Nga MSc. Psikologe Klinike Liljana Resulaj
Je një nënë e re? Je një prind në herën tënde të parë? Je e\i konfuzuar për ecurinë e zhvillimit të fëmijës tënd me gjithë informacionin bombardues që të rrethon nga të gjitha anët?
Mos u shqetëso! Nuk je vetëm në këtë rrugëtim.
Fëmijët rriten dhe zhvillohen në mënyrë unike dhe individuale në bazë të karakteristikave të tyre gjenetike, biologjike, fizike dhe nxitjes ambientale.
Fëmija yt mund të zvarritet këmbadorazi, mund të ecë apo mund të thotë fjalën e parë më vonë se vëllai apo motra, më vonë se ju prindër, apo më vonë se bashkëmoshatarët e tyre. Kjo është krejtësisht normale dhe e shëndetshme.
Megjithatë, marr parasysh që ekziston një kulm moshe, në të cilin fëmijët pritet të kenë mësuar një sërë aftësish të caktuara, mosarritja e tyre mund të jetë një këmbanë alarmi lidhur me zhvillimin sipas gurëve themeltar zhvillimor.
6 muajt e parë të jetës fëmjët rriten me një shpejtësi të jashtëzakonshme, llogaritur kështu që shtojnë thuajse 30 gram çdo ditë. Kjo është gjithashtu një periudhë ku ata fitojnë një numër të madh refleksesh dhe aftësish në bazë të stimujve të jashtëm. Nëse gjatë zhvillimit të vogëlushit tënd vë re këto shenja, mund të jetë një sinjal për ty, për të kryer një vëzhgim më të detajuar.
- Fëmija nuk përgjigjet ndaj zhurmave të mëdha
- Nuk vë re apo nuk i bëjnë përshtypje duart e tij (deri në 2 muajsh)
- Nuk ka ekuiliber për të mbajtur kokën e tij (deri në 3 muajsh)
- Nuk kap dot objektet (deri në 3 muajsh)
- Nuk ndjek me sy lëvizjen e objekteve (deri në 3 muajsh)
- Nuk i buzëqesh të tjerëve (deri në 3 muajsh)
- Nuk belbëzon apo të imitojë tinguj (deri në 4 muajsh)
- Nuk tenton të fusë objektet në gojë (deri në 4 muajsh)
- Nuk tenton të shtyhet me këmbë në sipërfaqe të sheshta (deri në 4 muajsh)
Ndërkohë që fëmija vazhdon të rritet, e njëjta gjë ndodh dhe me aftësitë e tij. Ti si prind je shtysa e parë dhe më e rëndësishme në zhvillimin e tij, ti e mbron, përkujdesesh dhe e drejton potencialin e tij në mënyrën më sublime. Prindërimi është një proces që e përgatit fëmijën për të qënë i pavarur, prandaj ka shumë mënyra se si ti mund të kontribosh për ta bërë këtë proces, sa më të rrjedhshëm dhe natyral.
Pasi fëmija ka arritur 7 muaj jetë, në bashkëpunim me të, duhet të keni arritur që ai të ketë një muskulaturë të zhvilluar për moshën, pra të arrijë të qëndrojë i ulur me pak ndihmë, të mbajë objekte të lehta në duar, të rrotullohet dhe të bëjë tentativë për t’u ngritur në këmbë, të ketë lëvizje të koordinuara si dhe të arrijë të kryejë veprime afeksionuese si përqafimi dhe shtrëngimi me duar.
Kulmi duhet të ketë arritur deri në moshën 1 vjecare ku vogëlushi juaj duhet të ketë zhvilluar aspekte më abstrakte, lidhur me gjuhën e të kuptuarit. Jini të kujdesshëm për mënyrën si ndërvepron i vogli juaj në lojra të thjeshta që mund të bëni me të si psh, të fshihni një lodër të tijën dhe të shihni nëse ai do kërkojë për të, a do të përdorë gjestikulacione të thjeshta për të treguar gjërat që do apo nuk do dhe sigurisht ku qëndron fëmija në progresin në të folur dhe në të ecur.
Padyshim që ju si prindër njihni në imtësi të gjithë veçoritë e fëmijës tuaj, rrugëtimin e zhvillimit të tij, dhe jeni ju që dini më të mirën për ta. Por nëse duket se të vegjëlit tuaj janë pak më mbrapa se bashkëmoshatarët në aftësitë e tyre apo në mënyrën si luajnë dhe komunikojnë, mund të jetë koha për të kontribuar me më shumë nxitje nga ana juaj.
Me e rëndësishmja: Qëndroni mendjehapur për të kërkuar ndihmë atëherë kur nevojitet!
Kontakt: liljana.resulaj1996@gmail.com