Vdekja e personit më të vjetër në botë në moshën 118-vjeçare ka rindezur një debat që ka ndarë shkencëtarët për shekuj, a ka një kufi sa kohë mund të jetojë një njeri i shëndetshëm?
Në shekullin e 18-të, natyralisti francez Georges-Louis Leclerc, teorizoi se një person që nuk kishte pësuar një aksident ose sëmundje mund të jetonte për një maksimum prej 100 vjetësh.
Që atëherë, përparimet mjekësore dhe përmirësimi i kushteve të jetesës e kanë shtyrë kufirin me disa dekada. Një moment historik u arrit kur francezja Jeanne Calment festoi ditëlindjen e saj të 120-të në 1995. Calment vdiq dy vjet më vonë në moshën 122-vjeçare. Ajo mbetet personi më i vjetër që ka jetuar ndonjëherë kjo të paktën është verifikuar.
Sipas Kombeve të Bashkuara, në vitin 2021 kishte rreth 593,000 njerëz të moshës 100 vjeç e lart, nga 353,000 një dekadë më parë. Numri i njëqindvjeçarëve pritet të dyfishohet gjatë dekadës së ardhshme, sipas agjencisë së të dhënave Statista.
Shkencëtarët nuk janë dakord, por disa pohojnë se jetëgjatësia e njerëzve është e kufizuar nga ana biologjike. Në vitin 2016, gjenetistët që shkruanin në revistën Nature thanë se nuk kishte pasur përmirësim në jetëgjatësinë njerëzore që nga fundi i viteve 1990.
Duke analizuar të dhënat demografike globale, ata zbuluan se jetëgjatësia maksimale e njeriut kishte rënë që nga vdekja e Calment edhe pse kishte më shumë të moshuar në botë.
Hulumtimet në vitin 2018 zbuluan se ndërsa shkalla e vdekjes rritet me moshën, ajo ngadalësohet pas 85 vjetësh. Rreth moshës 107 vjeçare, shkalla e vdekjeve arrin kulmin në 50-60 për qind çdo vit, thuhet në studim.