I ftuar në emisionin e mëngjesit “Rreze Dielli” në Report TV, me moderatore Androniki Kolka, ishte nutricionisti nga Suedia Altin Joka, i cili foli për alergjitë e stinës dhe problemet që krijohen në organizëm. Në fillim të bisedës ai u ndal në eksperiencën e tij personale me alergjinë, pasi që në adoleshencë ka kaluar vetë një periudhë të vështirë nga alergjia.
”Ka disa protokolle specifike që nëse zbatohet së paku në masën 85%, ne nuk do kemi më alergji” tha Altini, duke shtuar se nëse do ndjekim protokollet natyrale alergjitë mund të kontrollohen më së miri. Sipas tij alergjitë mund të vinë nga përdorimet e shumta të ilaçeve, pickimi i insekteve, nga poleni, ushqime specifike, myku, kimikatet e mobiljeve apo parketit, kimikatet që kemi në detergjentë, sikurse mund të vinë dhe nga kafshët, të cilët lëshojnë një lloj bakteri nëpërmjet frymës së tyre si dhe një proteinë apo nga qimet e kafshëve.
”Alergjitë janë reagimi që trupi ynë bën ndaj grimcave që trupi i cilëson si të huaja, të cilat pasi futen në trup, ky i fundit lëshon imunoglobinën, që është një antitrup specifik për problemet e alergjisë” shtoi Altini në studio, pa harruar të thoshte se nga alergjia krijohen efekti i tështimës apo rrjedhja e hundëve, kruarja, dhimbja e fytit, kolla, problemet e frymëmarrjes që kalojnë deri në astmë, duke u bërë shumë të bezdisura.
”Trupi ynë këto sinjale i lëshon për dy arsye, e para trupi komunikon me ne nëpërmjet shenjave, por shpesh ne i neglizhojmë. Shenjat na tregojnë se kemi një inflamacion dhe që duhet të marrim masa, pasi kemi arritur në gjendje alerti” shtoi Altini, duke nënvizuar se nëse nuk do kishim këto reagime, trupi do plaste nga brenda.
“Zakonisht mjekët rekomandojnë ilaçe anti histamike, prandaj kur konsumohen për alergji, thuhet se duhet patur kujdes mos na vënë në gjumë, pra shërbejnë vetëm për t’a mbajtur të shtypur alergjinë, por jo t’a kurojmë” tha ai. Po kush janë shkaktarët kryesor që krijojnë alergjinë?
“E para është prodhimi i histaminës që lind në zorrën tonë, e cila sjell probleme me kockat, me artritin, probleme me sëmudjet e zemrës, dëmtim të sistemit imunitar, gripërat, apo ftohjen” tha ai, duke shtuar se me eliminimin e histaminës, problemet zhduken si me magji. “Së dyti, gjendrat endokrine janë një element i rëndësishëm. Hormoni i tiroides stabilizon temperaturën e trupit apo të ftohtin, ndaj duhen pastruar nga elementet e dëmshëm. Po të shohim gratë shtatzëna, niveli i histaminës është shumë i ulët dhe është gabim përdorimi i ilaçeve të tepërta, pasi trupi e ul vet histaminën gjatë shtatzanisë dhe ngre histaminazat” tha ai. Tjetër element janë të gjitha estrogjenet sintetike që ndërveprojnë në trupin tonë. Si shkak i tretë është dhe mikrobioma e zorrës, e cila është shtëpia më e madhe e baktereve që ne kemi.
Po si mund të ndihmohen njerëzit me një protokoll kurimi natyral për të shmangur alergjitë sipas nutricionistit Altin Joka?
“Nëse heqim histaminën, nëse fusim element të bioestrogjenit në trup, nëse pastrojmë gjëndrat endokrine, nëse fuqizojmë rolin e mikrobiomës tonë dhe nëse kemi një nivel të ulët të kortizolit, ne stabilizojmë gjendjen. Problemet krijohen nga konsumi i nivelit të lartë të sheqerit apo i karbohidrateve, sasi ushqimesh të përpunuar, apo qumështit të pasterizuar, pijet energjike dhe me gaz krijojnë probleme në trup duke vështirësuar proceset enzimatike. Një nga elementët e parë për parandalimin e alergjive është ‘zylitoli’, një lloj sheqeri jo i plotë që është përdorur për dekada për problemet e alergjisë, në formë spray, vaji, apo karamele. Për të pastruar sistemin tonë, duhet përdorur betasitosterol, astragalus, ashuaganda dhe disa lloje kërpudhash të miksuara” tha Altini, duke shtuar se mund të përdorim dhe lepushkën, çajin e jamballit, si dhe ushqime që kanë nivele të larta magnezi, pa harruar përdorimin e fitoestrogjeneve, lakrave të kuqe, boronicës, rrepave, panxharit, spinaqit, rukolës, hudhrës, specave, si dhe domateve të vogla/pomodorini.
Nutricionisti Joka, eskpert i mjekësisë holistike sugjeron gjithashtu që në ambientet ku jetojmë apo punojmë, të mbajmë disa bimë si: fikusi, dredhëza, lulja e margaritës, për pastrim ajri, pa harruar që në mëngjes të konsumojmë një smuthi me ananas kombinuar me vitaminë C dhe fruta pylli./shqiptarja.com