U ngrit sërish vonë edhe sot kur i duhej të shkonte më shpejt se zakonisht në punë. I duhej të merrej me përllogaritjen e gjendjes së mallit në supermarketin e njohur “Univers”. Aty bënte thuajse një vit, që punonte si punëtor i thjeshtë.
Zilja e orës binte pa pushim me atë zërin e saj cingritës. E pushoi me përtim. Në kokë i rrotulloheshin ende disa pamje të mjegulluara të ëndrrave që shihte, sa herë i mbylleshin sytë. Mbrëmë ndenji deri vonë për të përfunduar së shkruari një tregim që e mundonte me kohë.
“E pa veten në një sallë stërmadhe. Me shandanë mbushur qelqe farfuritëse, karrike tërë luks, kamariere më të bukura se hëna. Ecnin e shërbenin duke bërë ca veprime tërë delikatesë, thua se jepnin shfaqje kërcimi. Iu afrua një njeri, me një veshje tepër qesharake, mbante një kapelë katrore në kokë, me një litar në formë xhufke në fund të tij e cila i varej në anën e djathtë të fytyrës. Rroba, me disa ngjyra, një tip dollomaje blu e errët, thyhej me të kuqe, të kafta në jeshile. Ky tip i buzëqeshi ëmbël. U përkul plot finesë para tij. Duke i bërë shumë temenara, iu drejtuar me: -“Fort i nderuari. Fort i shkëlqyeri. Fort i mrekullueshmi. Fort i madhi shkrimtar. Dhe papritur vazhdoi pa atë “Fort”: -“Zoti Laku, ky është një nder i madh për Akademinë që sonte ndodheni pranë nesh…”.
Por nuk kishte hiç kohë, bile as të kujtonte vazhdimin e ëndrrës. Ëndrrat, por edhe vegimet, po i shtoheshin shumë këto kohët e fundit, aq sa i shfaqeshin edhe gjatë ditës. Vend e pa vend ato i shtjelloheshin para syve, le t’i kishte edhe hapur. Shihte ngjarje e vende të çuditshme. Ndonjëherë, dallonte veten se si nderohej kudo. Edhe kur shkonte tek berberi, apo në supermarket e respektonin më shumë se vetë kryetarin e bashkisë. Ishin bërë shqetësuese shfaqjet e këtyre imazheve, sa ato i dilnin para syve edhe në punë apo në rrugë. I ofronin një realitet tjetër, ndryshe, herë herë të rregullt, herë herë të kthyer kokëposhtë. Ngjarjet e vendet përziheshin aq keq, sa atij i merrte shumë kohë t’i shtjellonte. I dukej sikur jetonte më shumë atje, në botën e atyre imazheve, se sa këtu, në botën reale, ku i duhej të ishte në radhë të parë, në rregull me orarin e punës.
Por tani, në realitet, po u hidhte ujë syve shpejt e shpejt. Lante dhëmbët, ruhej e vishej me një frymë e kafen e merrte në një gotë plastike njëpërdorimshme, ta pinte rrugës për në punë. Në korridorin e dhomave të veshjes e pa shtrembër përgjegjësi i turnit, nga që erdhi pesë minuta me vonesë. Vonohej ndonjëherë edhe më shumë, por ia falnin, meqenëse punonte si kalë e nuk hapte gojë. E pa Meli, që nga kamarja e shërbimit të rrobave të punës, ia bëri me shenjë të afrohej vrap, (kurse atij iu duk se Meli nuk ishte aspak ajo që njihte gati një vit tashmë, por iu vesh në çast me një robdeshambër të zi duke e ftuar të bënin atë punë me tundje e shkundje). Ia rrasi në dorë uniformën e tij, i tha: “Shpejt se të pa ai”. E falenderoi me një të tundur koke e puthje ajrore. Iku me vrap. Hapi derën. Kërceu brenda. U ndërrua, thua se i grisi rrobat.
