Fakulteti i Biznesit në Universitetin “Aleksandër Moisiu” Durrës, ka mbajtur konferencën e 14-të Ndërkombëtare Shkencore ndërkohë dekani i këtij fakulteti ndau më shumë me studentët përsa i përket bashkëpunimeve të tilla.
Në një postim në rrjetet e tij sociale ai ka shkruar:
Si Dekan i Fakultetit të Biznesit në Universitetin “Aleksandër Moisiu” Durrës, pata sot kënaqësinë të hap Konferencën e 14-të Ndërkombëtare Shkencore, me temë Sfidat Ekonomike në Epokën Digjitale” e cila organizohet nga Fakulteti i Biznesit, tashmë një traditë e konsoliduar, me 79 punime shkencore dinjitoze të përgatitura nga 172 kërkues shkencor nga Shqipëria, Kosova, Hollanda, Italia, Hungaria, Lituania, Sllovakia, etj.
Falenderoj Rektoratin e UAMD, dhe veçanërisht Rektoren Prof. Dr. Kseanela Sotirofski, për mbështetjen e madhe që na ka dhënë për organizimin e këtij aktiviteti.
I shpreh mirënjohjen të ftuarve të nderit Zv/Ministres së Arsimit, znj. Ana Kapaj, Nën/Kryetarit të Bashkisë Durrës, z. Gentian Kallmi për pjesmarrjen, fjalën e mbajtur, dhe përkushtimin institucional dhe personal që kanë për kërkimin shkencor.
Mirënjohje Prof. Petraq PAPAJORGJI, Përfaqësues i CEDIMES, Albania; Prof. Giuseppe TORLUCCIO, Universiteti i Bolonjës, Prof. Diederich BAKKER, Hanze University of Applied Sciences, Groningen, Hollandë.
Falenderoj Bordin organizator, veçanërisht Komitetin Drejtues të Konferencës, Bordin e Administrimit, dhe partnerin tonë të çmuar Crystal System.
Kënaqësi të shohësh se si shkenca dhe akademia lidhin institucione dhe kultura të ndryshme. Të gjithë pjesëmarrësit nga jashtë kufijve u njohën me lektorët dhe pedagogët e UAMD, të cilët janë krenaria e universitetit tonë, një institucion i arsimit të lartë në vend, që ka arritur suksese të mëdha, e që do vazhdojë të arrijë nivele gjithnjë e më të larta në të ardhmen.
Kjo konferencë e rëndësishme përkon me fillimin e stinës së bukur të pranverës, e jam besimplotë që do shërbejë si një event ogurbardhë për të gjithë vitin akademik dhe për vitet në vazhdim të UAMD, institucioni i arsimit të lartë, që është ngritur në nivele të larta e do vazhdojë të rritet e zhvillohet gjithnjë e më shumë duke arritur standarde evropiane dhe perëndimore.
Prof. Dr. Shkëlqim Fortuzi