Në ambientet e Parkut Olimpik “Feti Borova” u zhvillua finalja e Kupës së Shqipërisë në volejboll për meshkuj. Partizani fitoi 3-0 me sete kundër Tiranës në derbi, duke fituar kështu trofeun. Partizani siguron titullin e 14-të të Kupës në histori, teksa këtë sezon kanë bërë një paraqitje për t’u mbajtur mend, duke triumfuar edhe në Ligën Mbarëkombëtare “Gjergj Kastrioti”.
Në ndeshjen e sotme seti i parë u mbyll 25-12, ai i dytë 25-22 dhe i treti po 25-22, me Partizanin që dominoi sfidën. Lojtari i finales u shpall Osman Qepa, autor i 10 pikëve në derbi. Paraqitje të shkëlqyer bënë edhe brazilianët Coutinho dhe Soares, me 14 dhe 12 pikë.
Spikati gjithashtu edhe Raul Sabliqi, i cili realizoi 12 pikë, talent që po rritet gjithnjë e më shumë nën vëzhgimin e trajnerit Ylli Tomorri.