidomos kur bëhet fjalë për media kombëtare me
influencë të konsiderueshme në treg, gjë që tregohet dhe nga mungesa e vendimeve
rregulluese të kësaj natyre për më shumë se katër vitet e fundit. Përtej kësaj, ky institucion,
për vetë efekt të ligjit, e ka të pamundur të rregullojë sjelljen në treg të mediave online, tregu
dhe më i parregulluar dhe më brutal në përçimin e lajmit të paredaktuar. E vetmja zgjidhje?
Vetërregullimi me politika strikte editoriale. Shumë do ta quanin vetëcensurë për shkak se
kanë si parim që “çdo lajm duhet përçuar se s’bën tek publiku”, por këtij qëndrimi mund ti
bëhet një pyetje e thjeshtë duke parë rastin e Klodian Rashës. Çfarë fitoi më shumë media apo çfarë informacioni të mëtejshëm përftoi publiku nga video gati dyminutëshe që e tregon duke dhënë shpirt në një rrugicë në vetmi, kur kjo video publikohet më shumë se 6 muaj pas
vdekjes së tij?
Ku është dinjiteti? Ku është morali? Ku është etika? Dhe kryesorja, ku është lajmi, kur i njëjti
televizion i cili nxori foto still nga e njëjta video në mars të këtij viti, duke trumbetuar
ekskluzivitetin e tyre dhe duke dhënë dinamikën e ngjarjes, publikon videon vetëm pas
përfundimit të zgjedhjeve për kuvend, pothuajse tre muaj pas publikimit të fotove dhe 6 muaj
pas vdekjes së Klodianit!/institutemedia.org