Mendja i ngeli ende te shndërrimi i çuditshëm i Melit. për habi, tani, nuk po i vinte ndërmend më asnjë imazh. Thua se dikush e kyçi me dryn derën e tyre. Atëherë kur i duhej të sqarohej me atë figurë të hirshme femërore, me robdeshambrin e zi e që e joshte fare pa turp. Zuri vend me vrap në zonën me rafte të përgjegjësisë së tij. Fatmirësisht aty s’ndodhej ndonjë përqark. Hodhi shpejt e shpejt disa gjëra të lehta e jo të thyeshme përtokë, sikur kishte shumë kohë që ia kishte filluar numërimit. Pastaj mori shkresat se sa mall kishte pasur nëpër rafte e sa gjendej tani. Do të futej nëpër ca numra, nga ku s’dihej se kur do të dilte e dita do të rridhte mërzitshëm e pa ndonjë interes.
*
Kur mbaroi turnin e doli nga supermarketi “Univers”, u drejtua të blinte një paketë cigare. Plaku çalaman që shiste në një dyqan të vogël çikërrimash i bëri pak muhabet. I rrasi, për resto, dy çokollata të lira në dorë, (me gjithë kundërshtimet e tij, se nuk i fuste në gojë fare ëmbëlsirat), se nuk i gjendeshin të holla. Doli i mërzitur, pa një kosh llozhrash e deshi t’i hidhte çokollatat. Dëgjoi një: -“Ndal, dokumentet”. U shtang e u shastis aq shumë, sa duke kërkuar dokumentet që për dreq mungonin nëpër xhepa, u zgjati dy policëve ato çokollatat resto të plakut çalaman.
I lidhur me pranga, u gjend në stacionin policor. Do të rrinte aty dy ditë, se ishte fundjavë, deri sa të vinte shefi, i thanë dy policët. Ata u fyen më shumë nga zgjatja prej tij e dy çokollatave, se nga mungesa e dokumenteve si emigrant që ishte në atë vend të huaj.
-“Për dreq i kam harruar në shtëpi sot dokumentet”, -iu përgjigj ai, duke shfajësuar veten si fëmijë harraq, dy policëve të bëshëm e me fytyrat që u egërsoheshin, sa herë ndalnin në rrugë emigrantë nga vendi i tij. Por ai mbushte disa vjet që ishte bërë “i rregullt”, duke plotësuar një mal me shkresa e paguar nja tre avokatë. Sa më në fund, pas një vit e gjysmë, arriti ta shtrëngonte në dorë dokumentin, që i jepte të drejtën të quhej “I rregullt” edhe për gjashtë muaj. Lejet qenë dy vjetore, por asnjëherë nuk dilnin shpejt, kështu që herë herë digjeshin, duke pritur daljen e tyre, herë herë nuk dilnin fare. Të gjithë thoshin, se “Ata” e bënin këtë, që të paguaje avokat, për t’i nxjerrë shpejt, por ai nuk mendonte kështu. Hamendësonte se ky shtet ka dhe hallet e veta, ka dhe ligjet e tij të brendshme e nuk nxitohet, por mendohet mirë para se ta ndajë shapin nga sheqeri.
Në dhomën e paraburgimit e sollën të lidhur si Oso Kuka. E pyetën për të dhjetën herë: -“Pse u zgjati dy policëve çokollata në vend të dokumenteve? Atij iu bë mendja dhallë. Ua sqaroi shumë herë, se u shtang nga kontrolli i papritur. Ndërsa kontrollonte xhepat për dokumentet u zgjati çokollatat atyre, se nuk dinte ku t’i çonte. Ëmbëlsirat nuk i vinte fare në gojë. Policët në fillim u gajasën. Pastaj u lodhën me përgjigjet e tij foshnjërore e u vrenjtën aq shumë në fytyrë, sa ai u frikësua deri në palcë. Ndërsa pyetjet vazhdonin e rivazhdonin, Ilia, (Ilir e quanin në vendin e tij, por në këtë vendin tjetër, kishin qejf t’ua shtrembëronin ca gërma, emrave të huaj), nuk po kuptonte, se ku donin të dilnin ata zotërinjtë policë e tani këta hetuesit. Ata po e grushtonin si mos më keq e po i hiqnin ca shqelma të mira, duke i thënë sharje, nga më të bukurat në gjuhën e tyre të lashtë.
