Dosja 2A që shfletohet është përpiluar nga ish-Sigurimi për poeten Drita Çomon. Me lejen e familjarëve, Autoriteti i Dosjeve e hapi për herë të parë për studiuesit, në muajin mars. Saga e survejimit të poetes, nis në 24 dhjetor të 1974-ës kur ajo ishte vetëm 16-vjeç.
“Risia është kjo, që regjimi binte ndesh me rregullat e veta, survejonte një 16-vjeçare. Pra, e shkruar e zezë në të bardhë, kjo nuk lejohej. Kështu ata po shkelnin rregullin dhe po e merrnin në vëzhgim për të gjetur gabime politike ndoshta”, shprehet specialisti i Autoritetit të Dosjeve, Edlir Orhani.
Në të janë 76 fletë. Një dosje e imët, për Dritën që u shua 23-vjeç, por që peshon tragjedinë e kësaj bote. Fatin dramatik të një vajze të re, të paracaktuar që pas dënimit politik të dy prindërve, Liri Belishova dhe Maqo Çomo, ish-funksionarë të pushtetit komunist. Në atë kohë ajo ishte vetëm 2 vjeç. Pas kësaj, jeta e Dritës, kaloi në internim, nga Kuçi i Vlorës në Progonat të Kurveleshit e më pas në Cërrik bashkë me të ëmën dhe vëllanë Petritin. Ishte në vit të dytë të shkollës së mesme, kur sistemi operativ i sektorit të hekurudhës Fier Ballsh, ku gjimnazi i saj mori pjesë në aksionin për ndërtimin e hekurudhës në qershor ’74 do ta sinjalizonte.
“Gjithçka nis në një aksion, ku Drita kishte shkuar bashkë me gjimnazin e Cërrikut ku ishte nxënëse. Aty, siç raportohet, kishte pasur kontakte me disa njerëz, prindërit e të cilëve ishin dënuar nga pikëpamja politike. Në këtë moment, Ish-Sigurimi i Shtetit nis e përndjek. Por, unë mendoj se nuk ka qenë ky shkaku i vërtetë. Arsyeja reale kanë qenë dy prindërit e saj Maqo Çomo dhe Liri Belishova, sidomos nëna e saj që ishte nën hetim, në survejim. Ndërsa i ati ishte në burg. Dosja u hap kështu duke e ndjekur dhe përgjuar me teknikë operativë”, shton më tej Orhani.
Si shkak i këtyre informacioneve të pretenduara nga Sigurimi, fillimisht do të merret në përpunim paraprak.
“Në përpunim paraprak do të thotë që ish-Sigurimi kishte marrë disa informacione paraprake, që personi merrej me agjitacion dhe propagandë (se kishte prejardhjen nga njerëz që ishin marrë më para me agjitacion dhe propagandë)dhe në një periudhë 6për jo më shumë se 6 muaj, ky person merrej në vëzhgim për të gjetur fakte. Nëse gjendeshin fakte që merrje me agjitacion dhe propagandë ose me aktivitet armiqësor, ajo kalonte në dosje 2a pra që do të thotë se ishte duke kryer armiqësor, pra ishte dosje aktive”, shprehet më tej.
Teknikët operativ i ishin përveshur punës, duke përgjuar çdo bisedë e lëvizje të Dritës.
“Është një pasazh në dosje ku thuhet “Drita Çomo Belishova”, që domethënë objekti kryesor ishte e ëma e saj Liria. Pra, mendohej se ajo përdorej nga e ëma për Agjitacion dhe Propagandë. Por, duke parë dhe moshën e vogël në të cilën ndodhej Drita në atë periudhë 16 vjeç, çfarë mund të bënte një 16 vjeçare dhe ky ishte absurditeti i gjithçkaje”, shton më tej Orhani.
Tek bisedat me nënën e saj dhe në përpjekje konstante për tu gjetur gabime politike, ish-SIgurimi ndërton elementët e nevojshëm për të mbajtur dosjen aktive. Specialisiti i AIDSSH-së përmend dy bisedat “më implikuese” që në dosje pretendohet që nënë e bijë të kenë bërë.
