Nga Rei Fifo
Në vrullin e Tiranës, ku afërmendsh objektet e ndërtimit tejkalojnë numrin e pemësisë, gjetja e bukurisë mund të duket si një maratonë thuajse e humbur që në nisje. E megjithatë, në mesin e kaosit të zhvillimit urban, ekziston një tapiseri e fshehur e jetës që pret të zbulohet. Si një fotograf dhe entuziast i jetës urbane, unë kam nisur një udhëtim personal për të zbuluar bukurinë e fshehur në momentet e përditshme, si një dëshmitar i një tashmërie të pranishme.

Tirana, me horizontin e saj të ndryshueshëm dhe zhurmën rraskapitëse të ndërtimeve, sfidon konceptet e mia konvencionale të bukurisë. Prapëseprapë, nën lëkurë ekziston një qytet i mbushur me histori, vende dhe jo-vende, ngjyra dhe tekstura që presin të kapen përmes syrit dhe lentes sime. Nga arti i gjallë i rrugës që zbukuron muret e shkatërruara deri te gjullurdia e fëmijëve që luajnë në rrugët e ngushta, Tirana ofron një kaleidoskop frymëzimi për ata që janë të gatshëm të shohin përtej.





Edhe pse peizazhi urban është dominuar nga betoni dhe çeliku, unë kam mësuar të shoh bukurinë në vendet më të papritura. Një shkëmbim ngjyrash në një det gri, valët e dritës që filtrohen në perëndim nëpër kullat e larta, apo qëndresa e natyrës që rikthen hapësirën e saj përtej zgjerimit urban – kjo është e këtushmja që më frymëzon.

Si një entuziast i të udhëtuarit i vetëm, kam pasur privilegjin të përjetoj diversitetin e kulturave, peizazheve, dhe njerëzve që bota jonë ofron. Çdo udhëtim është një mundësi për të dëshmuar të vërtetat universale që na lidhin të gjithëve, pavarësisht ndryshimeve tona; është një mundësi për të përfshirë veten në thelbin e njerëzimit. Ashtu sic thotë edhe Hampâté Bâ: ‘Sa herë që vdes një plak, një bibliotekë digjet.’

Ngrohtësia e buzëqeshjes së një të panjohuri apo aroma e kafesë përvëluese në një kafene lokale – këto janë momentet që më kanë lejuar të përsiat botën me sy të freskët. Më kanë mësuar rëndësinë e të qenit i tanishëm, të ngadalësoj dhe të shijoj çdo moment aty, teksa lind, zhvillohet dhe venitet para syve të mi. Ngaherë i afrohem çdo përvoje me një zemër të hapur dhe një mendje kurioze, gati për t’u frymëzuar nga bota që më rrethon.

Në esencë, për mua, arti i vëzhgimit nuk është të fotografuarit në vetvete, nuk është as godina që pengon diellin e mëngjesit të ngrohë dhomën e gjumit – është kultivimi i një mendësie të kuriozitetit, mahnitjes, dhe vlerësimit të bukurisë në cdo dimension. Bukuria është kudo – ne thjesht duhet të hapim sytë dhe të vëzhgojmë.

