SI VEZË PASHKE
Sa herë të mendoja e të mendoja ty
ish një pemë me shumë yj’ pëmbi
e një kohë e kthjellët, e kthjellët,
me aq shumë qiell në muzg e në natë.
Kish qiell, më beso, shumë qiell,
edhe kur terri binte si perdja në skenë
pas aktit të fundit të një tragjedie.
Qiell i kthjellë në ajër, në shpirt, në vjeshta.
Pastaj ti erdhe,
si vezë pashke lëshuar lumit.
Vezë e ngjyer në të kuq perëndimesh, muzgut kur na mbështolli aq shumë kaltërsi.
Erdhe fill pas çastit kur pata filluar
ta harroja pemën me yjet xixues mbi të.
Kur harresa u bë ura mes meje e dashurisë,
erdhe ti si vezë pashke nëpër lumë,
ndërsa një zog i panjohur diku krisi lëvozhgën.
Diku, që nuk ish më diku
mu në degën e pemës së një kohe ti erdhe.