“Drita shprehej sipas teknikëve operativë që ‘Bota ose Europa ka shkrimtarë të mëdhenj që shkruajnë vepra goxha të mëdha’, sepse siç dihet tanimë, ishte shumë e talentuar dhe e dhënë pas letërsisë. Drita kishte një botëkuptim të jashtëzakonshëm, çka mbase Sigurimit i ka lënë të nënkuptojë që veprat e shkrimtarëve tanë janë vepra dogmatike të ndikuara nga politika. Kjo ishte biseda parësore. Tjetër gjë që ka thënë Drita (gjithmonë sipas Sigurimit sepse ne nuk mund të vërtetojmë nëse i ka thënë apo jo) lidhet me shtypin e kohës. Pra shkruhet të ketë thënë se “gazetat e kohës i kishin dhënë më shumë rëndësi luftës që bëhej kundër revizionizmit sesa luftës që bënte Gjergj Kastriot Skënderbeu kundër turqëve, çka ata mund ta kenë marrë si demagogji të kohës dhe varet sesi e kanë interpretuar. Duke qenë në dorë të Sigurimit të dhënat mund të përpunoheshin”, shprehet specialisti i AIDSSH-së.
Dramë pas drame në jetën e gjimnazistes. Sigurimi i Shtetit bën edhe disa prej shokëve të saj të klasës bashkëpunëtorë.
“Rekrutimi si bashkëpunëtorë i bashkëmoshatarëve të Dritës, ishte një tjetër dramë e madhe. Pra, rekrutuan shokë nga klasa e Dritës për të kuptuar më mirë botëkuptimin e Dritës, mendimin që kishte për pushtetin dhe qëndrimin që mbante ndaj prindërve. Mbase regjimi ka pritur që ajo të mbante qëndrim armiqësor ndaj prindërve, po ajo i quante të pafajshëm. Thoshte: ‘Babi është fare i pafajshëm, ndërsa mami mund të ketë dhënë ndonjë opinion dashamirës të saj brenda Partisë, ka ngritur zërin për t’i bërë gjërat më mirë, dhe nuk është se kanë bërë ndonjë gabim’. Dhe, në fakt nuk është se kanë bërë ndonjë gabim politik, se ishin të kujdesshëm… Por, rekrutimi i shokëve të klasës ishte një dramë e madhe”
Në dosje shokët e gjimnazit, në atë kohë minorenë figurojnë me emra të koduar. Siç thotë Orhani, rregullat ishin thyer, jo vetëm sepse po survejohej një 16-vjeçare, por edhe sepse po përdoreshin të tjerë 16-vjeçarë për ta survejuar.
“Është një pasazh, që raportohet, ku Drita është bashkë me të ëmën e saj (se ata e quanin objekt të përdorur nga elementë antiparti, nga nëna Liri Belishova). Ishin të pranishëm dhe dy nga bashkëpunëtorët e klasës, elementë të ish-Sigurimit, kur Drita do merrte pjesë në një konkurs për një temë dhe e ëma shprehet sipas Dosjes: “Jemi i vetmi vend ku Partia është shumë e fortë dhe kontrollon çdo instancë të shtetit, që linte të nënkuptonte se jemi një parti -shtet. Dhe kanë qenë fragmente që janë dëgjuar me teknikë operativë, ose nga palë të treta që edhe mund të jenë transformuar”, thotë ai.
Në dosje janë shënuar 11 operativ që përndiqnin letraren e re te talentuar. Survejimi vijon jo vetëm në rrethin shoqëror e me përgjimet e teknikëve operativ por kudo që shkonte. Madje edhe në spital. Drita ishte vetëm 18-vjeç në vitin e fundit të gjimnazit kur u diagnostikua me kancer.
“Drita përndiqet gjatë gjithë periudhës, edhe në fazën më të trishtë të jetës së saj, kur ajo sëmuret. Kjo është drama më e madhe ,që e përndjekin edhe në këtë periudhë, i vënë njerëz për ta kontrolluar, për ta përgjuar, duke qenë të pamëshirshëm. E kanë denigruar madje për shkak të sëmundjes edhe me fjalë që s’mund ta përmend. I kanë vënë epitet denigrues duke e gjurmuar kudo që ajo shkonte, për të zbardhur çdo kontakt që ajo mund të kishte. Por, Drita nuk bënte ndonjë gjë të keqe. Ajo po kurohej. Ishte në një fazë të rëndë, sepse ndiqte çështjen e sëmundjes. Pavarësisht kësaj ishte një njeri social, që e donte jetën, një njeri me karakter të shëndetshëm. E kritikonin për veshjen, ‘jo vishet ekstravagante, jo nuk mban qëndrim korrekt kur kritikohet për veshjen’, ndërkohë që veshja e asaj me sa kam parë, ishte mëse normale për kohën”, thotë Orhani.
Nga në përpunim, Drita u survejua Për Agjitacion e Propagandë në 1976-ën.
