Shqipëri – Kili luhet në Parma, shiten 10 mijë bileta

Shqipëri – Kili luhet në Parma, shiten 10 mijë bileta

22 mars 2024 ora 19:00. Kjo është data dhe ora e fiksuar në mendjen e çdo tifozi të kombëtares shqiptare të futbollit, pasi kuqezinjtë e Sylvinhos zbresin në fushë në një miqësore kundër Kilit, e cila luhet në Parma të Italisë.

Kompania që merret me menaxhimin e këtij dueli ka bërë me dije se për sfidën e “Ennio Tardinit” janë shitur deri sot afro dhjetë mijë bileta. Pjesa dërrmuese e të interesuarve janë shqiptarë, kjo edhe për faktin se një numër i madh i bashkëkombasve jetojnë dhe punojnë tej Adriatikut.

Me kapacitet prej 22.350 vendesh, pritet që orët dhe ditët në vijim interesi për bileta të jetë i shtuar dhe stadiumi i Parmës të jetë i veshur me ngjyrat kuqezi. Veç këtij dueli, më 25 mars në Stockholm kuqezinjtë luajnë miqësoren e dytë kundër Suedisë.