Aldo Mustafa: Berisha duhet të thyente masën për të bërë revolucion sot! Monarkia e “Rithemelimit” dështoi!

Aldo Mustafa: Berisha duhet të thyente masën për të bërë revolucion sot! Monarkia e “Rithemelimit” dështoi!

Nëse sot do të protestohej për demokratët, demokracinë dhe opozitën, Berisha duhet të thyente masën e arrestit që i është vendosur!

Nuk ka rëndësi mekanizmi sesi “del” nga aty, ky akt do të përbënte revolucionin e vërtetë të një partie dhe njerëzve të saj, që luftojnë për ideale dhe për çlirimin nga “komunizmi”, nëse jemi në një të tillë siç pretendon Berisha.

Personalisht nëse do të isha në kushtet e Berishës, nuk do të humbisja asnjë gjë nëse e thyeja këtë masë, madje përkundrazi, do të rifitohej dinjiteti i humbur nga ajo masa e “padrejtë” dhe do të rikthehej pozicioni i një drejtuesi historik të demokracisë.

Por jo!

Berisha nuk del, sepse po e pranon masën “e padrejtë” ndaj tij. Berisha nuk del, sepse opozita nuk po proteston për demokraci, por si gjithnjë për rolin dhe interesin e një personi apo një tjetri. Berisha nuk del, sepse ka frikë dhe frika nuk është tipar i një lideri i cili ka luftuar për demokraci. Frika është tipari i individëve inferior, të cilët përdorin të tjerë njerëz, për të arritur atë që nuk arrijnë dot vet.

Demokratët kanë protestuar aq shumë, sa nuk do të kenë më fuqi për një 9 vjeçar tjerët të ngrenë kokë dhe protestojnë për një parti që nuk mund të vij në pushtet!

Duam apo nuk duam ne, këtë e them unë si një demokrat auto-kritik, duke njohur parimet e demokracisë së vërtetë dhe liderave. Askush sot nuk është një lider në këtë protestë të lodhur bulevardi. Një protestë demode, konstruktivisht të shpërdorur dhe pa asnjë shpresë.

Monarkia e Rithemelimit nuk mund të eci gjatë me të njëjtët njerëz dhe taktika të cilat e çuan në dështim.

Revolucioni u zhbë!