‘Figurat femërore të barokut’, Daorsa Dervishi-flaut traversier Barok, Alessia Travaglini-Viola Da Gamba, Jusuf Beshiri-klavicembalo.
Mbrëmja e 11 Marsit, shënoi një nga netët më të bukura koncertale për kryeqytetin, ku performanca artistike e protagonistëve kryesor: Daorsa Dervishi në flaut traversier, Alessia Travaglini-viola da gamba, Jusuf Beshiri-klavicembalo, sëbashku me skenografine impresionuese, publikun artedashës dhe elitar intelektual, krijuan komponentët e një mbrëmje të paharrueshme….
Në qender të tematikës së koncertit ishin veprat e kompozitoreve femra të periudhës baroke, ku, kryefjalë ishin tre kompozitore barok, te trea me një lidhje të ngushtë me Federikun II të Prusisë: Ëilhelmine von Bayreth, Anna Amalia e Prusisë, motrat e tij, dhe Anna Bon, si një nga vajzat me virtuoze në muzikën e dhomës në oborrin mbretëror të Federikut II. Publiku u njoh me interes me këto vepra dhe të vështira për t’u ekzekutuar, por që u sollën shumë mirë profesionalisht.
Ndërkohë, e ftuar në këtë mbrëmjë ish dhe soprano e mirënjohur Linda Kazani, e cila kryesisht karrieren e saj e zhvillon mes Austrisë dhe Shqipërisë, ajo interpretoi; ‘Parasti in Dulcedine’ për soprano e b.c, të kompozitores veneciane të viteve 1600, Barbara Strozzi (1619-1677). Strozzi ka qenë tepër e njohur, pasi ishte gruaja e parë që këmbënguli që kompozimet e saj të publikoheshin dhe stampoheshin. Përpos aftësive të saj si instrumentiste e këngëtare ajo donte të kujtohej, me të drejtë, dhe për kontributin e saj kompozicional. Strozzi njihet kryesisht për muzikën e shenjtë (sacra) dhe vokale, dhe pjesa që u ekzekutua dhe intepretua në mënyrë dinjitoze dhe mjaft emociounuese nga Kazani, është pikërisht nga pjesët e vëllimit të titulluar ‘Sacri Musicali Affeti’.
Ndërkohë Sonata për cembalo solo e një tjetër kompozitoreje femër, Marianna Von Martines, u ekzekutua nga kalvicembalisti dhe pedagogu, Jusuf Beshiri. Beshiri, një emër i konsoliduar në jetën artistike në vendin tonë, shquhet për idetë dhë kulturën që do të përcjellë në ngjarje të ndryshme artistike në vend dhe kish një rol thelbësor në organizimin e këtij koncerti dinjitoz, të vecantë në llojin e tij. Në biografinë artistike të Beshirit, vihet re aktiviteti i tij artistik mes Italise, që ka nisur që në vitin ’91 në Milano dhe vendit të tij shqipërisë. Është për t’u vlerësuar pjesëmarrja e tij si pjesë e ‘United Europe Chamber Orchestra’ përgjatë viteve 2000-2011, si klavicembalist, organist, fortepianist, duke zhvilluar një aktivitet të gjerë koncertal me repertorin barok dhe të muzikës ‘sacra’. Ndërkohë që aktiviteti i Beshirit, shtrihet dhe në vende të ndryshme të europës.
Një nga pikat më të rëndësishme të karrierës së Jusuf Beshiri, është fakti që themeloi festivalin ndërkombëtar Vox Baroque në Shqipëri, i pari në llojin e tij. Kjo ide erdhi si një pasion dhe dëshirë e Beshirit dhe formimit të tij, për të shtrirë kulturën baroke në vend, por edhe dëshira për të promovuar trashëgiminë kulturore shqiptare.
Ndër të tjera jep dhe kontributin pedagogjik në instrumentin e klavicembalit në Universitetin e Arteve, si i pari pedagog që jep leksione mbi këtë instrument epoke, por pa i shkëputur dhe aktivitet didaktike dhe koncertale në Itali, ndaj dhe një nga protagonistet e mbrëmjes, ish e ftuara e tij , Alessia Travaglini.
Travaglini e diplomuar për Viola Da Gamba në Konservatorin ‘G. Verdi’, Milano, ndonëse e re në moshë, mban një cv profesionale në këtë drejtim. Me studime dhe në Konservatorin Mbretëror të Hagës dhe Konservatorin Kombëtar Superior të Lionit, mbrëmjen e së hënës, mbajti një peshë me rëndësi në Koncert.
Ndërkohë e ftuar nga Beshiri, ishte dhe një nga bashkëpunëtoret dhe bashkëthemeluese e Albanian Baroque Ensemble, Daorsa Dervishi, e cila shpjegoi me detaj programin e kësaj mbrëmjeje.
Dervishi , e cila realizon aktivitetin e saj artistik ne Itali, kryesisht në Milano, që prej viteve ’99, kur hodhi hapat e para në Konservatorin ‘Verdi’, Milano për flaut modern, pastaj duke vazhduar edhe studime për flaut barok, etj,etj performoi si soliste, me profesionalizëm dhe pjekuri pjesët që i prezantuam më sipër. Një nga arritjet më të mëdha të fundme të Dervishit, është që përvcse është flautistia e parë baroke shqiptare, ajo së fundmi ka realizuar Premierë Botërore, veprat e kompozitorit anglez John Stanley, të publikuara nga një prej shtëpive diskografike me prestigjioze Botërorë, Brilliant Classics.
Një mbrëmje plot magji, tinguj elegant, shpirtëror e profesional, ku i tërë publiku u bë NJë, mbledhur në një aureolë gjigande ku nga tingujt barok dhe estetika e lartë e një kohe të shkuar edhe Tirana nga lart, dukej më e bukur, ashtu sic muzika e mirë i bën njerëzit…
Nga Metila Dervishi