ALISA VELAJ: IMAZHE TË NGUJUARA QË NGJALLIN GJENDJE

ALISA VELAJ: IMAZHE TË NGUJUARA QË NGJALLIN GJENDJE

(Disa shënime për vëllimin poetik në dorëshkrim “Çelësat e viteve që rrodhën” të Andi Meçajt)

Nga Alisa VELAJ

Ka një përcaktim tejet interesant të metaforës nga Wallace Stevens, ku sipas poetit amerikan, metafora krijon një realitet të ri, prej të cilit realiteti origjinal duket joreal. Përkëmbehet kështu realja me jorealen, në të tilla forma, sa realja duket joreale dhe realja besohet natyrshëm të jetë reale. Lexuesi e përjeton këtë gjendje që poezia e mirë përcjell, në varësi të teknikës poetike të përdorur nga secili krijues. Ka poetë që sjellin imazhe të gjalla të realitetit poetik. Ka pastaj të tjerë që imazhet i krijojnë sikur të jenë të palëvizshme, apo të ngujuara në hapësira e vende statike, ku në pamje të parë, duket se përsëritet e njëjta ndodhi. Ndodhitë, edhe pse nuk janë asnjëherë të jenë të njëjta, sepse ne qeniet njerëzore jemi përherë të ndryshëm përgjatë zhytjeve te lumi që na përngjan po neve, prapë se prapë duken si imazhe statike. Janë “piktura poetike” që ngërthejnë çaste nga më të fshehtat të gjendjeve shpirtërore. I shohim e i lexojmë bukurmirë, pastaj kur largohemi prej realitetit të ri dhe hapim sytë për të parë realitetin origjinal, na duket gjithçka kaq bosh, kaq jo e vërtetë, kaq pështjelluese për më tepër. I gjithë ky përjetim na vjen ndërsa lexojmë poezitë e Andi Meçajt. Para se të vazhdojmë të analizojmë një pjesë të tiparereve dalluese të poezisë, le të themi dy fjalë për vetë poetin.

Andi Meçaj u lind më 6 qershor 1975, në Vlorë. Më 1994, ka mbaruar liceun artistik për pikturë në Vlorë, ndërsa më 2014, kryen studimet e larta për: “Histori-Gjeografi”, në universitetin “Ismail Qemali”, Vlorë.

Ka botuar: “Puthje ujore” poezi. Albin-Tiranë 2001; “Tokë e Bekuar” poezi. Toja-Athinë 2002; “Nga Letërkëmbimi me një Fantazmë” poezi. Toja-Athinë 2003; “Qyteti fle në Xhepin tim” poezi. Enalen-Athinë 2006; dhe “Një stacion si një valixhe” poezi të zgjedhura. Triptik-Vlorë 2009.

Poeti pushtohet vazhdimisht prej imazhesh të ngujuara, të palëvizshme, njësoj si pikturat e lartpërmendura, por pas pamjes lëvrijnë gjendje përgjithësisht dramatike, ose që edhe kur rreken drejt gëzimit, për një shkak ose një tjetër, nuk arrijnë ta përmbushin dot harenë shpirtërore. Në poezinë: Te pijetorja “Gjashtë gllënjka të shpejta” lexojmë vargjet:

“-Përse këndojnë natën varrezat?! /Më pyeste një i dehur, /tek e shoqëroja me një teke, /më 11 të natës, në të hyrë /të Rrugës së Re, tek pijetorja /”Gjashtë gllënjka të shpejta”. /Nuk i dhashë kurrë përgjigje, /gjithmonë ndërroja bisedë, /jo se nuk kisha përgjigje, /por më pëlqente pyetja, /më pëlqente të besoja /

se varrezat dinë të këndojnë, /të këndojnë pa zë.”

Kemi përballë dy realitete; realitetin e njeriut të kthjellët dhe realitetin e ri të krijuar prej metaforës bërthamë të poezisë përmes pyetjes: “Përse këndojnë natën varrezat?”.

