Stresi është një reagim fizik, mendor dhe emocional ndaj situatave, që shkaktojnë frikë, pasiguri, rrezik, eksitim, stimulim, konfuzion ose ndryshim. Është përgjigjja e trupit ndaj një stimuli, është një gjendje mbrojtjeje dhe vetërregullimi. Shumë të rinj të cilët janë në fazen e studimit, kanë përfunduar ose janë në kërkim të një punë përballen me sfida të vazhdueshme në kërkim të një jete më të mirë dhe me mirëqënie më të lartë. Stresi është një element i jetës së përditshme që prek shumë të rinj ndikuar nga faktorë të ndryshëm fizikë, social dhe mjedisorë. Studimet kanë treguar se përballimi më i mirë i stresit nga të rinjtë lidhet me aktivitetin fizik si dhe me përzgjedhjen e një muzike relaksuese që çliron energjitë negative dhe ndihmon në përqendrimin më të mirë të trurit.
Në ditët e sotme, shumica e studentëve janë gjithmonë duke nxituar për diçka ose diku dhe janë të angazhuar në aktivitete të shumta. Qëllimi i këtij artikulli është të pasqyrojë se cilët mekanizma mund të përdoren për të reduktuar stresin tek të rinjtë. Këtu do të flitet për aktivitete fizike, kulturore dhe sociale si faktorët të cilët luftojnë stresin.
Në një intervistë të dhënë nga psikologia Jordanka Cherepnalkovska-Trajkoska, nga Maqedonia e Veriut lidhur me stresin tek të rinjtë, theksoi se: “Stresi është emocion dhe emocioni është energji. Stresi është energji e akumuluar, kështu që muzika dhe aktivitetet sportive ndihmojnë në çlirimin e tij. Në momentin që truri çliron energji atëherë kemi krijuar hapësira të tjera që do të shërbejnë për proçesin e të mendurarit, të krijuarit dhe të mësuarit”. Muzika gjithashtu shprehet ajo: – “Ndikon shumë në uljen e stresi, dhe se secili prej nesh duhet të jetë i lirë të vendosë për muziken apo aktivitetin që i sjell më shumë qetësim dhe relaksim”. Psikologia Trajkoska thekson rëndësinë psikologjike të aplikimit të këtyre teknikave. Ajo ndër të tjera shton se: – “edhe teknika të tilla si kujdesi për veten, vetëvlerësimi, shoqërimi me persona që ndiheni mirë si dhe kërkimi i ndihmës kur e mendoni të nevosjshme janë disa teknika që do të ndihmojnë të rinjtë të përballen me stresin dhe pasojat e tij”.
Janë disa teknika të cilat profesionistët e shëndetit mendor rekomandojnë në rastet kur individë të caktuar përballen me situate stresuese gjatë jetës së tyre:
- Rëndësia e aktivitetit fizik
Aktivitetet fizike janë shumë të rëndësishme për të menaxhuar stresin e përditshëm. Stresi akumulon energji negative dhe pengon veprimtarinë normale të trurit, marrja me aktivitete sportive apo fizike ndikon në çlirimin e kësaj energjie. Kështu që ecja në natyrë, ushtrimet fizike, apo aktivitete të tjera ndikon në reduktimin e stresit.
- Roli i muzikës në reduktimin e stresit
Muzika është një tjeter teknikë që rekomandojnë profesionistët për reduktimin e stresit. Ata theksjojnë se dëgjimi i muzikës mund të stimulojë lirimin e hormoneve që nxisin lumturinë dhe relaksojnë trupin. Melodia e një kënge ndërvepron drejtpërdrejt me qendrat emocionale të trurit, duke lehtësuar lidhjen midis mendjes dhe trupit.
Kur dhe çfarë muzike duhet të dëgjojmë për të reduktuar stresin?
Zgjedhja se kur dhe çfarë lloj muzike të dëgjoni varet nga preferencat individuale dhe kur stresi është më i pranishëm. Muzika e ngadaltë dhe relaksuese zakonisht preferohet gjatë situatave shumë stresuese. Megjithatë, nga opinionet e marra nga disa studentë ata shprehen se preferojnë edhe meloditë e shpejta dhe energjike, veçanërisht kur studiojnë ose angazhohen në aktivitete që kërkojnë përqendrim.
Kur bëhet fjalë për menaxhimin e stresit muzika është një element që ndikon pozitivisht dhe mjaft të rinj e pohojnë këtë gjë. Ata shprehen se muzika dhe aktivtetet sportive dhe fizike i ndihmojnë kur ata ndihen të stresuar. Ne intervistuam disa të rinj student në universitetin e Tiranës dhe të universitetit të Shkupit dhe u pyeten se çfarë lloj muzike dëgjojnë dhe çfarë lloj muzike i ndihmon ata të studiojnë me efektivisht kur janë në një periudhë stresuese? Një nga studentet e intervistuara (Saranda Mehmedi) u shpreh se: “Preferoj të dëgjoj muzikë klasike kur jam e stresuar. Gjithashtu, më pëlqen të meditoj për të çliruar stresin”, ndërsa studentja Monika Aksentievska tha se: – “Preferoj të relaksohet nën shoqërinë e muzikës rok duke përmendur Coldplay si artistët e saj të preferuar”. Nga përgjigjet e të rinjëve kuptuam që muzika që dëgjojnë kur ata janë të stresuar fillon që nga muzika klasike e Mozart e deri tek zhanri rap dhe pop si rrymat më të pëlqyera nga të rinjtë.
Si përgjigje ndaj stresit shërbejnë shumë teknika por e rëndësishme është që të kuptojmë se stresi mund të menaxhohet dhe vetë të gjithë të rinjtë mund të punojnë për të reduktuar stresin. Të rinjtë duhet të kuptojnë që është normale që të ndihen të stresuar sidomos nga sfidat, problematikat dhe vështërsitë që hasin çdo ditë të jetës së tyre. Por ajo që duhet të bëjë çdo i ri/e re është që të vlerësojë veten dhe shendetin. Të rinjtë duhet të dinë që aktiviteti fizik, marrja me sport, gjumi i rregullt, ushqimi i shëndetshëm, komunikimi me bashkëmoshatarët, me prindërit apo persona të tjerë te të cilët kanë besim, zhvillimi i një pasioni personal mund t’ju ndihmojnë të ndiheni më mirë kur jeni të stresuar.
Autorët:
Aleksandra Bogeska
Anisa Luli
Valerija Taneva
Markelian Hysa