Nga Andi Meçaj
Një grup deputetësh të PD-së dashka të ndalojë me ligj filmat e periudhës së diktaturës, si pjesë e propagandës komuniste.
Kanë 32 vite që vjedhin e batërdisin, dhe tani na doli që fajin e paska Coli, Tomka, xha Sulua dhe teto Ollga.
Nuk zhduket dot me gomë kujtesa e shpirti i një populli, këta janë neofashistët… e së tashmes që në emër të komunizmit t’i fshijmë të gjitha: Filmat, librat, pikturat, skulpturat, këngët, kompozimet simfonike, kolonat zanore të filmave, dramat, komeditë, skeçet, paroditë, baletin, sportin, vallet, veshjet, baballarët, gjyshërit, hallat, tezet, xhaxhallarët, dajallarët, kushërinjtë, vëllezërit e motrat, shokët, miqtë, etj.
Shkurt e shqip ata duan të zhdukin popullin shqiptar me një të rënë të lapsit, por shpirti i një populli, është brenda arkivave të shtetit, dhe arkivat nuk i prek as pushtuesi e jo më ca spurdhjakë që nuk i llogarit njeri.
Arkivat e filmit shqiptar nga: “Vitet 1945-1990, janë pasuri e shqiptarëve të të gjitha brezave që kanë kaluar, të atyre që frymojnë tani, por edhe të atyre që do jetojnë në të ardhmen në Shqipëri, si dhe pasuri botërore që ruhet të mos zhduket kjo pasuri arkivore e kujtesës së një populli nga më të vegjlit në botë, por edhe nga më të veçantët, me tipare e zakone të lashta shumë…
Filmat e monizmit ishin një kronikë e asaj kohe, ku nuk mungonte qenia e partisë dhe shokut Enver, në çdo aspekt të asaj jete, pra realiteti bëhej edhe realitet artistik në film, e nuk kishte si i bëhej ndryshe.
Nëse atij realiteti i shtohej edhe ai artistik, ky realitet mbishtohej, merrte ngjyrime të një realiteti të shtuar neorealist. Pra kemi një film të tejmbushur e tejngopur nga Partia (e vetme), dhe mësimet e komandant Enverit, si dhe çdo instrument tjetër represioni si sigurimi, komitetet e partisë, komisarët, këshillat, mbledhjet e partisë etj. Por shmangie nga ky realitet i shtuar në film, nuk mund të kishte, pasi, kështu filmi nuk do të dilte në dritë.
Megjithatë, këta filma pasqyrojnë kohën në të cilën u ngjizën, dhe nuk mund të fajësohen, as të gjykohen, apo më keq, të dënohen me ndalim e burgim të përjetshëm, arkivave tona. Pasi diç dihet nga të gjithë, kinemaja, filmi, janë mjeti më i fuqishëm propagandistik i çdo rregjimi, qoftë ai totalitar apo demokratik. Atëherë, këtë pasqyrë të kohës 50 vjeçare, apo më mirë, këtë makinë kujtese të vendit e njerëzve tanë shqiptarë, mos duhet që ta fshijmë, apo ta ndryjmë burgjeve arshivore, apo ta pajisim me ndonjë leje të posaçme liridalje, duke e parë me syrin e sotshëm demokratik? Apo na duhet të veshim ca syze të kohës komuniste dhe t’i shohim në mënyrë mësimore apo njohëse për brezin e ri, që nuk i ka jetuar ato kohëra? Dhe ajo kohë 50 vjeçare, njihet e përjetohet shumë më mirë, nga vetë “bijtë e saj”, filmat e saj, të cilat na rishfaqin atë jetë dhe mendimet, emocionet dhe komunikimin, apo ndërveprimin njerëzor/shoqëror, atmosferën dhe problematikat të asaj kohe, të shqiptarëve.
Atëherë ç’të bëjmë?, t’i ndalojmë filmat tanë të 50 viteve të komunizmit?!
Kur dihet se, shteti shqiptar ka moshë/jetë: “112 vjeçare”, pra me një të rënë të lapsit e gomës fshijmë 50 vjet nga jeta jonë, 100 e kusur vjeçare!
Dhe në këta filma kemi brezin e artë të aktorëve, regjizorëve, skenaristëve, kameramanëve, skenografëve, fotografëve, dhe çdo lloj tekniku tjetër të filmit.
Dhe këta t’i dënojmë me vdekje?!
Mendoj se, këta filma duhet të shihen si çdo film tjetër apo vepër arti, e cila, çdokujt mund t’i pëlqejë apo jo, pra shija e gjithsecilit le të jetë censori i vetëm i këtyre filmave.
Le të mbizotërojë shprehja: “Mua ky film nuk më pëlqeu për filan arsye ose ky film më pëlqeu për filan arsye”.
Pastaj të mohosh gjithë filmat e asaj kohe, librat, pikturat, teatrin, operën, baletin, skulpturën, orkestrat, etj, nuk do të ngelet më gjë nga ajo kohë, sepse do t’i kemi fshirë të gjitha gjërat shpirtërore të asaj kohe.
Atëhere, kur të kemi fshirë anën shpirtërore të asaj kohe, do iu vijë rradha njerëzve të asaj kohe, që kanë qenë baballarët tanë, gjyshërit, nënat, xhaxhallarët, dajot, hallat, tezet, vëllezërit, motrat e kushërinjtë tanë, edhe këta o burra t’i fshijmë.
Do të ngelemi pastaj, vetëm pa histori, art e kulturë, e më e rënda, pa mëmë e babë, pra jetim, një jetim, i cili nuk di se nga vjen e ku po shkon, dhe nuk i njeh prindërit e vet, por tani, sipas atyre që duan ndalimin e filmave të komunizmit, do të ndihet njeriu i ri i demokracisë. (i Niçes apo i komunizmit këtë po iu a lë juve në dorë)
Le të lindë pra: “NJERIU I RI I DEMOKRACISË”.
Historia përsëritet, kur përdor të njëjtat metoda totalitare, të cilat janë dy: fashiste apo komuniste.
Për mendimin tim, kjo e para, shkon me shumë tek ne, “Neofashizmi”, që çuditërisht vjen me idera të tilla si: “Ndalimi i filmave të komunizmit”.
Si përfundim ose si ëmbëlsirë në fund, më vjen për të qeshur e për të qarë, se çuditërisht, të tilla idera çmendurake, burojnë nga bijë të lindur nga babë e nënë komunistësh.