Prof. As. Dr. Muharrem Jakupi: NJË KUSHT IDEO-ESTETIK ABSURD

Prof. As. Dr. Muharrem Jakupi: NJË KUSHT IDEO-ESTETIK ABSURD

Habitem me guximin dhe sigurinë e një profesoreje gjuhësie për të dalë publikisht me një këshillë absurde për shkrimtarët, artistët dhe kritikët e artit, si:

“Libri i parë që duhet të lexohet i plotë nëse do të jesh shkrimtar, përkthyes, kritik letrash e arti është BIBLA. Përndryshe je pa lidhje me pjesën më të madhe të kulturës botërore. Por je pa lidhje edhe me një pjesë të rëndësishme të kulturës së shqipes.”

Nga cila estetikë profesionale moderne mund të nxirret (apo mund të pajtohet me të) “mësimi” kategorik i cituar më sipër? Përse duhet një “lidhje” e tillë e ngushtë midis epokave, periudhave apo drejtimeve e rrymave artistike të ndryshme dhe veçanërisht varësia (dogmatike) nga tekstet, motivet dhe kontekstet biblike, gjersa artet paraqiten si “sisteme” në lidhje, zhvillim dhe ndryshim, në bashkëvajtje me sistemet e tjera shoqërore, duke iu referuar përfytyrimeve, botëkuptimeve dhe ideologjive të ndryshme, shpesh krejt të kundërta? Në ç’masë mund të pranohet a mohohet teoria e “ndryshimit të horizontit të pritjeve”, kur historia e arteve dëshmon evolucionin permanent të mjeteve dhe metodave krijuese, gjithashtu ndryshimin, kapërcimin, përmbysjen apo edhe luftën e së resë ndaj një tradite artistike të caktuar? Në këtë kuadër arsyetimi, po për artin “pagan” parabiblik përse dhe si mund të përmbushet një kusht estetik i vënë nga këndvështrime religjoze moniste?

Gjithashtu, për ç’arsye konkrete që mund të kenë lidhje veçanërisht me lirinë tematike apo risinë/befasinë artistike/stilistike të secilit krijues arti, me lirinë për referim dhe përdorimin e teksteve të tjera (intertekstualiteti) apo me lirinë për ndërtimin e konteksteve origjinale për përfitime semantike dhe emocionale të një lloji të veçantë mund të vlejë “mësimi” që del nga citimi i mësipërm? A ka fuqi dhe argument ky slogan për të mohuar, kundërshtuar apo përligjur teologjikisht kryevepra si pikturat “Guernika”, “Britma”, romane si “Kronikë në gur”, poezi si “Lirikë me shi” apo “Fyelli” etj., etj., etj.?

Për momentin po mjaftohem vetëm me këto pyetje retorike dyshuese, pasi ballafaqimi një-për-një me çështjet që rrjedhin do të ishte një ndërmarrje voluminoze…