-“O shqiptar i ndyrë, (në këtë vend, fjalën shqiptar e shqiptonin me shumë qejf, e përdornin gjithnjë, vend e pa vend, në fund, ose në fillim të çdo fjalie), na trego, se pse i ke në xhep ato çokollata, kur nuk i ha fare ëmbëlsirat?!”. -“Cili bashkëpunëtor t’i dha e përse, o shqiptar i poshtër?!”. -“O shqiptar budalla, ç’deshe t’u japësh çokollata policëve, a nuk e kupton se, ky mund të quhet një akt i pastër terrorist?!”. -“Po sikur të fusje lëndë shpërthyese brenda çokollatave, o shqiptar i zgjebosur?!”. -“O shqiptar muti, pse bredh lartë e poshtë pa dokumente?!”.
Ilia nuk po kuptonte gjë, i dhembte i gjithë trupi nga të goditurat, në fytyrë, në gjoks, në bark e vegla. Nëpër këmbë dallonte njolla të mëdha, të murrme. U mundua sërish t’ua shpjegonte ngjarjen, që nga fillimi deri në fund. Shkoi në punë me pesë minuta vonesë. Kur mbaroi turnin, vajti te çalamani i çikërrimtores për të blerë një paketë cigare, por plakut s’i gjendeshin të holla. I rrasi në dorë dy çokollata të lira për resto, të cilat ai më vonë ua zgjati policëve, pasi u hutua nga kontrolli i beftë i dokumenteve. Ato të shkretat, për dreq, atë ditë i pati harruar në shtëpi, kur nxitonte si erë për në punë, se qe vonë.
*
U zgjua të nesërmen, po vdiste urie. Në dhomën e ngushtë, sa një kolibe qeni, gjendeshin edhe emigrantë të tjerë. Rrinin ngjeshur, i bënin vend atij, të rrinte shtrirë. E sollën aty në gjendje të fikti. Shefi i postës policore erdhi e për çudi u tregua tepër miqësor. Kur mori vesh ngjarjen, ia plasi së qeshurës, aq shumë, sa u mek fare. I gjatë, thatim, por i mbajtur shumë pastër, me uniformën e tij blu, të shtinte një lloj të padiskutueshëm respekti. Shefi, kur e mori disi veten e thirri në zyrën e tij. Ilia erdhi duke çaluar nga plagët që iu krijuan nga rrahjet e policëve e hetuesve.
Pamja e Shefit u duk sikur ndryshoi në çast. U shtrembërua në fytyrë. Bashkoi pëllëmbët e duarve, siç bëhet kur dikush do të lutet para një ikone të shenjtë. U gjunjëzua para tij dhe me një zë përgjërues i tha: -“Zoti Laku.., qenkeni ju.., shkrimtari me famë botërore.., famëmadhi Ilia Laku, Nobelisti!!! Këta injorantë policë që kam këtu jo vetëm që s’lexojnë libra, por i përdorin ato vetëm si kaushë për farat që të shtyjnë kohën. Ja me kë kam të bëj me ca analfabetë që s’dinë se ç’është shkrimi e këndimi e jo më të lexojnë romanet tuaja të shkëlqyera e me vlera të jashtëzakonshme. Është një nder i stërmadh për postën tonë policore, për gjithë personelin e saj. Për mua në veçanti që jam edhe adhuruesi e tifozi juaj i çmendur, është një gëzim e krenari që s’thuhet me fjalë. Kur më njoftuan se kishin kapur e keqtrajtuar ashtu në mënyrë kafshërore një personalitet të përmasave botërore, një nobelist, u skandalizova. Nuk e doja më veten. Si mund t’jua shlyejmë këtë gabim fatal, që bëmë kundrejt jush, një ylli të letërsisë së sotme bashkëkohore? Unë e di, nuk shlyhet as me më falni, as me shuma të mëdha të hollash, as me shkarkime drejtorësh e policësh kokëgdhe. Kjo fyerje e turp i madh shlyhet vetëm me… . Shefi papritur nxorri pistoletën nga këllëfi dhe me një shpejtësi profesionale e afroi te tëmthi në të majtë të kokës e tërhoqi këmbëzën. U dëgjua një kërcitje e fortë e thatë, që të shurdhonte veshët”.
