Është folur shumë vitet e fundit për një muze dedikuar Musine Kokalarit dhe duket se shumë shpejt ai do të jetë gati. Është Arjeta Kokalari, drejtuese e muzeut “Kokalari” që e ndan këtë lajm për RTSH, por pa dhënë shumë detaje. Pavarësisht kësaj është një haber i mirë siç do të shprehej Musineja për të gjithë ata që janë të interesuar të dinë më shumë rreth vajzës gjirokastrite që rreth 40 vite të jetës i kaloi mes burgjeve dhe internimit komunist, për tu ndarë nga jeta e vetmuar.
“Muzeu Kokalari eshte tashmë në një bashkëpunim me organizatën Trashëgimia Kulturore pa Kufij, për realizimin e një qendre që është shumë funksionale kushtuar Musine Kokalarit”, tha drejtuesja e muzeut “Kokalari”, Arjeta Kokalari.
Ndërsa e konsideron Musinenë si një diamant shumëfaqësh Arjeta shprehet se duhen organizuar më shumë aktivitete për të njohur personalitetin, jetën, veprën, veprimtarinë e gjithçka na ka lënë trashëgimi. Si një figurë shumëdimensionale, Musineja duhet të zërë vend në tekstet shkollore thotë ajo.
“Të bëjmë një bashkërendim të punës dhe gjithë organizmave për ta realizuar njohjen sa më të thellë të personalitetit të saj”, tha Arjeta Kokalari.
Musineja u lind në Adana të Turqisë në 1917 dhe në 1920 u kthye në Gjirokastër ku kreu shkollën fillore. Pas nëntë viteve familjarisht u vendos në Tiranë ku në 1937 përfundoi Institutin femëror “Nana Mbretëreshë” ndërsa më vonë ajo ndoqi studimet në Universitetin e Romës në Itali të cilin e përfundoi shkëlqyeshëm në vitin 1941.Në vitin 1943 ajo së bashku me Mit’hat Aranitin dhe miq të tjerë themeloi Partinë Social – Demokrate. Në korrik të 46 Musineja u dënua me 20 vjet burgim nga gjykata ushtarake e Tiranës si sabotatore dhe armike e popullit. Pas 1964 kaloi 19 vitet e tjera të jetës e internuar në Rrëshen ku dhe ndërroi jetë në 13 gusht 1983.Dhjetë vite më vonë ajo u shpall “Martir i Demokracisë” nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë./RTSH