Grimcat ranore nga shkretëtira e Saharasë, që mbuluan lehtësisht edhe vendin tonë pak ditë më parë janë kthyer në një problem serioz për qytetarët zvicerianë.
Mesa duket, Zvicra deri më tani ka qenë vendi më i prekur nga ky fenomen, pasi sipas meteorologut zvicerian Roman Brogli rreth 180 mijë ton pluhur nga Saharaja ka pushtuar qiellin dhe ajrin në Zvicër.
Brogli analizoi përmasat e kësaj dukurie këtë vit, duke vënë në dukje se ajo ka tejkaluar rastet e mëparshme.
Sipas mediave, rritja e dendësisë së këtij pluhuri në ajër u bë nga një rrymë e fuqishme ajri. Kjo rrymë ajrore transportoi grimcat e rërës nga shkretëtira e Saharasë në Afrikën veriore në qiellin e Zvicrës prej të premtes.
Franca juglindore është vënë gjithashtu në alarm për shkak të rërës nga Saharaja dhe përqendrimeve të grimcave të imta.
Sa i përket vendit tonë, Shërbimi Metereologjik Ushtarak ka njoftuar se duke nisur nga dita e sotme pritet afrimi gradual nga europa perëndimore e një qëndre të thellë të presionit të ulët e cila duke kaluar mbi Afrikën e Veriut do të transportojë mbi Europën kryesisht juglindore sasi të larta të pluhurit (me origjinë nga rëra e shkretëtirës së Saharas-ë). Kombinuar me temperaturat e larta kjo situatë do të krijojë ndjesinë e ajrit “mbytës”, ndonëse kjo situatë është përsëritur shpesh herë edhe në të kaluarën mbi vendin dhe nuk është një fenomen i ri.