Klea Cërri: “Vajza përtej Murit”

Klea Cërri: “Vajza përtej Murit”

‘Vajza përtej murit’ romani i shkruar nga autori i mirënjohur shqiptar Viktor Canosinaj, është i mrekullueshëm, në të gjitha qëndërzimet dhe zgjatimet e të qënurit i tillë. Ngjarjet ndodhin në Janinën e bukur që qeverisej ashpër nën tutelën e Ali Pashë Tepelenës, ku figura femërore ishte e privuar të dashuronte, të ishte e lirë, të dilte dhe të përqafonte veten me gjithë bukurinë e saj. Gruaja shqiptare e asaj kohe ishte e rrethuar nga një shoqëri paragjykuese që në gjenezë të gjinisë së tyre, duke e cilësuar arsimimin, kulturimin dhe lirinë e të dalurit në publik me flokët që ia merrte era tepër të tepërta për to. I gjithë subjekti i librit vërtitet rreth një historie të trishtë dashurie që ndërthur fatet e dy njerëzve që dashuruan përtej masave të jetës e të vdekjes, në një shoqëri të ashpër që nuk urrente asgjë tjetër më shumë sesa dashurinë e sinqertë midis një djali të huaj e një vajze të premtuar myslimane.


Kjo është historia e trishtë e Velkës së bukur, që përveç mirësisë dhe dashurisë zgjonte edhe zilinë në shpirtrat e çdo gruaje në mëhallën e saj, dhe Alfo Bej një napolitan i ardhur në Janinë si arkitekt Ali Pashës, tiraninë e të cilit e adhuronte dhe vetë sulltani. Fati i tyre i keq filloi një ditë pranvere ( por dielli digjte si të ishte verë) kur Alfonso mundi të dëgjonte të qeshurën e dikujt nga oborri fqinj, një e qeshur që i hapi dritaret e shpirtit, duke e bërë kurioz të shihte përtej murit. Pa e ditur që ndolli vdekjen me ata sy të etur për burimin e asaj të qeshure magjike që zgjoj brenda tij ndenjën më fisnike ndër të tjerat, atë të dashurisë. Por ata e deshën njëri-tjetrin jo vetëm përtej murit, por edhe përtej vetes në një masë të pazakontë, që kaloi çdo pengesë të kanunit për vajzat myslimane, çdo paragjykim dhe keqësi nga shoqëria jashtë, çdo normë morali të rrënjosur që në vegjëli tek të dy, që gjauri nuk shihet me sy, vajzat shqiptare nuk duhen vështruar as të mbuluara ndryshe tyta e pisqollës të mbështetet në tëmtha.


Ç’të bënin ata që ishin ata që ishin? Çfarë t’i bënin asaj të nëmure dashuri që i rrëmbeu jetën pa i pytur? A e kishin ata në dorë të shmangnin njëri-tjetrin e të jetonin një jetë të gjatë të trishtë?


Mund edhe të mos takoheshin e të mos përflakeshin në zgjarrin e dashurisë, por ç’kuptim do të kishte jeta e tyre? Velka do të vdiste nga pikëllimi nëse do të shkonte tek i premtuari i saj në Prevez, kurse Alfo bej do të sorrollatej kot së koti nëpër Janinë në kërkim të kuptimsisë së jetës. Vështrimi përtej murit të atyre flokëve të zinj e të gjatë shpërndau nëpër flegrat e hundës së Alfonsos aromën e mirë të tyre, aromën e jetës e të lumturisë fatkeqe që i priste. Teksa ai përvidhej nga dritaret e shtëpisë së Velkës dhe digjeshin prush të dy saherë prekeshin dhe putheshin plot zjarr, sytë e liga ziliqare për bukurinë e vashëzës prisnin të gjenin mëkatin që flinte në zemrën e saj.