Ilia u trondit, u rrëqeth, tundi e shkundi kokën e hapi më mirë sytë e veshët. Pa si për çudi që ajo zhurmë si shkrepje revolveri nuk qe gjë tjetër vetëm përplasja e fortë e pëllëmbës mbi tavolinë e shefit. Siç duket e përdorte këtë gjest për t’i dhënë edhe më rëndësi fjalëve të tij.
-“Zoti Ilia Laku, në emër të stacionit tonë policor e në emrin tim personal, ju kërkojmë falje zyrtare për atë ç’ka ndodhi. Sot më erdhi në zyrë përgjegjësi juaj nga supermarketi “Univers”, ku punoni e na tregoi një kopje të lejes suaj të rregullt të qëndrimit. Ai gjithashtu na konfirmoi se ju jeni i punësuar për afro një vit tek ajo ndërmarrje e se jeni punonjës shembullor, si në punë, ashtu edhe në marrëdhëniet shoqërore. Në lagjen ku banoni, s’keni krijuar asnjë shqetësim. Gjithashtu, përgjegjësi doli garant për ju. Unë, duke shqyrtuar edhe ngjarjen, në çastin e kontrollit, nga ana e punonjësve të shërbimit policor, konstatova se në rastin tuaj ka një keqkuptim, që ndodh në raste të tilla, kur një emigrant gjendet pa dokumente me vete. Prandaj urojmë shërim sa më të shpejtë, nga ana e postës sonë policore. Por ju kujtoj e ju këshilloj t’i mbani përherë me vete dokumentet e lejes së qëndrimit e të mos i ngatërroni kurrë ato me çokollatat”. (Shefi i policisë ia plasi një të qeshure më të hatashme këtë herë, duke mos i kërkuar më të falur.)
*
Doli, duke e falenderuar, i skuqur (nga tallja e përsëritur e aspak me takt), shefin, që megjithatë, u tregua i sjellshëm e njerëzor në mënyrën e tij. Ecte në rrugë duke çaluar, plagët i dhembnin. Nuk po e kuptonte se cili i tha përgjegjësit të tij, se ai gjendej i arrestuar pikërisht në atë postë policie. Te ajo birucë qeni, ku nuk mund të shtriheshin as dy veta e ku të gjitha nevojat kryheshin domosdo aty?!
I çuditur mori një taksi e gjatë gjithë rrugës, ndërsa filloi të binte një shi i rrëmbyeshëm, u habit kur taksisti filloi t’i flasë gjithë respekt me një: -“I nderuari shkrimtar i famshëm, zoti Laku, është një nder i madh për taksinë time që gjendeni këtu, unë do t’ju shërbej me gjithë shpirt, nuk më detyroheni asnjë kacidhe për shërbimin tim, pasi shpërblimin nga ana juaj e kam marrë në sajë të leximit të romaneve tuaj të përkryer. Jeni me të vërtetë një gjeni, zoti Lak. Personazhet tuaj të hyjnë thellë në shpirt e nuk i harron kurrë. Dini t’i skalisni ata vetëm me pak fjalë. Jeni një piktor i vërtetë, fjalët tuaja, që përshkruajnë e pikturojnë aq bukur natyrën, nuk i shijon jo vetëm tek asnjë shkrimtar i këtushëm, por as te ndonjë i huaj gjithashtu”.
Atij i erdhi shumë mirë nga këto fjalë, por nuk po shquante dot rrugën, ku duhej ta ndalonte taksia, prandaj vendi ku iu desh të zbriste kaloi e taksisti u nxeh papritur me të, duke i thënë:
-“O zotëri, vendi ku më thatë të ndaloja ku është, se kështu, me këtë shi kaq të rrëmbyer, më duket se do bëjmë ndonjë aksident e hajde paguaj gjithë ato lekë pastaj.”
