Kisha dëgjuar të flitej pafundësisht për romanin ‘I huaji’ të Albert Kamys. Kurioziteti im kishte arritur majat, por nuk kisha pyetur se për çfarë bën fjalë, sepse më pëlqen të luaj me veten duke menduar se cili mund të jetë subjekti i një libri. Derisa një ditë hyra në librari dhe e bleva këtë libër misterioz. Në mendje më ndërthureshin shumë ide të ndryshme që i lidhja me titullin ‘I Huaji’ vallë mos fliste për dikë të huaj në jetën e tjerve?
‘Mamaja ka vdekur sot. Ndoshta ka vdekur dje, nuk e di.’ kështu hapet historia e Mersoit që nuk është aspak emotiv, nuk pret asnjë mrekulli në jetën e tij, por i është nënshtruar fatit dhe rutinës së përditshme, duke braktisur shpresën për të bërë më mirë. Ai nuk vajton për vdekjen e mamasë, sepse ai e priste vdekjen e saj, jo me dëshirë, por si një ngjarje që duhet të ndodhte sepse kështu e parashkruan fati dhe rregullat jetësore. Deri diku këndvështrimi i tij ishte i drejtë, mosha e thyer e së ëmës e bënte të natyrshme largimin nga kjo botë, edhe ne vetë e dimë që më të moshuarit do të largohen përpara nesh ky është rregulli i nënës natyrë. Por keqardhja për prindin mbetet njësoj pavarsisht moshës, keqardhje që Mersoi e mbajti të fshehur, për të mos e shfaqur as në vetvete. Ata prej disa kohësh nuk jetonin më bashkë, sepse kishin pranuar se nuk kishin më çfarë t’i thonin njëri-tjetrit. E trishtë! Sesi nënë e djalë nuk mund t’i ofronin lumturi dhe paqe shoqi shoqit.
Heroi ynë kryesor ishte i lodhur për të zgjedhur jetën që donte, kishte lënë të tjerët të vendosnin për jetën e tij. E dashura qëkishte vendosi se duhet të martoheshin dhe ai nuk kundërshtoi, jo se e donte aq shumë e kishte frikë mos e humbiste, por sepse nuk kishte fuqi të debatonte. Nuk deshte të dëgjonte të qarat që do të vinin pas mohimit dhe për më tepër ishte shumë i lodhur të njihej me një vajzë tjetër pas ikjes së saj. E pëlqente, kaq mjaftonte!
Mersoi nuk prishte qejf me njeri, jo se nuk kishte mendime të veta, apo se kishte frikë të debatonte, po nuk donte të lodhej duke argumentuar e duke u munduar për të ndryshuar të tjerët, kur ai nuk ishte i aftë të ndryshonte fatin e vet.
Kur ai vrau arapin, si pasojë e një konflikti që ky i fundit pati me një mik të tijin, nuk ndjeu keqardhje, dielli i errësoi syt apo zemrën mbetet mister për të huajin tonë.
Në pjesën e dytë ne shohim gjykimin që i bëjn të tjerët Mersoit. Sesi reagimet e tij jo emotive kanë ndikuar në pasqyrimin e tij tek sytë e të tjerve. Askush nuk e kupton atë dhe këputjen midis fillit të të jetuarit dhe të mbijetuarit që i ka ndodhur atij përgjatë jetës. Mos pasja e vullnetit për të jetuar e shndërroi në një frymor pa pritshmëri dhe të huaj për vetveten dhe për të tjerët përreth tij.
Më ka pëlqyer shumë, një histori e treguar e bukur, thjeshtë, pa krahasime e pa zgjatje të tejskajshme. Rrëfimi bëhet sikur po tregohet ngjarja në momentin e veprimit, detyrimisht të bën për vete, sepse të duket sikur je dëshmitar i një situate të pandodhur ende.
Në mendjen time kisha stisur subjekte të ndryshme se kush mund të ishte i huaj për kë, por se kisha menduar se mund të ishte njeriu për veten e tij.
Jua sygjeroj, sepse do t’ju pëlqej vërtetë!