Sot, në vend të rubrikës “Kalendari poetik”, sjell këtë shqipërim nga miku im virtual indian, poeti Sudhakar Gaidhani. Gajdhani poston shpesh poezi të mrekullueshme në faqen poetike ndërkombëtare “Atunis” në gjuhën angleze, etj. Ja një poezi e tij në gjuhën shqipe:
QEFINI QË ZGJODHA (SHROUD OF MY CHOICE)
Sudhakar Gaidhani
Beftas kuptova se më duhej të zgjidhja qysh tani
qefinin sipas dëshirës sime
Dhe më në fund zgjodha të blija një
prej pambuku të bardhë qumësht.
E kisha zakon të rrija gjysëm fjetur me sytë mbyllur në pritje
të lumturisë së gjumit paqendjellës.
Por ndonjëherë natën kur isha në gjumë të thellë,
nëpër fole të lumtura, zogj të trishtuar shikoja.
Dhe shtrati im
arkmort më bëhej
dhe varrezat e vjetra shtëpia ime e re.
Pastaj, përqëndruar te kryqi,
shkrova një poezi të ndjerë me gjakun tim të ngrohtë mbi qefin
me një gozhdë të mprehtë
dhe vesha me të trupin tim lakuriq.
Tani çdo natë shoh një ëndërr hyjnore,
sikur fluturoj në parajsë me një engjëll dhe një feniks gazmor,
nga çdo trishtim i çliruar dhe varri i uritur
le të presë të hajë më vonë trupin tim.
© shqipëroi Maksim Rakipaj