Sot, në hemisferën perëndimore, ndodh eklipsi i plotë i diellit. Femomene të tilla janë vëzhguar gjithmonë gjatë historisë së njerëzimit, duke rezultuar në një përfundim të përbashkët, edhe pse në epoka të ndryshme, si arkaike ashtu edhe të zhvilluara, se eklipsi dëshmon përsosmëri. Kjo përsosmëri dallohet me sy të lirë për shkak se perimetri i hënës mbulon përsosmërisht perimetrin e diellit.
Ajo që e bën edhe më mahnitëse këtë fakt është se Hëna është rreth 400 herë më e vogël se Dielli, por Dielli është rreth 400 herë më larg nga Toka sesa Hëna. Pra, gjeometria e thjeshtë na tregon se disku i dukshëm i Hënës është pothuajse saktësisht sa madhësia e diskut të dukshëm të Diellit. Vetë largësia e hënës nga Toka është një tjetër element përsosmërie. Nëse Hëna do të ishte më afër Tokës, graviteti i saj do të fillonte të tërhiqte bërthamën e Tokës.
Jo vetëm që baticat do të ishin shumë herë më të larta dhe do të ngadalësonin rrotullimin e Tokës, por gjithashtu do të kishte më shumë aktivitet sizmik dhe shpërthime vullkanike. Nëse Hëna do ishte pak metra më pranë apo më larg Tokës, jeta këtu do ishte e pamundur. E njëjta gjë me Diellin. Pak më afër Tokës do na digjte e pak më larg do na ngrinte. Ndaj, mjafton të shohësh lindjen e diellit gjatë ditës dhe ndriçimin e hënës gjatë natës, për t’u kujtuar se jeta është thjesht një mrekulli e privilegj i rrallë në univers.
Të gjitha kulturat e hershme të botës e kuptuan këtë përsosmëri dhe nuk tentuan asnjëherë ta quanin rastësi apo aksident kozmik, pasi të dhënë pas kuptimit, qysh në krye të herës, besonin në kuptimin dhe arsyen e ekzistencës së plotësisë (atë që ne e quajmë univers) kësisoj të gjitha kulturat pa përjashtim besonin në dorën hyjnore si shkakun e krijimit. Pasi pa shkak nuk ka pasojë. Pa qëllim nuk ka ekzistencë. Në fillim të shekullit të 20-të, shekulli më modern i epokave, lindi idea e Big Bengut.
Kjo ide befasuese u shfaq për herë të parë në formë shkencore në vitin 1931, në një punim nga Georges Lemaître, një kozmolog belg dhe prift katolik. Edhe Lemaître e shtroi këtë teori për të mbështetur Dorën Hyjnore në krijimin e universit. Por, gjatë dekadave të mëvonshme, qarqet laike liberale e fshinë elementin hyjnor dhe e zëvendësuan atë me fjalën “rastësi” apo “aksident” kozmik. Ndaj sipas përkufizimit të 50 viteve të fundit, teoria e Big Bengut sugjeron që universi filloi nga një pikë jashtëzakonisht e nxehtë dhe e dendur, më e vogël se një grimcë nënatomike.
Një forcë e paimagjinueshme shkaktoi shpërthimin intensiv të energjisë nga pika e vogël në një fraksion të sekondës duke shpërndarë të gjithë lëndën dhe energjinë në të gjitha drejtimet. E kështu u krijua Universi, bazuar mbi teorinë se po zgjerohet, e kësisoj duhet të jetë origjinuar nga një pikë e caktuar pas në kohë. Megjithëse kjo teori ishte hipotetike, me plot hije dyshimi, e me elementë të pashpjegueshëm, e duke rrëzuar etalonin njerëzor, që është qëllimi, gjeti rrënjë në tekstet shkollore të cilat për shkak se u duhet kohë të përditësohen me gjetjet e reja, kanë mbetur prapa me teoritë e vjetra, e kështu Big Bengu u shndërrua në teori standarde që mësohet nga shkolla fillore e deri në universitete. Por, kjo deri në vitin 2021 kur Teleskopi Hapsinor James Webb solli në tokë imazhet e fotografuara.
