Gjithçka sot është e paketuar dhe burgosur bukur: burimi në shishe, peshqit në kuti konservash, kafshët në kafaze kopshtesh zoologjike, fëmijët kyçur nëpër realitete virtuale, njerzillëkun ngujuar në kangjellat e egoizmit tonë veshur kostum e peliçe, etj.
Fëmijëria jonë ishte fëmijëri, një fëmijëri mbushur të vrara, shokë e shoqe prej mishi, të qeshura, shakara, ngacmime, zënka, lojra, eh sa lojra kemi bërë ku vetë natyra lozte bashkë me ne. Ajër i pastër, lule, pemë, asfalt, fusha me bar, lulishte dhe zemra të pastra e shpirtra të brishtë mbushur pafajësi fëmijnore, kjo ishte fëmijëria jonë, një fëmijëri rruge, jo rrugaçe, por e përqafuar me natyrën dhe shokët e pallatit, rrugicës, lagjes dhe shkollës.
Për fat të keq, kjo fëmijëria e sotme, e fëmijëve të kompjuterave, plej stejshonsave dhe ajfonëve është një fëmijëri e realitetit virtual (ose unë do ta quaja: “fëmijëria e vetmisë së madhe”), pasi nuk kanë shok e shoqe prej mishi por prej ajri/eteri dhe komunikimin e kanë zero dhe humanizmin do e kenë nën zero).