Ka mëse dy vjet që vdekja po e mëshiron. Ajo vetëm sa i merr erë, i përkëdhel flokët kaçurrel duke u hedhur një nxirosje edhe më të tmerrshme e me ndihmën e saj ka kohë që i përket një kollë e thatë, që s’ia lë të qetë trupin asnjëherë.
Kështu mendon i shtrirë lakuriq i riu N. Dhoma ku rri për rreth gjashtë orë në ditë, tre orë gjysmëzhveshur e tre orë pothuajse lakuriq, i duket e zymtë, e errët. Hedh sytë e kudo vështron nuk dallon gjënë më të vogël. I duhet pak errësirë, mendon disi më i qetë. Mundohet të rrijë shtrirë për tre orë, sepse organizon planet e tij. Veprimet që duhen bërë, sulmet e befasishme, mënyrën e vrasjes, armën që i duhet, bile dhe se çfarë lloj rënkimi a ulërime do të lëshojë viktima në agoninë e fundit të jetës. Por të gjitha këto e mërzisin të riun N. Hap sytë e zinj, mbyll gojën katrore e ia gozhdon sytë vendit ku duhet të jetë tavolina. Në atë terr që ka pushtuar dhomën s’dallon dot as gishtat e tij. Është çasti më zbavitës i planit, se ç’ngjyrë do të ketë viktima.
Atij i kanë pëlqyer gjithmonë në të kaftë, por dhe ata në të zezë nuk bien më poshtë.
Është ende mugëtirë në këtë mëngjes të hershëm. Bari është i vesuar. Sapo kanë dalë llozhrangrënëset. Tek tuk gërvisht asfaltin ndonjë makinë e përgjumur. Ndihet edhe shushurima e qeskave plastike që patjetër në brendësi kanë rroba të vjetra pune a ndonjë racion të pakët buke.
Dhe njerëz të zinj e të kaftë ecin në këtë natë mëngjesi, deri në stacionet ku presin autobuzat e parë për në punë.
I riu N trembet nga ulërima e pandalshme e ziles së orës. Me një grusht fytyrës së saj e bën të pushojë. Fle dhe dhjetë minuta. Ngrihet përgjumësh, derisa përplas këmbët diku. I del gjumi duke bërtitur një sharje të rëndë e, më në fund, në dhomë hyn drita, jo ajo natyrale, pasi është ende natë, ajo e konservuara.
Pasi lan fytyrën e ha një kafshatë, vishet me rrobat e posaçme. Rrëmben me një mani të thellë thikën e bërë tek mjeshtri i metropolit, dy vjet më parë. Nuk harron të marrë edhe kollën e tij të dashur që e torturon gjatë gjithë kësaj zbavitjeje.
Ecën në rrugë. Një ecje e zakonshme në pamje, por duket që është e studiuar, se si ta mbajë kokën, si t’i hedhë këmbët e si t’i rregullojë hapat, që të jetë një i zakonshëm në punën e tij.
Tek “Zeas” mendon e mëndja i hedh njëmijë veprime që nga afrimi, tek nxjerrja e befasishme e armës e deri tek rënia përtokë e viktimës.
I afrohet stacionit. Dy të zinj mezi dallohen brenda natës. I tradhtojnë të bardhat e çantave plastike. Bën gati thikën. E fsheh pas xhaketës meshin. Hedh hapa të milimetruara në prag të “Zeas”. S’ka nevojë të pyesë se kush është i huaj. Ngjyra, aleatja e argëtimeve të tij e ka bërë punën shkëlqyeshëm.
Me të parin mbaron punë shpejt. Në sekondë i ngul tehun deri në fund. Në zemër. I kujtohet vetëm zhurma e mbytur e thikës kur u zhyt në mish, si kolla e tij. Pak para se viktima të bjerë, ia nxjerr thikën dhe bëhet gati për të dytin, i cili s’ka kohë të reagojë, se ka ngrirë. Qeska e punës ka ngrirë gjithashtu. Me një hap të shpejtë i afrohet, rri një sekondë, e vështron, e çudisin të bardhat e syve. Ato janë bërë të qullëta tashmë. Kërkon të lozë me të, por një zhurmë diku afër e përmend, vepron njëlloj si me të parin. Edhe i dyti bie përtokë me një këlthitje të ftohtë. Edhe qeska e punës gjithashtu.
Fsheh thikën në xhepin e brendshëm. Ecën në trotuarin e vesuar, nën gërvishtjen e asfaltit nga makinat e pakta gjumashe, nën gumëzhitjen e llozhrangrënësve e nën gëzimin e tij që i gufon në brendësi.
Në mëndje i ngelën sytë e bardhë, por të qullët të të ziut. Dy më pak, mendon e loz duke bërë numërimin. Rruga loz gjithashtu me kollën që lë pas i riu N. E hedh topthi në qiell e pas një çasti e pret në duart e armatosura me degë hollake pemësh. E shpon tullumbacen kollë.
Në stacionin “Zeas”, dy qeska plastmasi të zhubrosura e të lagura tashmë të kuqërremta, presin natën e mëngjesit tjetër. Llozhrangrënësen e kësaj rruge e kanë njohur dikur, kur ishin mbajtëse rrobash pune në duar të zeza.
Ndoshta nuk kafshon shumë mendojnë qeskat, ndoshta s’ndiejmë gjë, kërkërijnë duke prishur heshtjen e stacionit “Zeas”.
05.2002