Duhet të përmendim faktin që Velka takohej çdo ditë me komshijet e saj, me xhaxheshat dhe të afërmit e tjerë për të pirë kafen e mëngjesit, siç ndodh rëndomë edhe në ditët e sotme, kështuqë sjellja e saj dhe hirin që mori nga të përjetuarit aktin sublim të lidhjes së dy shpirtrave nuk mbeti pa u vënë re. Hiri që i bie një gruaje shtatzanë, fryt i dy zemrave që digjen për njëra- tjetrën u kuptua menjëherë nga sytë ziliqarë për bukurinë e saj si të një nimfe liqeni. Ato nuk u ndalën derisa e morën vesh të fshehtën mëkatare të Velkës dhe e çuan atë vashëz, (që nëse veziri do e kishte parë do e kishte dashur për vete) drejt vdekjes fatale sipas kanunit të myslimanëve dhe gjykimit të kadiut islam të Janinës. Fati i tyre do të ishte shumë ndryshe sikur këto ligesha të mos e dinin sekretin e tyre, Alfonso do të gjente një rrugë arratisje, të jetonin të dy në perëndim larg shqiptarëve dhe prijësit famkeq të tyre. Nënolja e Velkës, Zekoja është një tjetër figurë dashurie vetëflijimi dhe vetëmohimi dashurie si nëna për të bijën që rriti dhe i fali jetën. Ajo i qërroi gratë që e spiunuan Velkën duke marrë hakun e saj dhe priti me sëpatë në dorë policët duke mohuar kategorikisht akuzat e tyre se ajo kishte rritur një të përdalë. Akuza të pabaza sepse ata ishin të martuar në zemër, gjë që ishte më e rëndësishme se bekimi i feve të tyre. Vdekje tragjike erdhi për Zekon zemërmirë, ajo vdiq nga plumbi i marrë në kraharor për të mbrojtur bijën e saj të dashur.


Për ta nuk kishte më shpresë. As lutja që Alfonso i bëri Ali Pashës nuk pati asnjë të mirë, Velka duhet të vdiste. Ajo kishte mëkatuar dhe kishte përlyer nderin e saj me të huaj duke përdhosur fenë e saj dhe pragun e shtëpisë. Për të ekzistonte vetëm vdekja sipas kanunit! Vdekje me gurë! Por kush kishte zemër t’i gjuante asaj fytyre ëngjëllore me gurë?
Ajo ndërroi jetë e pamundur të mbronte fëmijën e saj dhe të Alfos, e zhytyr nën gurë me puthjen e tij në buzë për herë të fundit.


Shpirti i saj shkoi në botën tjetër, por Alfo jetoi me pengun që shkatërroi jetën e nimfës që ai dashuroi më shumë se veten. Ai jetoj jetën që s’ia fali dot asaj me ndjenjën e fajit dhe të boshllëkut që i la humbja e familjes që ai deshi të krijonte.


‘Vajza përtej murit’ është një libër që lexohet me një frymë, i sjellë bukur me dialogje të shkruara në dialekt që na paraqet akoma edhe më qartë natyrën e vërtetë të shoqërisë së asaj kohe. Jua rekomandojmë ta lexoni që të përjetoni magjinë e dashurisë fatkeqe por të denjë për të sakrifikuar jetën e për të derdhur lot!

Një fakt interesant për këtë roman është ndryshimi që pësoi titulli i tij. Kur u botua në fillim autori e titulloi ‘Jetë të marra peng’, por në ribotimin e fundit ‘Vajza përtej mutrit’. Duke ditur historinë e tyre të dashurisë titulli i rivendosur është më i përshtatshëm sepse e gjithë historia vërtitet rreth vajzës përtej murit ngjitur, që ishte e ndaluar për ta parë e për ta prekur, por e dëshirueshme dhe e dashurueshme deri në marrëzi. Përtej atij muri Alfo bej ndjeu aromën e flokëve të saj, ndeshi sytë e saj për herë të parë dhe e vështroi fytyrën ëngjëllore të Velkës. Përtej atij muri Alfonso njohu dashurinë dhe kaloi netët më të paharrueshme të tij, por fatkeqësisht nga ana tjetër nuk ishte fati i lumtur i tyre. Por një dashuri e ndaluar, plot andrralla. Përtej atij muri ndodhej Velka që me bindje e fali jetën e saj, sepse e dashuronte atë tepër. Ia fali xhelatëve pa u penduar e bindur se do të vepronte njësoj edhe nëse do të kishte 1000 jetë të tjera, sepse ai ishte i vetmi që mund ta prekte dhe ta bënte të ndjehej e dashuruar. Përtej atij muri ne do të qajmë për fatin tragjik të dy heronjve tanë, do të ndjejmë dhimbjen e tyre dhe do të mendojmë me vete: Ç’do të ndodhte nëse Alfonso nuk do të shihte përtej atij muri?