“I DASHURUARI ME NJË GUR.” Tregim nga Andi Meçaj

“I DASHURUARI ME NJË GUR.” Tregim nga Andi Meçaj

Afër lumit personal të zotit B, fshihej një fshat i gjithi i gurtë. Njerëzit kishin karakteristikat e gurit, ca koka majucore, hundë xhunga xhunga, sy xixaguri. Mbi të gjitha kishin një kokë shkëmb të fortë, që s’tundej as nga kërcënimet e as nga këmbënguljet e të tjerëve.
Njëherë ata shkuan të gjithë siç ishin të armatosur me nga një gurzalli nëpër xhepa e ia bënë xhamat thërrime buke bashkisë së qytetit. Disa tufa të shumëuritura zogjsh i morën për thërrime buke të vërteta e u sulën të babëzitura për të ngopur urinë.


Nga gjithë këto karaktere të forta gurë ndoshta nga vetë natyra e tyre që rrethohej nga gur e ndërtime që për material të parë kishin gurin, dallohej zoti B. Ai rronte në një shtëpi të bërë prej guri. Krevatin, tavolinën e shumë gjëra të tjera shtëpiake i kishte prej guri. Ndjenjat i ishin ngurtësuar aq sa s’fliste më me njeri, por mbante për shoqëri një zall të madh gati një kilosh, që u gjend mbas një stuhie të llahtarshme e të paparë ndonjëherë në fshatin e gurtë.


Ushqimet i merrte nga dritarja, ose më mirë frëngjia, se ishte aq e vogël, sa një vrimë miu. Nxirrte çdo javë një kosh me një litar. E ulte, e ngrinte aq herë sa i nevojitej për marrjen e ushqimeve, sa ti mjaftonin për një javë të tërë. Pasi zgjohej në mëngjes, hapte baxhuret e vrimave nga ku hynte një reze e fortë dielli që të shponte e pastaj zgjonte nga gjumi dhe shokun a shoqen e tij gurzallin e stërmadh që mezi e mbante nën sqetull se mos i rrëzohej e i vritej.


Kur hanin, ai ushqente njëherë atë gurzallin, ose bënte sikur i jepte për të ngrënë. I vizatonte me një markador të kuq buzët, me të ziun sytë e me të kaftin flokët gjysmëkaçurel. Kur sigurohej që ishte i ngopur, i kthehej vetes e ngopte edhe atë, duke u përtypur me kujdes e tërë delikatesë, sikur të ishte princ. Mbasi mbaronte riti i të ngrënit, ata çoheshin e bënin një larje jo të zakonshme. Në fillim lahej ai e gurzallin e linte jashtë vaskës të shihte, duke ia kthyer sytë andej nga ishte vaska plot me ujë e shkumësapuni me erë të mirë që zoti B e kishte ruajtur me aq fanatizëm për kaq e kaq vite me radhë. Pastaj pasi thahej i vishte rrobat e reja përsipër, i bënte trup njerëzor gurzallit duke ia vizatuar dhe e vinte në vaskë. E gurzalli u bë Gurzall!


Gurzalli mbytej e vente në fund të vaskës. Kur kujtohej se ai ishte në rrezik, zoti B e nxirrte duke sharë veten pse e harroi ashtu. Dhe fillonte e i fliste Gurit si femrës që ai e kishte dashur si asnjë tjetër në këtë botë.


-“Si kështu moj budallaqe, si ma bërë këtë broçkull e vajte re në fund?”. -“Përse s’notove pak. E di unë përse-në? Sepse, ti do, që të më provosh në se unë të dua?! -Po ja ku ta them se dashuria është e rrezikshme, prandaj kërko falje sa nuk është vonë”, mbaroi zoti B me gishtin drejtuar gurzallit, pikërisht në atë pikë ku ishte mesi i tij.


E kështu pasi bënë banjë u ulën në minder e filluan të ndiqnin TV me ca syze që ishin kundra rrezatimeve sykeqbërëse. Më në fund erdhi nata, çifti i çuditshëm do të kryente detyrimet e tyre bashkëshortore.
Ai u fut, pa një-pa dy nën mbulesa, aty po e priste ajo (ose ai), por në këtë rast (ai kthehej në ajo). Markadori magjik kishte vizatuar dy gjinj të vegjël, dy këmbë të holla, ku në mes shquhej diçka e zezë si flokë. Një vizë të bardhë vertikale, por e dredhur si gjarpër. Pasi u ngopën së bëri seks gjithë natën, ata i zuri gjumi si dy dashnorë që sapo janë sfilitur nga ngopja e nevojave të tyre seksuale.


Dikush e shkundi nga krahu, ishte Silvia, dashnorja e Besnikut. Ajo s’kishte vënë gjumë në sy nga të bërtiturat e tij e nga ofshamat seksuale që lëshoheshin pa doganë gjatë gjithë natës. Më kotë ishte munduar të bënin seks, ai i kishte thënë se s’mundej sonte e ia kishte këputur gjumit për shtatë palë qejfe.


-“Oh Silvi, pse më zgjove moj dreq, atje tek momenti më i bukur ma këpute fillin, eh ç’bukuri, ç’madhështi që kish, lermë se se shpreh dot e dashur”.
Pasi mbylli sytë përgjysmë, për çudi iu duk një gurzall i stërmadh aty përbri që zgjaste duart prej guriçkash zajesh drejt tij. Ai i befasuar, në mënyrë mekanike, shtriu në fillim trupin për andej e pastaj me një lëvizje të prerë, i përfshiu duart rreth e rrotull kokzallit të bardhë si dëbora e rënë midis ndjenjave të tij e të Silvës.


22.03.2001

Autori Andi Meçaj