Dy figura njerëzore zhbëheshin nën dritën e zbehtë të një qiriu. Zhdukeshin progresivisht me zhdukjen e jetës së qiriut. Ato sa vinin e bëheshin fantazma, njëra pranë vdekjes e tjetra pranë saj, dërmuar nga lotët e pikëllimit të parrëfyer.
Gruaja, një gjashtëdhjetëvjeçare e mbajtur me finesë e krekosur si mace dhe e përkëdhelur si adoleshente, mbështillej me jorgan, si për tu ruajtur nga ndonjë figurë e padëshiruar. Megjithëse i dashuri i saj besnik e tepër i sinqertë, s’përtonte t’i shqiptonte sa e sa herë në orë se asgjë s’kishte të dyshimtë në dhomë. Se ajo për një javë, do të bëhej si kokrra e mollës. Do ngrihej e do ushqente të parat pulat, pastaj veten e saj, pastaj vetë atë (ai e përçmonte përkujdesjen e tepruar për pulat “Qytetare” që gruaja i blinte tek tregtarët ambulantë). Ajo u bë si fëmijë e me fiksime. I tha burrit të saj zotit A se po të mos të bënte banjë me ujë të ftohtë, të priste flokët tullë, të hante shtatë pjata supë pa bukë, e më e çmendura, të vriste më vrasësen e mushkonjave vdekjen, që asaj për një arsye të çuditshme i dukej si mushkonjë. nuk do të shërohej asnjëherë por do të vdiste në vend. Zoti A, i bëri me zell e shkathtësi të madhe ato që i përcaktoi gruaja e tij. Mbas ca kohësh monotonie, doktor S-ja, ose më mirë shkencëtar S-ja, më shpalli se gruaja ime e dashur do të shërohej për një javë e se asgjë s’kishte pësuar, pra po shërohej.
Ç’farë gëzimi shprehu zoti A, s’imagjinohet dot! Kaluan javë e shoqja u bë qiqër, si kokrra e mollës. Iu mbushën zgavrat e syve. U rrumbullakos mirë, u bë më topolake nga ç’ishte. Goja filloi t’i punonte sahat, më mirë se kur e la. Rregulloi shtëpinë e shkundi e lau e pastroi e shtrydhi gjer në palcë e më në fund e përpunoi siç ia kishte ënda. E leu, si një nuse të sapo martuar. Doli diçka origjinale. Muret morën ngjyrë zemërpjepri, kështu që pikturat e bëra nga shoku i të shoqit, duheshin blerë të bukura, e të shkonin me ambientin përreth e të kishin korniza të gjera e me peshë të madhe. Mbasi e mori gati zvarrë zotin A, (ai kishte punuar marinar detrave të botës, për tridhjetë vjet me radhë). U futën përkarshi pallatit tjetër, për të gjetur studion e piktorit me emër P. Piktori, një burë rreth të dyzetepestave, ishte i gjallë e pak ezmer, me sy të bardhë. Nënqeshja e tij të pushtonte krahët e rrokeshe me të si me vetë jetën.
Dyqind, ranë dakort, por më përpara se të vinte kjo marrëveshje, iu parapri një mosmarrëveshje jo aq e vogël tragjikomike. Gruaja e zotit A, ishte e stërngopur me temat për detin, me pikturat e blera me vaporë të stërmëdhenj, të pagëzuar me emra të bukur, të shumëllojshëm femrash që i shoqi kishte porositur t’ia bënte piktori me famë kombëtare e ndërkombëtare.
Ajo mundohej të zhytej thellë e sa më poshtë binte brenda vetes së saj, edhe më shumë i ndizej ai lloj inati e xhelozie për femrat e shndërruara në kësi lloj përbindëshash. Lundronin detrave, duke tundur vithjet e tyre tashmë të rënduara nga plakja e tonelatat e dëshpërimit, për tokën e të dashurit e tyre, që s’dinin ku do t’i takonin në tokë a në qiell? Një gjë e dinte me siguri bashkëshortja e zotit A. Do të ngulte këmbë, bile bile do të thërriste me të madhe. Do të mblidhte gjithë gratë e pallatit, për t’i mbushur mendjen atij njeriu të dashuruar gjer në fiksim me profesionin e tij, por që ajo e urrente për vdekje tashmë, të hiqte dorë nga porosia e telajove të pikturuara me tematika të tilla. Jo. jo, ajo kurrë më s’do e ulte aq shumë veten e të pranonte edhe një të vetme pikturë, qoftë edhe njëzë me një grimë det, a anije, mjaft më.
Kur ajo po këmbëngulte potershëm që i shoqi të hiqte dorë nga porosia e pikturës me temë deti e anije përbindëshe me emra joshës femrash, një e qeshur me shpirt u dëgjua nga kthina e hapur para dhomës së pritjes. Ishte shoqja shumëvjeçare e piktorit. Një topolake e shkuar nga mosha, me flokë të lyera, me hundë të rrumbullaktë, syshqyer si pijanece, që dehej edhe më ujë të gazuar, këtë përshtypje i la zonjës e bashkëshortes A.
Ajo me të qeshurën e saj shpotitëse, i dha një shpjegim, ndoshta një zbulim anës së fshehtë së urrejtjes që gruaja e A-së përndjente për anijet e ngecura mureve (të lumturisë), të saj bashkëshortore. Megjithatë konstatimi i asaj gruaje i pëlqeu.
-E shkreta, është mësuar të shikojë mureve gjithmonë anije gjigande të rrethuara me doemos nga ujëra. Tani, me të drejtë, s’do më as t’i bjerë era anije a det. Është e gatshme të pranojë edhe pikturën më të dobët me temë tokën, sesa të nënshtrohet sërish. Ia këputi një qeshjeje kukuritëse. Më në fund zoti A u lëkund, u thye nga vendosmëria e gruas e tha: -“Që ishte më mirë të zgjidhte gruaja, ç’të donte ajo”.
Eh ç’gëzoi gruaja. Por e ndrydhi thellë gëzimin, harenë, triumfin femëror mbi egoizmin mashkullor. Xhelozinë e saj, mbi dashurinë e tij, për ato emërtime anijesh të pagëzuara me emra të bukur femrash.
Zgjodhi një natyrë të qetë, me lule e fruta. Një metër me një e gjysmë. Paguan piktorin, i cili u kënaq si nga pagesa ashtu edhe nga heqja qafe e çiftit të bezdisshëm. Dolën jashtë pa folur, kështu vazhduan deri në apartamentin e tyre të ngrohtë.
Kjo heshtje e ëmbël e butë dhe kureshtare u mërzit shpejt mes bashkëshortëve. Iku nga ta e u fut brenda pikturës së sapovarur në murin e sallonit.
Në mëngjes, burri, zoti. A, u trondit shumë, kur e pa gruan e tij të dashur të rrëzuar pa ndjenja, përtokë, pranë pikturës me natyrë të qetë. Edhe ai ngriu, kur sytë vunë re me tmerr, një anije gjigande, një metër me një metër e gjysmë, varur pikërisht në atë vend, ku ishte varur piktura e re, blerë dje te piktori P. me famë botërore.
02.2001-07.2017