“Kalonte nga përpunimi paraprak , në 2a. Pas çdo ndërrimi që bëhej merreshin plane masash. Janë 10 raporte që janë çuar për Dritën, 5 informacione, por duhet vënë theksi tek plani i masave me 12 pika që merreshin për të. Ndryshonte plani i masave të vitit 1974 nga ai i ’76-ës, rreptësoheshin. E ta mendosh e gjitha kjo për një vajzë që ishte shumë e vogël” tregon më tej specialisti.
Drita luftoi me sëmundjen për 5 vjet. U shtrua gjatë kësaj kohe 10 herë në spital, pa të ëmën pranë, e cila u lejua ta vizitonte vetëm dy herë, ndonëse bënte lutje të vazhdueshme për t’u kujdesur për të bijën. Në prill të ’77-ës në këto kushte, Sigurimi pezullon dosjen.
“Kemi një fazë të mbylljes së dosjes në 1.4.1977, dosja mbyllet pezullohet nga 2a, sepse ajo ishte sëmurë me kancer bënte një maratonë, nga Cërriku në Tiranë në spitalin onkologjik, kthehej. Ishte në mënyrë të vazhdueshme duke luftuar me sëmundjen e saj dhe arrihet të kuptohet edhe nga regjimi, që ajo është vërtet e sëmurë dhe, duke qenë në këtë gjendje, nuk mund të bënte asnjë aktivitet armiqësor. Me urdhër të Feçor Shehut (ish-ministrër, ish-drejtor i Sigurit të Shtetit për kohën) në 1.4 1977 dosja arshivohet deri në 1981/ Pra ishte në grahamat e fundit të jetës në këtë periudhë”, tregon më tej.
Por s’do të kishte prehje për Dritën as pas vdekjes. Ish-sigurimi do ti rikthehej çështjes për të mbërritur tek nëna e saj, Liri Belishova
“Pak kohë nga ndërrimi i jetës pasi vdiq, çështja rihapet përsëri dhe kalon në 2 B, pra një person që ishte marrë me agjitacion dhe propagandë dhe përsëri do hetohej, por duke qenë se Drita nuk ishte më, do kalonte përsëri në kontroll të nënës së saj. Pra objekti kryesor ishte nëna e saj, Liri Belishova. Edhe kur ajo do merrte trupin e vajzës sigurimi survejonte gabimet që mund të bënte, qëndrimi që mund të mbante pas vdekjes së vajzës. Pra e lanë për një periudhë të pezulluar nga 2a si rezultat i lutjeve të shumta që nëna bënte edhe pse kuptuan që sëmundja kishte agravuar goxha, edhe si rezultat i thirrjes që bënte nëna e saj, një nënë që përgjërohej që ta linin të takonte të bijën, të mos ndëshkonin më të shoqin Maqo Çomon që të bënte burg ,por ta lejonin të ishte pranë vajzës”, shton ai.
“NJË ANA FRANK SHQIPTARE”
DRITA ÇOMO, DITARI E POEZITË
Drita Çomo i mbylli sytë në 19 shkurt të vitit 1981. Takimi i fundit, me të ëmën e dy oficerë që bënin rojen tek dera dhe e urdhëronin të nxitonte do të ndodhte 2 ditë më herët. Shënimet e Dritës, e ëma Liri Belishova i mbante në çantën e saj. Do të kalonte një sërë peripecish të tjera deri në përcjellen e së bijës për në banesën e fundit.
“Në ditën e ftohtë të fund shkurtit, një qerre çonte në varrezën e qytetthit një poeteshë njëzet e tre vjeçare, një vajzë të bukur, një nga ato që ky popull i pilte me aq lehtësi e po me atë lehtësi i shkatërronte. Pas qerres, mbi të cilën lëkundej trupi i pajetë i vajzës, ecte vetëm një njeri: nëna e saj. Sëmundja e pashërueshme kishte ngadhënjyer më në fund mbi trupin e vajzës, por shteti diktatorial, më i egër se sëmundja, do të ishte i pamëshirshëm në mizorinë e tij. Edhe pas vdekjes, atëherë kur ata që ai i qyante kundërshtarët e tij, bëheshin të parrezikshëm për të, ai vazhdonte hakmarrjen. Kështu që vajza po futej nën tokë më e vetmuar se ç’kishte jetuar në sipërfaqen e saj”, shkruan kadare në librin-ditar “Dritë që vjen nga humnera” (titull i zgjedhur po nga shkrimtari)
E përshkruan kështu Ismail Kadare vdekjen e Dritës në parathënien e botimit “Dritë që vjen nga humnera”. Bashkë me Helenën ai mundësoi botimin e ditarit e poezive fillmisht në Shqipëri e mandej edhe në Francë ku u quajt “një Ana Frank shqiptare”. Duke njohur vlerat e saj si letrare shkrimtari nënvizon për vjershat dhe shkrimet e saj se “janë krijuar nën kërcënimin e kontrollit të befasisshëm të policisë”, e megjithatë na lejojnë të shohim në periferi të shpirtit të saj.
