Ervina Garo: Zot na ruaj nga rrjetet sociale!

Ervina Garo: Zot na ruaj nga rrjetet sociale!

Gazetare Ervina Garo

I druhem rrjeteve sociale!
Sa vijnë dhe shtohen si kërpudhat pas shiut, duke gërryer pak nga pak privatësinë tonë e duke na tjetërsuar shikimin. Jo për të qenë më katolike se Papa, pasi nuk bëj përjashtim nga turma, por e ndërgjegjshme, që përdorimi i çdo rrjeti social e ka një çmim, të cilin dashur pa dashur, ja vendosim po ne.
Njohje, tradhti, mashtrime, dashuri, urrejtje, sharje, mallkime, lajka, oferta, kërkesa.
I gjen të gjitha nga çdo fushë.
Takon virtualisht të njohur e të panjohur,
Një helmim i vetvetes, që na shijon shumë më shumë se torta e ditës së lindjes.
Nuk ka dyshim që joshja për të publikuar foto e video, ku jemi protagonistë e të lumtur triumfon dhe hedh poshtë çdo përpjekje për të ruajtur privatësinë, pasi kahera ne lumturinë e peshojmë me atë të fqinjit, që nuk duhet t’i qeshi buza, që ne (paradoksalisht), të na gufojë zemra.
Në do ta fshehësh diçka, vëre në vitrinë!
Rrjetet sociale janë vitrinat perfekte, ku fshehim paperfeksionin tonë, ku fshehim palumturinë, ku strukemi për të fshehur të vërtetën.
Dhe, nëse kjo nuk na ngop, vjedhim!
Vjedhim identitete, vjedhim jetën e tjetrit, për të mashtruar veten se jemi të lumtur.
Sa burrë e gra, që tradhëtojnë i gjen me emra të tjerë të sajuar ose tjetërsuar për të shijuar atë që as nuk dinë ta emërtojnë.
Se, nëse do të ishte dashuri, në djall rrjetet sociale!
Do të kishin braktisur gjithçka për njëri-tjetrin.
Çuditërisht kjo nuk ndodh!
Rrjetet sociale janë ushqimi, që i jep shije, jo thjesht tradhtisë, por zbavitjes dhe talljes për familjarët, që as nuk dinë e as nuk hamendësojnë se kë kanë pranë.
E pashpjegueshme pse na përmbush e keqja, gënjeshtra, mashtrimi!
Të kesh frikë të jesh vetvetja dhe ta gjesh shpëtimin te rrjetet sociale!
I ngjan një operacioni pa bisturi, që të shndërron në çdo personazh, real apo imagjinar, përveç vetes.
Për ironi të fatit, këta që nuk duan veten, vdesin për njëri-tjetrin!
Kam njohur shumë të tillë që më kanë sjellë ndër mend shndërrimin e Gregori Zamzës në një kandërr, që nuk i duhej më askujt. Ndoshta, analogjia nuk është e plotë, por metamorfoza e pësuar e barazvlefshme me ç’ka ndodh, duke transformuar veten dhe duke krijuar një hendek të thellë midis botës virtuale dhe realitetit.
Bota virtuale vezulluese, marramendëse, joshëse, ku adhuron dhe adhurohesh.
Realiteti kontrastues, pa ngjyra, herë-herë i frikshëm, duke mos motivuar e frymëzuar.
E vërteta është se në çdo këndvështrim kriza e modeleve është një këmbanë e fortë alarmi për shoqërinë tonë të brishtë të ngërthyer në udhëkryq prej mot moti.
Në familje, në çerdhe, në kopshte, në shkolla, në shoqëri takon përherë e më shpesh kopje të shëmtuara, të paafta për të krijuar një identitet.
Eshtë kjo thembra e Akilit, pika e dobët e një shoqërie të izoluar, që nocionin e lirisë e ka të lidhur me çoroditjen dhe jo me ritmin e frymëmarrjes, që të dhuron kjo ndjesi.
Ngjarje të denja për skenare filmash horror, ku (vetë) vrasja shihet si e vetmja zgjidhje kanë më shumë se një pikë referimi, por ku pesha, që mbajnë rrjetet sociale është mbizotëruese.
Kush nuk do të dëshironte të jetonte çdo ditë sikur të ishte e fundit?!!!
Pa përgjegjësi, pa kufij!
Një jetë, e cila (fatkeqësisht), në çdo rast do të ishte e paplotë nëse nuk do të publikohej në rrjetet sociale.
Asgjë për t’u befasuar!
Nëna qē nxiton të të mësojë fotoshopin, përpara se të të tregojë një histori mbresëlënëse nga fēmijëria; babai që dhuratën e zgjedhur për fëmijën 10-vjeçar ka telefonin më të fundit; nëna që nuk turpërohet të të zbulojë mesazhet me adhuruesin, duke u kujdesur të të këshilllojë mos t’ja tregosh babait janë realiteti, që ndajmë çdo ditë.
Ndjesia, që të dhuron natyra apo leximi kanë mbetur pas nē kohë, duke u identifikuar si demode.
Askush nuk është aq i pasur sa të blejë të kaluarën e tij, ndaj ne si shoqëri po mbledhim sot frytet e asaj që kemi mbjellë ndër dekada.
Rrjetet sociale sado problematike kanë nxjerrë lakuriq të vërtetën.
Frustrimi është aq i fortë sa është shndërruar në një vorbull, duke mos kursyer jetët njerëzore.
Në kërkim të lumturisë në rrjetet sociale, kemi humbur vetveten në jetën e vërtetë.
Ky është mallkimi më i fortë për çdo shoqëri, që i ka humbur busulla e që nuk dihet edhe për sa kohë do të qëndrojë në udhëkryq.
Zot na ruaj nga rrjetet sociale!