Dëgjova në një video ku z. Agron Dalipaj e shpjegon emrin Euridike (Evridike, sipas tij), personazh qendror i mitit mbi Orfeun dhe Euridikën, me anë të një fjalie të plotë në gjuhën shqipe, konkretisht: “E vërejti (vuri re) vdekja”!! Shpjegimi i tij, që ai e quan “etimologjik”, nuk mund të jetë as shkencor dhe as i pranueshëm. Arsyetimin tim po e praqes më poshtë!
Pyes në mënyrë SFIDUESE këdo që i përmbahet shpjegimit që kemi dëgjuar: sipas gruas së Orfeut apo sipas 3 Euridikave të tjera të mitologjisë greke e ka marrë kuptimin emri Euridika? Dhe pse? Lexoni të vërtetën e hidhur për etimologjinë tonë folklorike se përveç gruas së Orfeut, Euridikës (1), kishte edhe disa Euridika të tjera në mitologjinë greke:
2. Eurydice – gruaja e mbretit Nemean Licurgus,
3. Eurydice – gruaja e mbretit teban Kreonit,
4. Eurydice – gruaja e mbretit Nestor të Pylos.
5. Sigurisht që përpara krijimit të atij miti, me emrin Euridika ka pasur në jetën reale edhe qindra bija nënash; ka edhe sot të tilla.
Cili nga këta mite, me motivim tjetër të të njëtit emër, është më i vjetër dhe pse paragjykohet si më i vjetri miti i Orfeut, pa pasur asnjë provë?!
Emri Eurydice (të paktën formalisht) përbëhet nga fjalët greke: Eurys – e gjerë dhe Dikê – drejtësi.
Ngjarja. Orfeu e pa Euridikën midis Nimfave, bukuria sipërore e së cilës as që mund të krahasohej me të nimfave të tjera. Miti na a paraqit këtë personazh me emrin Euridika qysh në këtë moment të vajzërisë së saj dhe jo pas vdekjes. Ajo me këtë emër kish jetuar gjersa vdiq. Nuk ka kuptim dhe është jashtë normave të logjikës formale të thuhet se emri njeriut i vendoset pas vdekjes. Mirëpo Agroni kështu e shpjegon edhe emrin e Akilit: të vendosur pas hakmarrjes fatale dhe vdekjes po aty, ndërkohë që ai në epos jeton, vepron dhe lufton me emrin Akil.
Të pranosh këtë teori do të thotë të hysh nga etimologjia në Narratologji dhe të pranosh se e vetmja mënyrë e vendosjes së emrave në mitologji është karakterizimi simbolik apo Antonomaza. Në letërsinë e shkruar pas Krishtit kjo mënyrë e vendosjes së emrave të personazheve/karaktereve filloi të përdoret gjithnjë e më tepër, por ata zënë një përqindje shumë të vogël, në raport me emrat e personazheve të tjerë të një historie të treguar (ku ka të tillë). Praktika e emrit me domethënie e për qëllime karakterizuese përdoret shumë dendur në folklor, veçanërisht në përrallat fantastike. Dhe do të kemi emra të tillë si: E Bukura e Dheut, Qerosi, Gishtoja, Borëbardha, Xhuxhat, Djalli, Maçoku me Çizme, Hirushja, Kësulëkuqja, Shtriga etj.
Por edhe nëse e pranojmë si universal parimin e emërtimit të personazheve sipas tipareve të tij karakterizuese (në çfarëdo mënyre), atëherë mund të themi se në mitin e Orfeut Euridika spikat vetëm për bukurinë. Prandaj karakterizimi i saj do të ishte diku tek E Bukura e Dheut, kurse emri Orfe mund të kërkohet te kuptimi I Pafati. Të mos harrojmë se kjo ngjarje tragjike fillon me episodin ku Orfeu pikas bukurinë e pashoqe të Euridikës. Dhe nëse emri i saj do të kishte kuptim, ky kuptim më së shumti mund do të emëronte bukurinë e pafat ose të tmerrshme të kësaj vajze. Ndërkohë mund të themi se narratologët janë marrë që prej shekullit V të e.s. me etimologjinë e këtij emri dhe shpjegimet përbëjnë një listë boll të gjatë; kuptimet që i japin janë të ndryshme dhe kontradiktore, por janë të argumentuara në mënyrë që nuk krijon ngërç logjik. Vendosja e emrit pas vdekjes, qoftë edhe emri i personazhit artistik, është një veprim thjesht absurd! Por absurdi mund të pranohet vetëm në fantashkencë, sepse shkenca është armike e mitologjisë dhe fantastikes. Por (e theksoj) askush nga etimologët që janë marrë me emrin Euridikë nuk e shpjegon vendosjen e emrit të njeriut pas vdekjes, kur njeriu e ka emrin e përveçëm për ta thirrur atë, së pari, gjatë jetës. Mirëpo këtu tek ne bëjnë mitologji dhe flasin me histeri për forma të ndryshme të eliminimit të specialistëve të lartë edhe muratorët, punonjësit me dru, me metal, të pashkollët (siç shkruajnë vetë në profilin e tyre në Fb!), por edhe ata që janë vetëm me arsim të mesëm!!!