“Dhe mua, kur e lexova ditarin, personazhi i parë që më erdhi ndër mend ishte Ana Frank. Çka e hasa të shprehur edhe nga Liri Belishova në intervistat që ka dhënë (me gazetaren Elsa Demo). E ëma e ka lexuar ditarin pas vdekjes së Dritës, kjo për të respektuar personalitetin e saj. Dhe, aq shumë ka qenë e emocionuar nga shënimet e Dritës, saqë ka iu përkushtua seriozisht ditarit. Me ndihmën e shkrimtarit Ismail Kadare dhe Helena Kadaresë, ato kanë përzgjedhur pjesë të cilat u botuan nga shtëpia botuese “Onufri”. Pas viteve të para ’90 është botuar për herë të parë, pastaj ditari ka pasur botime të shumta. Familja është kujdesur që të botohet dhe në Itali e Francë, dhe është bërë edhe pjesë e teksteve shkollore të gjuhës shqipe”, shprehet Baçi.
Ditari e poezitë e Dritës, ndihmojnë të plotësohet vështrimi drejt jetës së saj, kalvarit të vuajteve, ndaj Autoriteti i Dosjeve e risolli në vëmendje bashkë me hapjen e dosjes.
“Ditarin e Drita Çomos e hapëm me rastin e Klubit të Librit në AIDSSH. Një klub që merret me dëshmi në formë letërsie, libra autobiografikë apo biografikë të shkruar nga njerëz që e kanë jetuar atë periudhë dhe që kanë qenë dëshmitarë të asaj që ka ndodhur. Kur përzgjodhëm ditarin e Dritës, librin “Dritë që vjen nga humnera”, që përfshin ditarin dhe poezitë, ne bëmë një kërkim dhe gjetëm dhe dosjen e saj. Të them të drejtën, pas punonjësve të Arkivës, mund të jem personi i parë që e ka hapur dosjen. Ka qenë një përvojë shumë e veçantë dhe emocionuese për mua, njëherazi edhe shokuese. Duke e parë me kujdes nisa të lexoj fragmente që përbënin pjesë thelbësore të Dosjes”, thotë Baçi.
Ditarin, Drita e hap në 14 qershor të ’76-ës dhe shënimi i fundit daton 10 ditë para se zemra e saj të pushonte së rrahuri. Që në shënimin e parë ajo lë të nënkuptohet për dy fletore të tjera që kanë humbur.
“Ditari hapet me një shënim, që thotë, ‘ shpresoj që ky ditar të mos ketë fatin e dy fletoreve të tjera të cilat kanë humbur’ ( e nënkupton). Dhe, sipas dëshmive, por edhe në dosje del që një pjesë e ditarit ka humbur. Me shumë gjasa është marrë qëllimisht, ne nuk kemi gjetur në dosje dokument ditar, por kemi gjetur gjurmë të ditarit “, shprehet më tej.
Një bllok me shënime, siç shkruhet edhe në ditar, dhe dorëshkrime të tjera do t’i dorëzoheshin familjes së Dritës, pas botimit të parë të “Dritë që vjen nga humnera”. Çka është pohuar nga vetë Liri Belishova në intervistat e saj. Edhe në dosje gjenden gjurmë të ditarit.
“Nga dëshmitë që na kanë dhënë familjarët, një pjesë e ditarit është kthyer dhe është bërë pjesë e librit. Ndërsa ne në dosje kemi gjetur disa detyra që ka lënë Sigurimi i Shtetit në lidhje me leximin e ditarit, si fotografimin e tij në rast nevoje, vënien në qendër të vëmendjes të këtij ditari. Sepse ,duke pasur në të shënime intime personale mund të gjenin në të materiale që mund të inkriminonin Dritën, për ti veshur atë si veprimtari armiqësore ose agjitacion dhe propagandë”, tregon më tej.
