Nga Klea Cërri – “Ana Karenina, një vepër e keqkuptuar”

Nga Klea Cërri – “Ana Karenina, një vepër e keqkuptuar”


Ana Karenina është një ndër romanet më të përmendura në lëmin e letërsisë, prandaj dhe afërmendsh shumica prej lexuesve duhet ta ketë përthithur. Por qasja që i bëhet këtij libri klasik është i gabuar në shumë forma. Që në gjenezën e prezantimit të këtij libri të fuqishëm vihet në diskutim morali i Anës, sesi braktisi një bashkëshort që nuk e dashuronte, djalin e shumë dashur të sajin dhe të gjithë reputacionin që gëzonte në shoqërinë e lart moskovike për një burrë të ri e të pashëm. Por vetë Ana është shumë më shumë se një grua që sakrifikoi gjithçka për një djalosh të ri e të pashëm. Ajo është një grua që njohu përherë të parë dashurinë, që e provojë shijen e saj në prehërin e Vronksit dhe u ndje e dashuruar për herë të parë në jetën e saj. Me kuptimësin e sakrifikimit të të parit djalin e saj, ne arrijmë në një prizëm tjetër të të kuptuarit, që të jesh nënë nuk do të thotë të mos kesh të drejtë të dashurohesh e të dashurosh. Pra qasja e analizimit të vetë karakterit të Anës duhet të nisë nga kjo.

Martesa pa dashuri ishte një burg për të, në pamje të jashtme i bukur, plot madhështi, që i siguronte asaj një influenc të madhe në shoqëri. Ana ishte nga ato gratë moskovike që vendosnin se cila ngjyrë e fustanit ishte në modë, se çfarë libri duhej lexuar pas çajit të mbasdites, si duhet të mbaheshin flokët në ballot e demrit, ajo ishte e magjishme, e bukur, e sjellshme, me shije të rafinuara dhe parë nga jashtë shumë fatlume për bashkëshortin e saj dhe trashgimtarin e tyre mashkull që në herë të parë. Pak dinin ato që burimi i vetëm i dashurisë së saj ishte djali, sepse Aleksei, partneri i saj, nuk ishte asnjëherë aty për të, për t’i dhuruar disa çaste paqe dhe mirësie. Ai ndodhej aty për të parë shkëlqimin e saj që pasqyrohej tek ai, e admironte ai hëna diellin, për dritën e huazuar e të falur. Ajo e meritonte të përjetonte dashurinë, një femër e bukur dhe e lakmueshme nga të gjithë e meritonte të njihte atë ndjenjë sublime vetësakrifikuese.


Ana ishte një nënë dhe shumë prej jush mund të thonë që ajo duhet të ishte mjaftuar me qenësinë e të birit, por e vërteta është që njerzit janë tepër njerzor kur vjen puna tek dashuria, sepse ata bëhen të shurdhër e të verbër përpara saj. Sepse ajo i përket kujdo dhe askush nuk duhet ta jetojë jetën pa u njohur me shpirtin binjak dhe pa e përjetuar marrjen e frymës saherë shikimit puqen, siç i ndodhte Anës saherë shihte Kont Vronskin. Ata e donin njëri tjetrin dhe meritonin të jetonin së bashku, por pengesat për ta ishin shumë të mëdhaja për t’i kapërcyer. Sa e trishtë! Kont Vronski zgjodhi reputacionin e shoqërisë e jo Anën, ndërsa ajo zgjodhi Vronskin përpara nderit dhe moralit të saj! Dashuria për ta ishte fatale me vdekjen vetëm të fisnikes së Tolstoit, duke e përqafuar në shinat e trenit, duke u shpërfytyruar, duke humbur bukurinë, duke mbajtur vetëm flokët e zinj kacurrel për personifikim.


Ata u magjepsën nga njëri-tjetri, por nuk ishin të aftë të mbronin dhunshëm dashurinë e tyre, sepse kishin gjithçka kundër, vetë rrjedhën e jetës të paravendosur nga persona të tjerë. Pra Ana Karaninën duhet ta shohim si një grua që dashuroi tepër vonë kur parajsa i ishte premtuar, por zjarri i ferrit i ngrohu shpirtin.


Pjesa tjetër e romanit që cek shumë e shumë motive të tjera si falja, familja, dashuria e mësuar, dashuria e fituar, shoqëria, pritja, falja e tradhëtisë dhe mbi të gjitha falja e jetës në analizën që i bëhet këtij romani të fuqishëm nuk preken as përciptazi. Kjo vjen si pasojë e fokusimit të tepërt mbi moralin e Anës, duke anashkaluar vlerat që përcjell ky libër i shkruar kohë më parë, por që është i tanishëm edhe në kohët e sotme. Për shkak të kësaj qasje që i është bërë më vjen keq të dëgjoj që ‘Ana Karenina’ na qënkërka roman i konsumuar e i dalë mode.


Duhet rishikuar edhe njëherë mënyra sesi trajtohet ky libër, për tu sigurar që studjohet edhe figura e Levinit të ndershëm që na mëson se durimi fiton dashurinë, që rutina nuk është kurrë e mërzitshme përkundrazi ai na e përcjell si katalizator kryesor për të pasur një jetë të qetë dhe plot bollëk. Figura e tij na mëson se shkëlqimet e salloneve nuk janë prej ari, por prej flluska sapunësh që plasin sa hap e mbyll sytë. Nëpërmjet tij Tolstoi na tregon se jeta është shumë më e bukur kur nuk rend pas bukurisë dhe shthurjeve të shoqërisë. Levini është heroi më pozitiv në vepër, i cili me thjeshtësinë e tij, edhe pse nuk ishte djali më i bukur në sallonet moskovike, na bën për vete. Për karakteristikat e tij duhet të flitet po aq sa flitet për dashurinë e ndaluar të Anës, ndershmëria e tij duhet të vlerësohet po aq sa duhet vlerësuar sakrifica e Anës për dashurinë e vërtetë. Nëse e shohim të gjithë veprën në një këndvështrim të ri, pa paragjykime, dhe përcjellim të gjithë mesazhet e saj, lexuesit do ta merrnin më shpesh ndër duar për ta vlerësuar edhe njëherë siç duhet, këtë kryevepër botërore.