Reagimi i parë i kozmologëve ishte se: E paskemi kuptuar gabim universin gjer më tani. Teleskopi Webb dalloi galaktika që nuk duhet të ekzistonin, të cilat e rrëzonin automatikisht teorinë e Big Bengut dhe fenomenin e zgjerimit të universit. Ato galaktika rrëzuan konceptin e miliarda viteve të krijimit, pasi sipas matësve të deritanishëm të shkencës, janë krijuar brenda një kohe shumë të shkurtër. Këto janë galaktika të mëdha, të ndritshme dhe shumē afër fillimit të kohës. Pikërisht, problemi është koha.
“Atyre iu desh shumë, shumë, shumë pak kohë për t’u krijuar,” u habitën kozmologët. Çfarë do të thotë kjo? Është njësoj sikur të shfletosh një album fotografik familjar dhe kupton se gjyshja jote u bë nga foshnje në plakë në vetëm dy muaj. Këto galaksi nuk duhet të ekzistonin sipas teorisë së Big Bengut dhe matësve kohor të teorive moderne. Qeniet njerëzore janë “homo sapiens” që do të thotë “qenie inteligjente.” Edhe me inteligjencën tonë të kushtëzuar mbi kozmologjinë mund të arrijmë të kuptojmë përsosmërinë e universit, mrekullinë e jetës në tokë, rëndësinë e numrave, formulave të matematikës dhe ligjeve të fizikës, mbi të cilat funksionon jeta dhe universi.
Por për të kuptuar përsosmërinë, përveç makrokozmosit, mjafton të shohim mikrokozmosin, vetë njeriun, krijesën biologjike, frymore e shpirtërore të përsosur, me aftësi krijuese e racionale. Krijesë e cila qysh prej fillimit ka shtruar pyetjen: Nga vimë? Kush jemi? Ku po shkojmë? Pyetje e cila bazohet mbi qëllimin dhe jo rastësinë, mbi misionin dhe jo aksidentin. Njeriu ka jetuar gjithmonë si qenie e dëshiruar në këtë jetë, e jo si një fëmijë aksidental, i lindur rastësisht e padëshirueshëm.
Nuk u hodhëm në tokë thjesht si pleh por na u ofrua privilegji më i madh në univers: privilegji i jetës, në të cilin përfshihet dashuria, lumturia, miqësia, puna, prindërimi, muzika, arti, sporti, letërsia, ushqimi, udhëtimi, ëndrrat e imagjinata, por edhe humbja, zemërthyerja, trishtimi, lodhja e zhgënjimi, të gjitha këto emocione të forta për të na kujtuar se jemi qenie që ndiejmë në një univers të krijuar me dashuri e jo një univers që nuk ndjen, pasi po të ishte kështu do na kish shfarosur ne të parët. Ne nuk jemi skllevër të rrethanave rastësore por qenie të lira për shkak të kuptimit. Kuptim do të thotë “domethënie.”
Pra, çfarë deshte të thoshte Krijuesi përmes kuptimit të ekzistencës sonë. Ndaj, vazhdo me punët e hallet e tua, debato për politikë, ndiqe skuadrën e zemrës, shko në teatër apo në bilardo, kryej çdo aktivitet të përditshëm njerëzor sepse ndodhin vetëm këtu në Tokë e askund tjetër në univers. Por teksa i bën të gjitha këto, kujtohu vetëm për një sekond çdo mëngjes kur lind dielli, apo nē muzg kur del hëna, se mbi ty, rreth teje, e brenda teje, ka përsosmëri, jo aksidentale por të qëllimshme e hyjnore.
Ti je qëllimi i krijimit. Ndaj të takon të pyesësh veten në të gjitha ditët e jetës tënde se cili është qëllimi yt? E pasi ta zbulosh, jetoje atë qëllim e ndaje edhe me të tjerët. Kjo quhet dashuri, parimi hyjnor mbi të cilin u krijua universi dhe ti.