U habit shumë se si karakteri i taksistit kishte ndërruar në sekondë?! Por menjëherë e mblodhi veten e u kujtua për vegimet që i shihte edhe syhapur e i tha se: -“Pallati i tij ishte pak hapa më tutje e do ta bënte me këmbë atë copë rrugë”. Taksistit i erdhi keq, e çoi me makinë deri tek hyrja e pallatit të tij, duke shtuar se: -“Binte shumë shi e do të bëhej xurxull”. Pagoi e doli nga makina me një: -“Faleminderit” -të lodhur. Mezi iu ngjit tre kateve pa ashensor. Hapi derën e shtëpisë, ku iu fut në hundë një erë e keqe duhani e myku, e padurueshme. Hapi çalë çalë nga pak të gjitha dritaret. U shtri në shtrat i dërmuar, fjeti.
*
Nuk fjeti dot shumë, ca nga dhimbjet e plagëve të marra nga policët e hetuesit, ca nga i ftohti i shiut, që e bënin atë dhomë të vogël e pa ngrohje, jo shumë mikpritëse.
E mori në celular Kabila, një mulate e bukur. E njohu në një panair gatimi multikulturor, ku gatuheshin gjëra të çuditshme që në atë vendin e tij jo vetëm nuk i hanin, por as i imagjinonin dot, se mund t’i shijonin ndonjëherë të skuqura, apo në formë gjellërash. Ai sa pa, se aty ishin gatuar minj, hardhuca, zhapinj, bretkosa, milingona, miza, akrepa e lloj lloj kafshësh, zvarranikësh e insektesh të këtilla, u bë gati t’ia mbathte, por Kabila, një mulate joshëse, e pengoi. Ajo i bëri shenjë të provonte pak nga gjellërat e tyre. Iu përgjigj mohues, se nuk provonte ashtu kuturu e se i duhej të dinte përbërjen e atij lëngu të zi e të trashë. Nuk mbante mend se ç’kishte brenda ajo, që ai do ta pagëzonte me emrin “Supë”. Atij i ngeli në mëndje e qeshura e hatashme e Kabilës, dhëmbët e bukur e të bardhë që e trullosën fare. Fryrja e shfryrja e gjinjve të vegjël, por të bukur si dy portokaj, që atij ia verbuan edhe më shumë shikimin. Ato format e përkryera të trupit, të saj e marrosën aq keq, sa i tha me atë anglishten e tij të çalë, se interesohej shumë për gjellërat e vendit të saj të bukur, Havai. Se qe studiues i këtyre gatimeve ekzotike e do i duhej të njihte më nga afër edhe gatime të tjera të atij vendi e kësi broçkullash gjithfarëshe, në mënyrë që të takoheshin prapë me Kabilën. Kabila erdhi në takim, siç del dielli në një ditë me shi. E qeshur, tërë ngjyra, me fare pak rroba. Ajo ecja e saj, që dukej sikur vallëzonte, ishte me të vërtetë mbresëlënëse. Ngjante me ato vajzat rrëzëllitëse havajane, të sapodala nga pikturat e Gogenit. E ngjiti në dhomën e saj. Ngjante për nga ngushtia, jo nga rrëmuja me të tijën.
I tregoi disa formula gjellërash. Këndoi disa këngë të tyre, kërceu ca nga ato kërcimet havajane, pastaj e shtrëngoi fort pas trupit, duke e puthur e pëshpëritur në vesh: -“Tani është koha për dashuri.”
Kabila erdhi në shtëpi pas një ore, ishte larg. Punonte në një familje të pasur vendase, u gatuante, u mbante shtëpinë pastër. Këtë të dytën e bënte vetëm nëse nuk kishte shumë punë në kuzhinë. Kishte mësuar shumë gjellë vendase, por të zotët e shtëpisë pëlqenin edhe gatime nga vendi i saj. Në fillim nuk donin as të dëgjonin për kuzhinën havajane. Dalëngadalë, lexuan disa libra për vendin e saj që ajo i mbante gjithmonë në çantë e një ditë e porositën, t’u gatuante një supë, që u pëlqeu aq shumë, sa e futën në menynë e javës. Kështu që Kabila e pati edhe më të lehtë gatimin, pasi gatuante tre ditë sipas vendit ku punonte e tre ditë si në Havai.
