Nxënës të talentuar të shkollës, në bashkëpunim me trupën pedagogjike të ‘Jordan Misja’, rikthejnë ‘Dasma e Figaros’, nën udhëheqjen artistike të Etleva Kolnikaj Kellici.
14 –shkurti festohet ndryshe në ambientet e liceut artistik ‘Jordan Misja’, Tiranë. Që në orët e para të mëngjesit, pedagogë, nxënës, drejtues, nisin provat vrullshëm në Sallën e koncerteve ‘Tonin Harapi’. Të angazhuar maksimalisht për të sjellë më të mirën, me një seriozitet prej profesionistësh, nxënësit- maturantë, por edhe ato të vitit të dytë dhe të parë, janë të përfshirë shpirtërisht dhe emocionalisht për të prezantuar denjësisht një nga kryeveprat e literaturës operistike botërore ‘Dasma e Figaros’.
‘Dasma e Figaros’ e kompozuar në vitin 1786, nga gjeniali klasik, W.A.Mozart ((1756-1791) është një opera buffa e llojit, por brenda saj mbart dhe anën dramatike, dashurine, tradhëtinë, intrigat, duke qenë kështu një vepër komplekse në libret, por dhe në anën muzikore.
- Pikërisht për hir të libretit vënia në skenë e operas kaloi disa peripeci.
- Libretisti Italian Lorenzo Da Ponte u bazua në komedinë e Pierre-Augustin Caron De Beoumarchais, (Bomarshe, një emër shumë i njohur për kohën) për subjektin. Por, kjo komedi, u ndalua si fillim në Francë, pastaj edhe në Vjenë dhe ‘thashethemet’ mbi të që atakonte kastën e fisnikëvë qenë të shumta. Gjithsesi, pas shumë rishikimesh dhe faktit që, pjesë e saj, ishin personalitetete të medhenj të artit dhe pas shumë ripunimesh, u vendos të vihet në skenë. Ndoshta ky fakt, e bëri akoma edhe më të dashur për publikun i cili, ishte i ‘etur’ për t’a parë e riparë. Një komedi, që bazohet në shtresat e larta të shoqërisë dhe shtresat e ulëta dhe fakti, që në vepër, Konti me sjellje hedoniste, nxjerr një anë jo të mirë të parisë, bëri që kjo vepër të vihej disa herë në diskutim. Sepse në fakt, nga ana morale triumfon Figaro me Suzanen, janë këto dy personazhe, edhe pse thjesht shërbëtor, që tregojnë që kanë gjak me të fisëm, se vetë të fismit që mbajnë titujt. Ky subjekt kaq i përfolur dhe muzika shpërthyese dhe brilante e Mozart bënë që sallat të mbusheshin plot e përplot, sa disa herë ndërhyri dhe policia, por kulmin më të madh dhe mikpritjen më të madhe Mozart me këtë opera e pati në Pragë. Që prej asaj kohe kjo opera, hyri në repertorin operistik, si një nga më të preferuarat dhe kërkuarat në të gjithë botën.
- Është kënaqësi që një pjesë e kësaj kryevepre botërore, me inisiativën dhe udhëheqjen artistike të Etleva Kolnikaj Kellici, pianiste dhe Drejtuese e liceut, u realizua me sukses, nën regjinë e Klaudia Hila. Ndërkohë, që disa numra u ekzekutuan me orkestër nën baketën e dirigjenint Andi Kongo, aktualisht lektor ne U.A, e cila në përbërje të saj kish 36 instrumentistë me nxënës dhe pedagog të shkollës; ku ishin aq të përfshirë nga tingujt e Mozart, sa kish edhe nga ato nxënës që këndonin pjesët së bashku me solistet. Numrat e tjerë të veprës u shoqëruan në piano nga Aldi Arrëza, pianist-kompozitor, me funksion koncert-maestro në këtë projekt. Dhe, një ndër pjesët më të bukura të shfaqes, solistët, që ishin nxënësit. Pse, sepse komportimi i tyre në skenë me një vetbesim dhe seriozitet e ndjeshmëri, sikur ishin profesionistë të vërtet ( e jo nxënës bangash shkolle), të linte mbresa. Noel Prifti, Sindi Prrenjasi, Kiara Curri, Afrosina Hasanaj, Paolina Pajollari, Adelajda Lila, Selma Qejvani, Eva Gjoka, Ana Zaneli, Mario Zaja, Anteo Selmani, Alesia Hajredini, Isea Cili, Klevia Bojni e realizuan me sukses përballjen me skenën dhe publikun. Natyrisht që një peshë të madhe e të padiskutueshme për këtë u takon pedagogëve udhëheqës të kantos, emra të njohur të vokalit në vendin tonë si: Alma Strazimiri, Ardian Trebicka, Ema Kanci, duke vazhduar me Irida Bega dhe dy pedagogët më të rinj Evis Mula e Gerti Zajmi, të cilët i mbështesin bindshëm talentet e reja me një përkushtim për t’u admiruar.
- Një kryevepër e përmasave botërorë, të ngjall dhe ‘frikë’ dhe përgjegjësi dhe ‘dyshim’ kur e merr në dorë, por nxënësit ia dolën më së miri. Një Figaro, i kuruar vokalisht me një intonacion perfekt nga Noel Prifti, maturant i shkëlqyer, i cili premton një të ardhme të madhe në skenat shiptare, por edhe më tej. Këto aktivitete janë të rëndësishme përpos tjerash, edhe për faktin se të rikthejnë në mend personalitetet më në zë që kanë bërë historikun e këtij liceu, si : Tefta Tashko Koco, Jorgjie Truja, Marie Kraja, Mihal Ciko,etj,etj, sepse është me shumë rëndësi që kjo traditë të vazhdoj të ruhet me fanatizëm dhe seriozitet.
Duket se një nga prioritetet e drejtoreshës Kolnikaj është që nxënësit të përballen dhe të krijojnë sa më shumë eksperienca me skenën dhe publikun, dhe së dyti, bashkëpunimi pedagog-nxënës, të dyja praktika bashkëkohore të rëndësishme dhë në vendet perëndimore, të cilat kontribuojnë drejtperdrejt në formimin artistik të nxënesve. Shfaqja pritet të jepet dhe në qytete të tjera në vend dhe urojmë të pasohet nga aktivitete të tjera të llojit.