Eduard Zaloshnja: Sa banorë, 3.1 milionë, 2.76, 2.65, apo më pak?

Eduard Zaloshnja: Sa banorë, 3.1 milionë, 2.76, 2.65, apo më pak?

Faqja statstikore në internet e CIA-s amerikane (CIA World Factbook)  jep një vlerësim statistikor për numrin e vjetshëm të banorëve të Shqipërisë – plot 3.1 milionë (lexo KËTU). Nuk jepen shpjegime në atë faqe sesi analistët e CIA-s kanë arritur në këtë vlerësim statistikor, por ky i fundit është plot 340 mijë banorë më shumë se sa vlerësimi statitstikor i INSTAt-it tonë rreth popullsisë banuese në Shqipëri – sipas INSTAT-it, vetëm 2.76 milionë banonin këtu më 2023 (https://www.instat.gov.al/al/temat/treguesit-demografik%C3%AB-dhe-social%C3%AB/popullsia/publikimet/2023/popullsia-e-shqip%C3%ABris%C3%AB-1-janar-2023/ ).

Ndryshe nga CIA, INSTAT-i jep shpjegime të hollësishme të metodologjisë që ka përdor për të arritur në vlerësimin statistikor të 2.76 milionë banorëve. Konkretisht, popullsisë banuese të Censit 2011, i ka shtuar e zbritur për çdo vit lindjet, vdekjet, emigrimet dhe imigrimet, për të arritur tek shifra 2.76 milionë më 2023.

Sidoqoftë, meqë emigrimet (largimet nga vendi) dhe imigrimet (rikthimet në vend) nuk mund të maten në mënyrë precize, edhe shifra 2.76 milionë banorë e INSTAT-it është e përafërt. Prandaj edhe bëhet Censi i popullsisë çdo dekadë – për t’i precizuar shifrat statistikore.

Para se të fillonte anketimi për Censin në tetorin e vjetshëm, unë pata rastin të dizenjoja e të drejtoja një sondazh rigoroz në terren (nga Konispoli në Vermosh), prej të cilit më rezultoi se vetëm 68.3% e banorëve të këtushëm në moshë për votim (18 vjeç e sipër) kishin marrë pjesë në zgjedhjet e 14 majit vjet. Dhe duke ditur që KQZ-ja ka zyrtarizuar se numri i pjesëmarrësve në zgjedhjet e 14 majit ishte pothuaj 1 milion e 400 mijë, llogarita se rreth 650 mijë banorë të tjerë të këtushëm në moshë për votim nuk kishin votuar. Pra gjithsej, ishin këtu rreth 2 milionë e 50 mijë banorë të rritur (plus/minus 50 mijë marzhi i gabimit të lejuar statistikor të sondazhit).

Më tej, duke ditur se banorët e rritur përbëjnë vetëm 77.5% të popullsisë banuese, llogarita se numri i banorëve të këtushëm gjithsej (të rritur, adoleshentë e fëmijë) ishte vjet rreth 2.65 milionë (plus/minus 50 mijë marzhi i gabimit të lejuar statistikor të sondazhit).

Kur filloi puna në terren për Censin, INSTAT-i deklaroi se do të publikonte në fund të janarit një vlerësim paraprak të numrit të banorëve. Por më tej, ka deklaruar se do të publikojë vetëm shifrën përfunditare (në qershor), pasi t’i ketë bërë të gjitha riverifikimet në terren e në sistemin digjital të përdorur për Censin.

Se çfarë problemesh ka hasur apo po has INSTAT-i me Censin, nuk është bërë publike, por publiku po pret me kuriozitet shifrën përfundimtare të popullsisë banuese në Shqipëri. Është 3.1 milionë, sa ç’e ka vlerësuar statistikisht CIA amrikane? Është 2.76 milionë sa ç’e ka vlerësuar statistikisht vetë INSTAT-i para se të fillonte Censi? Është 2.65 milionë sa ç’e kam vlerësuar statistikisht unë? Apo më pak?

Ndërkohë një shifër precize dihet: Në Gjendjen Civile të Shqipërisë ishin të regjistruar në fund të 2023-shit pothuaj 4.65 milionë shtetas shqiptarë (pavarsisht se ku jetojnë ata, brenda apo jashtë vendit). Pra ndryshe, mund të diskutohet nëse kemi rreth 1.55 milionë shtetas shqiptarë në emigracion (4.65 minus 3.1), rreth 1.89 milionë (4.65 minus 2.76), rreth 2 milionë (4.65 minus 2.65), apo më shumë (4.65 minus X)…