U mundua t’i rrëfente Kabilës, gjithë ç’ka i ndodhi, por anglishtja e tij e dobët nuk e la. Ajo kuptoi shumë, kur ia pa shenjat e nxira në të gjithë trupin e i tha, se do ta mjekonte me ca melheme havajane, që ia kishte mësuar gjyshja. Ndërsa Kabila i përgatiste melhemet, atij i ishte hapur ajo deriçka, ku futej te ajo bota tjetër e pa se atje ku kishte mbërritur bënte shumë nxehtë dhe po e prisnin ca vajza shumë të bukura. “Nga mesi e lartë ishin lakuriq, kurse nga mesi e poshtë thuajse lakuriq, mbështjellë vetëm me ca gjethe palmash e degësh të holla. Një mulate e bukur perí, iu afrua me një kurorë degësh në duar e para se t’ia vendoste në kokë, i bëri ca përkulje deri në tokë, ca falenderime të zjarrta, ca mburrje për zotësinë e tij të shkrimit të romaneve. Vajzat e tjera, të bukura, thuajse lakuriq, iu afruan e futën në mes të rrethimit, gjithë duke kërcyer e kënduar havajançe. Pikërisht atëherë, ajo bukuroshja që e kishte bombarduar me: I shquari e i stërshquari shkrimtari i madh z. Laku, ia vuri në kokë atë kurorën që e mbante në dorë për kaq kohë”.
Plagët kishin filluar t’i përcëllonin shumë, Kabila e kishte bërë melhemin e po ia shtronte nëpër to me dorë. U mundua t’ia kapte kokën e ta puthte, por s’mundte ngaqë dhimbja tani ishte bërë tepër acaruese dhe ajo nuk ia lejoi, pasi nuk donte që puthjet dhënë asaj, t’ia shtonin dhimbjen edhe më shumë. Kabila i tha të mos lëvizte deri nesër, që të gdhihej qiqër. Pastaj iku, mori me vete diellin, bukurinë e la pas atë melhem kaq të mirë për trupin e zemrën e tij, sa ai e bekoi sërish e sërish ditën kur u njohën tek ai panairi i gatimeve multikulturore, me ato gjellërat e shpifura.
*
Të nesërmen kur u zgjua e pa veten në shtrat, bëri të ngrihej por nuk mundte, dhimbjet i ishin shtuar, koka i ziente, i gjithë trupi i përcëllonte. U habit se pse ato melhemet havajane të Kabilës nuk i kishin bërë mirë. Mori celularin i zemëruar t’ia thoshte këtë gjë, por teksa kërkoi dy-tri herë me radhë gjithë katalogun e emrave, nëpër blloqe të tjera shënimesh, në copa letrash por edhe në celular, nuk gjeti asnjë emër Kabila në to. E plasi celularin i dëshpëruar në dysheme e ulëriti nga plagët e marra në hetuesinë e postës policore. Jo vetëm nga ato, por edhe nga dhimbja që sjell kthimi në realitet e kjo për “Shkrimtarin e Madh, Nobelistin Ilia Laku”, qe një plagë që s’mund ta përthante asnjeri, as melhemi i Kabilës bukuroshe. Pas një ore e mori përgjegjësi shpirtmirë që ndërhyri për të te Shefi, që ta linin të lirë. Ilia e informoi për gjendjen e tij të shkatërruar, se i duhej një kohë e caktuar për t’u shëruar që të kthehej sërish në punë. Përgjegjësi duke mërmëritur nëpër dhëmbë i tha se: -“Në se nuk shërohej brenda dy ditësh e kishte të humbur vendin në supermarket. I ulëriti gjithashtu, se e kishte braktisur punën në një kohë që u duhej të përballonin pikun më të madh të saj, përllogaritjen e gjendjes së mallit”. E mbylli telefonin duke ia përplasur në fytyrë e “Harroi” të thoshte edhe atë shtampën e këtyre rasteve: “Të shkuara”.
Ilia e kuptoi se tashmë edhe kjo punë i la lamtumirën, se ai për dy ditë e shumta e shumta, mund të bëhej i zoti të vente me këmbët e tij deri në banjë.
07.2012-07.2017