Dr. Bledar Kurti
Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, në mbarë botën kujtohen shembujt e grave të guximshme të cilat shkruan historinë. Ndër to edhe artistja meksikane Frida Kahlo (1907-1954) e cila është shndërruar në simbolin e shpirtit të fuqishëm femëror.
Frida ishte heroina e dhimbjes, e cila pati një jetë plot sëmundje, operacionesh kirurgjikale, vështirësish dhe pengesash derisa trupi dhe shpirti i saj të shuhej në moshën 47 vjeçare.
Që në fëmijëri ajo u sëmur nga poliomieliti duke e lënë atë me këmbën e djathtë të deformuar. Në moshën tetëmbëdhjetë vjeçare ajo pësoi një aksident me tramvaj teksa kthehej nga shkolla për në shtëpi. Shpina e saj u thye në tre vende, klavikula dhe legeni i saj u shkërmoqën, kofsha e djathtë dhe të dyja këmbët pësuan fraktura të shumta dhe u tejshpua nga një shufër metali në stomak dhe mitër. Fatmirësisht në vendngjarje arriti një burrë i veshur me rroba pune, i cili porsi një samaritan i mirë, e ndihmoi Fridën duke ia hequr shufrën që i kishte depërtuar trupin, teksa ajo ulërinte fort gjatë të gjithë kohën. Ai vuri këmbën e tij mbi të dhe e tërhoqi shufrën derisa doli nga trupi i saj. Me brinjë të shumta të thyera, dëmtime të rënda të shtyllës kurrizore, dhe me këmbë të thyera në 11 vende, kthesa e Fridës nga spitali në art, erdhi si rezultat i asaj traume.
Për pjesën tjetër të jetës së saj, Frida do përjetonte me dhjetëra operacione dhe në fund do amputonte njërën këmbë. Gjithashtu do të pësonte disa dështime dhe aborte si edhe do shpenzonte shumë muaj në shtrat me trupin në allçi, e muaj të tjerë në karrocë me rrota dhe me shumë dhimbje.
Por, pavarësisht të gjitha këtyre vështirësive, Frida u shqua për vullnetin e pashoqë për t’i kapërcyer ato dhe ndihmuan për të nxitur personalitetin e saj të fortë.
Edhe pse e paralizuar në shtrat, e shtruar në shpital, e privuar nga aftësia fizike, Frida krijoi piktura të cilat ishin ilustrime të dhimbjes njerëzore, përshpirtje të kurajës femërore.
Pas atij aksidenti fizik në jetën e saj ajo pësoi edhe aksidentin e dashurisë. Siç u shpreh edhe vetë ajo, “Kam pësuar dy aksidente të rënda në jetën time. Njëri ishte tramvaji. Dhe aksidenti tjetër është Diego Rivera,” artisti më i shquar meksikan i shekullit të 20-të i cili e bëri të vuajë edhe më shumë se sëmundjet dhe aksidentet fizike!
Pasioni i Fridës nuk ishte vetëm për Diegon dhe jetën. Një pasion tjetër i saj ishte politika. Ajo ishte aktive në zhvillimet dhe lëvizjet politike, dhe bashkë me Diegon shquheshin për bindjet e tyre të thella majtiste.
Përpara se të ndahej nga jeta Frida shkroi në ditarin e saj: “Espero alegre la salida—y espero no volver jamás” (Unë pres largimin tim të lumtur dhe shpresoj që kurrë të mos kthehem më). Kjo fjali shoqërohej me nënshkrimin me germa të mëdha, “FRIDA.” Artistja e përvuajtur fizikisht, i shndërroi fatkeqësitë e jetës së saj në një ngazëllim dhe frymëzim për brezat e ardhshëm.
Sot Frida shihet jo vetëm si një figurë artistike por edhe si një ikonë bukurie, vullneti, vendosmërie, dhe frymëzim për të gjithë artistët të cilët duke marrë shembull prej kurajës dhe talentit të saj, të krijojnë jetë përmes artit edhe teksa gjenden në vështirësi të mëdha; të përçojnë ngjyrat dhe gëzimin e jetës, edhe kur dhimbja shkrihet në terrinat e thella të shpirtit. Ajo mbetet ikonë e gruas së fortë, krijuese dhe emancipuese.
Me të mësuar për lajmin e vdekjes së Fridës, miku i saj Iduarte, teksa fliste në mikrofon për çështje politike, përpara shumë njerëzve tha me trishtim, “Frida ka vdekur. Frida Kahlo ka vdekur. Mikja, motra e popullit, vajza e madhe e Meksikës, vazhdon të jetojë.”
Në Meksikë, Frida Kahlo njihet si la heroína del dolor, ose “heroina e dhimbjes”, ndërsa ne e njohim atë si gruan e mrekullueshme që vetëm arti arriti t’ia zbuste dhimbjen, e cila përmes asaj dhimbje i jep edhe sot forcë e frymëzim të gjitha grave në mbarë botën.