Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave njoftoi se Laboratori Qendror i Restaurimit ka restauruar një kuran 100-vjeçar.
“Në një “sallë operimi”, siç edhe është pagëzuar Laboratori Qendror i Restaurimit, i vetmi në rang vendi, ky Kuran shekullor i është nënshtruar një procesi të mirëfilltë trajtimi, të krahasueshëm me kirurgjinë”, shkruan DPA në faqen e saj online.
Restaurimi i librave të shenjtë meriton një përkujdesje të posaçme. Dorashka, maska dhe pajime metalike, janë takëmet bazë të laboratorit, ku botimi i sjellë nga zotëruesi ka kaluar në një seri etapash, sikurse janë: dezinfektimi, pastrimi me gomat pluhur, larja në vaska, deacafikimi në vaska, pastrimi nga mbishtresat, riintegrimi i pjesëve të humbura me letër japoneze, restaurimi i kapakut, qepja e fletëve dhe lidhja e fletëve me kapakun. Ky proces pune është finalizuar me dorëzimin e Kuranit të rijetësuar tek zotëruesi.
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave fton cilindo që zotëron një dokument të rëndësishëm që po bjerret dita-ditës, për ta çuar tek restauruesit të cilët do ta risjellin në jetë.
Prej tetorit të vitit 2020, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) ka prezantuar risinë që bën të mundur për çdo individ, person fizik, juridik, privat ose publik, të përftojë shërbimin e restaurimit të dokumenteve të tij vetjake. Kërkesa për restaurim depozitohet në adresën zyrtare restaurim.arkiva.gov.al.