Narratori lirik me vetëdije të plotë përkëmben realitetin e ri me origjinalin për të vetmen arsye se:

“më pëlqente të besoja /se varrezat dinë të këndojnë, /të këndojnë pa zë”.

Po me vetëdije realiteti i ri shpallet real për hir të dëshirës së madhe për t’u perceptuar si i tillë, ndërsa realiteti origjinal po prej dëshirës për t’u mohuar si realitet i vdekjes/humbjes, shpallet joreal. Të vdekurit këndojnë, shkruan poeti. Kjo metaforë e fuqishme e kthen dhe të turbulluarën qenie në shenjues metaforik. I pakthjelluari në shenjuesin e të dehurit në realitetin e ri ka plasur të vërtetën reale pa kurrfarë maske.

Në poetikën e A. Meçajt duket se ka veprime të përsëritura në kohë, të cilat në udhën e gjatë prej lindjes e deri në përfundim, hasin një si pengesë të papritur, një asgjë që lind prej hiçit për të mos lënë të realizohet akti i fundit i përmbushjes së një dashurie, drame, arratisje. Dashuria shumë herë mbetet pezull pikërisht atëherë kur pritet të shpërthejë si ndodhi (Iku, unë prisja, /kë prisja?!). Pengesa, ngujimi i çastit të realizimit, herë jepet në vargjet hyrëse dhe herë në vargjet përmbyllëse. Drama dhemb njësoj në të dy rastet, pasi poeti di t’i përshkruajë me mjeshtëri gjendjet e pezullisë shpirtërore. Ndodh gjithashtu që drama të shmanget, të shmanget me vendosnëri nga forca të paemra, që kurrsesi nuk duan të ndodhë humbja e madhe. Mirëpo aq e furishme është forca tjetër kundërshtare, sa pengesat e humbin fitoren.

…“S’u tutën, s’u tutën.

ec e ec, i trembën:

bobolet, xhibonuzet,

shkozat, bushet,

dushqet, përrallet,

ilqet, mretet, lofatat,

panjat e kavakët.

I sharruan, i sharruan.

Kur shtizat e diellit goditën,

spatarët e shtrinë pyllin, e shtrinë

e shkuan e vanë.

E… kush i pa, i pa!”

(nga poezia: “Vajtojcë për pyllin”)

Meçaj i mëshon me forcë filozofisë së moskthimit të një akti që është shkruar që më parë se ashtu është i paracaktuar të ndodhë, pavarësisht vullneteve tona. Prandaj gjithçka duhet marrë si të vijë. Ajo çka duhet të jetë stoike është mosrrënimi i shpirtit përpara teatrit të jetës, ku secili nga ne është si aktori, që niset të luajë një rol jo të mësuar më parë, por që duhet ta mësojë aty për aty.

Një tjetër tipar mbizotërues në pjesën dërrmuese të poezive të Meçajt është dhe abstragimi i shumë thelbeve të ekzistencës përmes historive të vogla, tejet konkrete. Përmes narracionit lirik jepen rrëfime të panumërta karakteresh reale. Poeti e rrëfen historinë e tyre nga distanca, ose ndodhet vetë përballë tjetrit që thur e shthur fatin e tij si pëlhurën e Penelopës. Me anë të fare pak vargjeve, Andi arrin të na japë një epikrizë të tërë mëdyshjesh, mosrealizimesh, lumturish fare të paqëndrueshme apo vuajtjesh, që sa më shumë i ndrydhim, aq më tepër i kondensojmë, duke ua bërë më të thekshëm çastin kur do të lindin si klithma në momentin e plandosjes së qenies. Në fund të fundit, ne jemi të gjithë pjesë e një rrjete të ngatërruar merimange, prej nga arratisemi vetëm kur është e paracaktuar të ndodhë. Poezia e mirë arrin të endë me fijet e saj rrjetën e kuptimeve habitëse, nëpër të cilën, duam apo nuk duam ngatërohemi po të tërë, kush më shumë dhe kush më pak.