Muzeu Historik për 4 vjet i mbyllur! Ministria kërkon një drejtor për të! Rikonstruksioni merr një vit më shumë kohë se ndërtimi në vitin 1981!

Muzeu Historik për 4 vjet i mbyllur! Ministria kërkon një drejtor për të! Rikonstruksioni merr një vit më shumë kohë se ndërtimi në vitin 1981!

Në 6 mars Muzeu Historik, më i rëndësishmi në rang kombëtar njoftoi mbylljen e tij, prej 15 marsit (2024),për shkak të zbatimit të projektit që mundëson “Restaurimin, rikonstruksionin dhe muzealizimin” e objektit Monument Kulture i kategorisë së Dytë. Ajo që shkaktoi debate dhe habi në opinionin publik, si fakt që përmendej për herë të parë ishte kohëzgjatja e punimeve, plot 4 vjet (sipas njoftimit rihapet në 15 mars të vitit 2028), një vit më shumë se ç’mori edhe vetë ndërtimi i tij në ’81-shin (shtator ’78 – tetor ’81).
Ndërhyrjet në Muzeun Historik ishin bërë të ditura si pjesë e 24 objekteve të rëndësishme trashëgimisë sonë kulturore që do të mbështeteshin nga UNOPS dhe BE përmes programit Eu4 Culture në një fond prej 40 milionë eurosh.

Në këtë rrjedhë është vetë UNOPS që në 5 janar të këtij viti ka çelur tenderin për “Restaurimin, rikonstruksionin dhe muzealizimin” e objektit. Ndërkohë që kjo garë është mbyllur në 31 janar, në programin EU4 Culture, që mundësoi edhe restaurimin e mozaikut në fasadë të Muzeut është çelur në 21 shkurt tenderi që do të mundësojë “Mbikëqyrjen e ndërhyrjeve në Muzeun Historik”, ku aplikimet mbyllen në 14 mars. Një ditë para se Muzeu  të mbyllë dyert. 

Po ashtu sa i përket financimit të Qeverisë sonë, referuar listës së Parashikimit të Investimeve Publike me Financim të Brendshëm për vitet 2024-2026, për Muzeun Historik janë parashikuar të investohen gjatë kësaj periudhe 606 093 000 lekë (121 219 000 lekë vetëm për këtë vit).

Ndyrshimet e tjera sa i përket Muzeut Historik Kombëtar lidhen me mungësën e një drejtuesi të institucionit. Ministria e Kulturës dhe Inovacionit ka rihapur garën për Drejtor përmes vendimi nr.01 (datë 06.03.2024 të KKM), që përkon me kohën e njoftimit të mbylljes së Muzeut. Post që më herët e mbante, si drejtore e komanduar Entela Ccipa, që menaxhon gjithashtu Galerinë Kombëtare të Arteve, po në rikonstruksion prej dy vitesh. Po në objektin më të rëndësishëm muzeal në vend është ruajtur dhe mirëmbajtur dhe Fondi i GKA-së. 

Kohëzgjatja me një afat 4-vjeçar e  punimeve në Muze përkthehet edhe në humbje monetare, nisur nga fakti se është një nga institucionet e trashëgimisë referencë për turistët. Kështu sipas raportimeve të bëra nga ish- Ministria e Kulturës vizitorët e MHK-s për 2023-shin arritën në 99 796 persona. 
Ndërhyrjet e propozuara dhe që synohen të zbatohen për rehabilitimin e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë, në lidhje me Projektin “EU4Culture” janë:
– PROJEKIMI (Stabilizim strukturor të strukturës së parafabrikuar të betonit; Riparimi të sipërfaqeve të brendshme; Riparimi të  plotë  të ekpozitorëve dhe përmirësim të  ekspozitave të përhershme dhe të përkohshme duke përfshirë standardin bashkëkohor të ekspozitorëve, ndriçimin, kontrollin e qarkullimit të ajrit/lagështisë; Përmirësim i njësisë administruese të muzeut; Menaxhim i riskut nga fatkeqësitë; Programi dhe planet e mirëmbajtjes)
-INFRASTRUKTURA (Përmirësim i instalimeve elektrike dhe ndriçimit; Përmirësim i Mmbikëqyrjes dhe sistemit të sigurisë; Përmirësim i sistemit të ngrohjes dhe ajrimit;Përmirësimi i shërbimeve të vizitorëve dhe objekteve të magazinimit dhe konservimit të muzeut; Sistem audio dhe dixhital për qëllime interpretimi dhe për një shfrytëzim të plotë të sallave për edukim, seminare dhe takime; Shëndeti dhe siguria, evakuimi në raste emergjencash, alarmet dhe mbrojtja nga zjarri)
– KONSULTIMET DHE PROJEKTIMI (Krijimi i përmbajtjes për interpretim dixhital; Interpretimi përmes prekjes dhe krijimi i përgjithshëm i aksesit universal; Identifikimi, angazhimi dhe mbështetja e artistëve vendas për ngjarje që kanë të bëjnë me riinterpretimin e shprehjeve të artit, sistemeve dhe pikëpamjeve politike me synimin për të konceptuar ekspozita të përkohshme; Brendimi dhe identiteti vizual)
-MENAXHIMI DHE PLANI I BIZNESIT (Projektimi i strukturës për menaxhimin e vizitorëve dhe funksionet për angazhimin lokal; Funksione shtesë, kafene; librari; dyqan suvenirësh; Projektimi i aspekteve të ngjarjeve dhe aktiviteteve për të gjitha moshat dhe grupet e interesit; Krijimi i një modeli ekonomik të të ardhurave)

PREZANTIMI I BËRË NË VITIN 2023

Në pritje të transparencës së kërkuar nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, po i referohemi të dhënave të ish-Ministrisë së Kulturës për projektin e Muzeut.
Në fundvitin që lamë pas, prezantimi i ndëryrjeve për restaurimin dhe rimuzealizimin e Muzeun Historik u bë me praninë e ish-ministres së Kulturës, Elva Margaritit dhe ambasadorit të  Bashkimit Europian në SHqipëri, Silvio Gonzatos. Në atë rast u sqarua se punimet do të bëheshin me mbështetje nga buxheti vjetor ndërsa qeveria japoneze do të suportonte digjitalizimin e Muzeut.
Gjatë këtij takimi u prezantua një projekt-koncept muzeal për Muzeun nga  studio “Casanova + Hernandez architects”, me përfaqësyes Jesus Hernandes, ndërsa ndërhyrjet restauruese e përforcuese të godinës u shpjeguan nga arkitekti Gent Agolli nga studio “I RI” .
Në shpjegimin që u bë për projektin e ri, u nënvizua fakti se përmes tij do të rrëfehej identiteti kombëtar përmes tre shtyllave kryesore: arkeologji, etnografi dhe gjuhë, si dhe 12 ekspozitave që ndjekin “gjurmët e historisë”.