Në ditar poetja shkruan edhe për të atin, Maqo Çomon, takimet e rralla, plot mall e dhimbje, dhe përpjekjet për të skalitur portretin e tij, atje në burgun e Burrelit, deri në bisedën e radhës, nëse do të kishte një të tillë… Në rrugën e stërmundishme për tek ai , njësoj si për tek dajat po ashtu të dënuar nga regjimi, përpos të ëmës, e shoqëron kryesisht Bulja, gjyshja e saj e moshuar
Pjesë nga ditari, E martë 13.11. 1979
“Na lejuan të takohemi vetëm 10 minuta me dajën dhe gjysmë ore me babain. Këtë na e komunikuan në çastin e fundit, ishte diçka e papritur dhe mendimet u shpërndanë fare. Çdo gjë që thoshim më dukej se nuk ishte ajo që duhej. Sikur na e merrnin kohën kot. Minutat ikën shpejt, shumë shpejt dhe në fund pata përshtypjen se nuk kishim folur për asgjë, bile as nuk e kishim puthur njëri-tjetrin aq sa duhet. Pastaj më dukej vetja si një fëmijë që i kanë premtuar një lodër dhe e kanë gënjyer”, shkruan Drita.
“Familja e tyre ishte shkatërruar pothuajse plotësisht, me vëllezërit e Liri Belishovës dy ishin në burg, një që në fillim bashkë me të atin, dhe tjetri më vonë. Drita i përshkruan takimet me të atin në burg edhe në ditar, por ne gjejmë edhe biseda të regjistruara nga teknika operative e ish -Sigurimit të Shtetit. Ajo përshkruan rrugën e vështirë që duhej bërë për në Burrell, zakonisht shkonte me gjyshen (gjyshe Bulja në ditar) sepse ajo kishte më shumë lehtësi për të lëvizur, por edhe me mamanë e saj Lirinë. Takimet ishin rreth 30 min, dhe koha e shkurtër, rrethanat, krijonin një lloj bllokimi tek ajo”, tregon Baçi.
Mungesa e babait thellohet veçmas në ato që duhet të ishin festime, në përvjetore apo ndërrime vitesh.
“Por ajo dërgonte shumë shpesh letra, të gjithë dërgonin letra të cilat lexoheshin nga ish-Sigurimi dhe ndonjëra prej tyre edhe mund të mos shkonte në destinacion. Në dosje është gjendur një kopje e letrës së Dritës drejtuar babait me rastin e 50-vjetorit të tij, kur ai mbushi 50-vjec, dhe letra është transkriptuar dhe janë nënvizuar dy tre fjali ku ajo shpreh edhe dashurinë por edhe keqardhjen që nuk e ka pamë. Dhe ajo i thotë të atit që ‘edhe pse kemi kemi qenë të lumtur, më vjen keq që nuk kemi qënë aq të lumtur, por shpresoj se do të jemi, por unë e di që ti je një burrë i fortë dhe ke kaluar gjithçka’ Këto janë rreshta që nënvizohen dhe shënohen në dosjen e Drita Çomos
Në fatin e paracaktuar të Dritës, që u dënua që foshnjë pa pasur asnjë faj, pati edhe nga ata që e mbështetën. Pati miq që e gjetën rrugën për t’iu gjendur pranë. Siç është edhe shoqja e saj Raimonda Bulku, që këmbënguli për botimin e këtij ditari, e së cilës ajo i dedikon edhe poezinë “E bukura”. Bulku është e pranishme në takimet për Dritën, duke u përpjekur që të nxjerrë sadopak nga historia e vërteta e talenti i mikeshës së saj poete…
Maj 1975
(…)
Tani ti bredh shkëmbinjve të vetmuar
Me zërin e kristaltë thyen heshtjen
Në sytë e ty të kaltër, të kulluar
Natyra admiron vetveten.
O sytë e kaltër, sytë e largët,
Aq të bukur, aq të largët,
Sytë e tu. (pjesë e nga poezia “E bukura” që Çomo ia ka dedikuar Rajmonda Bulkut)
Një Ditar që në rrethana të jashtëzakonshme, shfaq sesi mbijeton pa u cënuar dashuria e poetes për jetën, njerëzit, artin. Sesi Drita triumfon ndaj errësirës së diktaturës.
“Edhe pse është një figurë 23 vjeçe ka pasur personalitet të fortë, dhe ka lënë pasuri shumë të madhe. Është një figurë duhet të lexohet përmes poezive e ditarit, por edhe të vijohet të shihet sepse pazëlli ende nuk është përmbushur…”, thotë Baçi./A.D/S.G/Shqiptarja.com