Një dhimbje koke më mbërtheu e s’më shqitej, që s’më shqitej. Piva dy aspirina bayer e prapë më kot, dhimbja bëhej më e paduruar se kurrë. Kërkova në xhepin e brendshëm të fëshfëshes e zbulova hapjen magjike. Një kokërr e vockël e portokalltë, sa një bërthackë ulliri, që nga babëzia për shërim, u gëlltit pa pirë asnjë gllënjkë ujë. E desh u mbyta, megjithatë mendimi se ishte ajo që duhej për dhimbjen time të paduruar që s’më shqitej e s’më shqitej sikur më shëroi, pa mu futur në stomak hapia “magjike” .
Muaj, i papunësuar, endesha rrugëve të A-së, një metropol i stërmadh e i çuditshëm. Me njerëz që kur i takoja herë më ngjanin të verdhë, e herë të kuq, herë të zinj, e herë të bardhë. S’kisha parë ndonjëherë në asnjë vend të botës, ku njerëzit t’i ngjanin kaq shumë njëri tjetrit.
Duke hapuar kapelja ime fluturoi nga era e papritur e fillimpranverës. Mbuloi fytyrat e dy dashnorëve, jo shumë të rinj, që atë çast sapo hanin si të babëzitur gjuhën e njëri-tjetrit, (mua më shumë mu duk sikur e lëpinin si akullore).
Të stërlodhurat këmbë më bënë grevë me paralajmërim për mos vazhdimin e shëtitjes endëse e pa asnjë synim. Bëra ç’bëra e u dorëzova, se pa këmbë, më falni as në banjë s’vete dot. U ula në një stol të stacionit që të çon për nga shëtitorja buzë detit J.
Oh ç’det! Më i thellë e më i bukur se ai, s’besoj se ka në këtë botë, megjithëse asgjë s’do mburrur më shumë se diçka tjetër.
Fustani i gjerë, e cipëhollë, i njërës përkarshi më përvëloi fytyrën, më gjallëroi. Më dha një drogë shumë të fortë. Dëshira e burrit lëshoi rrënjë të thella, si duar pleqsh me thonjtë e paprerë shekullorë. Thashë me vete, a s’vete dhe ti ku të të çojë bukuroshja ?!
Ashtu bëra.
Bukuroshja copëhollë, e fustangjerë më braktisi për pak, e më vonë u ul përballë meje.
“Oh ç’është kjo dritë, ky diell o zot, si mund ta duroj”, -zëbrendësohesha.
Rënkimi i biletës së saj të bërë shuk më tërhoqi vëmendjen e më kujtoi se duhej shtypur bileta, u bëra gati të ngrihesha, por presa e hollë e kuponit të udhëtimeve njëmujore gati sa s’më kafshoi.
Shpejtësi e madhe për një autobus, mendova, megjithatë autostrada mahnitëse, e me një gjelbërim të mrekullueshëm, sikur e shfajësonte shoferin e ri në moshë. Sytë e mi përpak e më humbën. Mi kishin rrëmbyer dy portokallet zemërkuqe e me majuckë verdhoshe, që dilnin në pah si altoreliev, nga nënbluza e vajzës.
Një zhurmë e shoqëruar me një tërsëllitje të tejzgjatur e ndaloi autobusin, e frenoi në vend. Rrëshqita për dhjetë metra me radhë. Sekondat, mu dukën të gjata si orë.
Fustangjera e copëholla mu hodh ndër krahë. Para kësaj, qe ajo periudhë kohore e distancës nga karrigia ime tek e saja, që mu duk se ishte një kilometër, shumë, tepër e gjatë. Ato pamje s’do më shqiten, ajo bukuri e hirësi, ai seksëzim aq i shpeshtë, s’më ka ndodhur kurrë në jetë (mos thuaj kurrë, kurrë).
Kofshët e holla poshtë, e të bëshme lart në rrëzë më çmendën fare.
Një sekondë – një valëzim fustani, a pale, një valëzim kofshe, a zbulim rrëzë kofshe.
Dy sekonda – një rrahje e lehtë gjinjsh të pavjelur ende më përmalloi, gjer në ëndërra.
Tre sekonda – një shushurimë mishi, a seksi?
Katër sekonda – një rrjetë merimange flokësh bojarta a rrezedjellore, ma pushtuan hapësirën midis zemrës sime e të sajës.
Pesë sekonda – një gojë, dy sy, duar e buzë mu bënë sallatë, s’pashë se nga vajtën, buzët u bënë sy e sytë gojë, hunda buzë, e goja sy.
Gjashtë sekonda – një jetë në vallëzim frike a tmerri?!
Shtatë sekonda – një emër i bërë mbiemër a një mbiemër i bërë emër?! Një qenie pa shpirt, përleshej me shpirtin e frikësuar për jetë a vdekje.
Tetë sekonda – një zemër, ku tik-taku i orës tashmë i ngjan tik-takut të bombës.
Nëntë sekonda – një figurë e zhbërë në ngadalësim videoje a jete.
Dhjetë sekonda a një orë – dy plazma, bashkim rrethanash a viktimë e rëndesës, dy…?
02.2001-07.2017